Deveja dhe miu

10 janar 2022 | 12:20

Mevlana Celaleddin Rumi

 Një mi kishte marrë në dorë frenat e devesë dhe filloi rrugën duke e fyer. Deveja, për shkak që ishte një kafshë e butë, nuk u ndikua nga sjelljet e miut dhe në heshtje vazhdoi rrugën pas tij. Mbi këtë, miu ndihej krenar dhe filloi të thoshte: Sa trim që qenkam. Po e drejtoj gjithë këtë deve të madhe duke e zvarritur. Deveja u fye në sedër nga fjalët e miut. Me vete tha: Ka për të ardhur çasti dhe do t’ia tregoj qejfin. Më pas vazhdoi rrugën. Duke ecur, arritën te një lumë. Kur e pa lumin, miu ndaloi. Iu ngri gjaku. Deveja kur e pa këtë, tha: O ti që ma tregove rrugën në male e në fusha, pse ndalove? Ti je udhëheqësi im. Vazhdoje rrugën që të vij prapa. Miu ishte tërhequr prapa dhe me frikë i tha devesë: Ky ujë është shumë i thellë. Frikësohem se ngulfatem. Uji i lumit devesë i vinte vetëm te gjuri dhe duke qeshur e përbuzur miun, i tha: A nga ky ujë deri në gju po frikësohesh? Miut që i kishte hyrë frika në palcë u përgjigj: Ka dallim gjuri nga gjuri. Ajo që për ty është milingonë, për ne është dragua. Uji që ty të bie në gju, mua më mbulon njëqind herë. Pasi dëgjoi këto fjalë të miut, deveja i tha: Nëse është ashtu, atëherë mos bëj sjellje të tilla. Mos u bë i pafytyrë. Matu me minjtë si ti dhe mos bëj gara me devetë.

(Marrë nga numri i 12-të i revistës “Akademia”. Përktheu: Fatijona Bajraj)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
 FRANK STOCKTON  Na ishte njëherë një mbret gjysmëbarbar, idetë e…