Deveja “e lidhur”
Rrëfenjë anonime arabe
Në shqip nga: Bajram Karabolli
Një arab i pasur po udhëtonte natën, nëpër shkretëtirë, me një karvan prej njëzet devesh të ngarkuara me mallra. Pas një udhëtimi të gjatë, diku e zë nata dhe vendos të pushojë. U thotë shërbëtorëve që t’i lidhnin devetë, për të mos ikur. Ata ngulin nëntëmbëdhjetë hunj, sepse aq ishin. Kështu që do t’u ngelej një deve pa u lidhur. Atëherë, shkojnë te zotëria i tyre për t’u këshilluar se si të bënin.
Dhe ja çfarë u thotë zotëria:
– Lidhni nëntëmbëdhjetë deve, për të cilat ka hunj. Kur të arrini tek e njëzeta, bëni sikur po ngulni një hu dhe sikur po e lidhni atë, sepse deveja është një kafshë budallaçkë dhe do të besojë se ju vërtet e keni lidhur.
Ashtu bënë njerëzit e arabit. Të nesërmen në mëngjes shikojnë se vërtet, të gjitha devetë ishin në vend, përfshi edhe të njëzetën, e cila ishte e zgjidhur, por që, duke pandehur se qe e lidhur, nuk kishte lëvizur nga vendi.
Kur i zgjidhën nëntëmbëdhjetë të lidhurat dhe nisen për rrugë, të gjitha devetë fillojnë të lëvizin, me përjashtim të asaj që kishte qenë e palidhur, e cila ende nuk po ngrihej nga vendi.
Atëherë, arabi u thotë:
– Bëni sikur po i zgjidhni litarin nga huri, sepse budallaçka beson se akoma është e lidhur.
Ashtu bëjnë. Vetëm atëherë, deveja ngrihet dhe fillon të eci, me të tjerat.
Thonë se kështu ndodh edhe me shumë qenie njerëzore, që veprojnë të programuara dhe jo me vetëdijen e tyre të vërtetë. Nëse njeriu nuk vepron me gjykimin e tij, por nga një zakon i kushtëzuar apo i programuar nga dikush tjetër, ai i ngjan devesë së rrëfenjës.
Çuditërisht, në jetën tonë ndodh që respektojmë disa kufij të caktuar, të cilët, në të vërtetë, nuk janë realë …