DEVIJIMIN E PROCESIT ZGJEDHOR E DUAN ARMIQTË E KOSOVËS

15 nëntor 2019 | 15:15

Armiqtë e shtetit të Kosovës, gjithmonë kanë propaganduar për gjoja mosaftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Që të rrëzohet për tokë kjo propagandë, klasa politike e Kosovës, nuk duhet të lejojë që të vazhdojë kjo agoni postzgjedhore, sepse pasojat janë të shumta, përfitues i së cilave do të jenë vetëm ata që përmes anarkisë mundohen të korrin ndonjë fitore politike

Nga Mehmet PRISHTINA

Kosova po kalon nëpër një fazë të ‘rrëshqitshme’ në pikëpamje të moskonsolidimit institucional, si pasojë e (mos)certifikimit final të procesit zgjedhor. Në aspektin juridik shteti është funksional edhe në kushtet kur institucionet ushtrojnë detyra që dalin nga obligimet kushtetuese e ligjore. Kështu ka ndodhur edhe me shtete të ndryshme në botë ku qeveritë nuk janë formuar edhe pas një viti e më shumë të përfundimit të procesit zgjedhor. Por, në pikëpamje politike shtetit i Kosovës po kalon nëpër një vakuum institucional, ku transferimi i pushteteve ende nuk është kryer, për shkak të mos përfundimit të procesit zgjedhor, i cili çuditërisht po zgjatë pa nevojë dhe më shumë se sa që është menduar. Kjo sidomos edhe për shkak të atmosferës tepër pozitive që mbretëroi gjatë zgjedhjeve, ku subjektet politike dhe votuesit treguan një shkallë të lartë të kulturës qytetare, përmes votës së lirë dhe të pandikuar nga faktorë të ndryshëm. Ky devijim i procesit zgjedhor, përmes rinumërimit të votave dhe ankesave të ndryshme, po i jep një shije të hidhur gjithë asaj atmosfere pozitive që u shfaq paraprakisht gjatë ditës së votimeve, kurse imazhin e Kosovës në sytë e komunitetit ndërkombëtar e paraqet me disa ngjyra gri.

Përpjekja për të devijuar vullnetin elektoral përmes një inxhinjeringu të çuditshëm politik, është goditje për parimet themelore të demokracisë, ku pacenueshmëria e votës duhet të jetë e garantuar, sepse vetëm bilanci real i votave të fituara nxjerr si produkt final fituesin e zgjedhjeve. Në Kosovë në të kaluar kanë ndodhur lloj-lloj devijimesh, duke filluar nga vjedhja e ashtuquajtur industriale e votave, e deri te prishja e skemave qeverisëse në mes të fituesve dhe humbësve të zgjedhjeve, mirëpo gjithmonë ka qenë i vënë në pikëpyetje legjitimiteti i atyre që kanë udhëhequr institucionet. Aktualisht, devijimet janë të një natyre tjetër dhe do të ishte më se normale që kjo fazë të kalojë për t’ia lënë vendin atyre që dolën fitues në këto zgjedhje. Nga procesi i deritanishëm i bisedimeve në mes të subjekteve politike që u mandatuan nga zgjedhësit për të formuar Qeverinë e re të Kosovës, mund të vërejmë një atmosferë konstruktive, ku po dominojnë parimet mbi ambiciet për pushtet. Nëse kjo atmosferë vazhdon edhe në të ardhmen, dhe nuk ka kurrfarë arsye të jetë ndryshe, atëherë Kosova deri në fund të nëntorit mund të ketë institucione të reja, duke filluar nga Parlamenti, Qeveria dhe digasterët tjerë shtetëror që janë derivate ligjzbatuese të institucioneve përkatëse.

Në të kundërtën, Kosova ka rrezik të rrëshqet në situata anarkike, me funksionalitet të dobët shtetëror dhe me kosto të lartë në imazhin e saj. Askush nuk do të besonte se dikujt do t’i konvenonte kjo situatë, përpos armiqve të shtetit të Kosovës, të cilët gjithmonë kanë propaganduar për gjoja mosaftësinë shtetformuese të shqiptarëve. Që të rrëzohet për tokë kjo propagandë, klasa politike e Kosovës, nuk duhet të lejojë që të vazhdojë kjo agoni postzgjedhore, sepse pasojat janë të shumta, përfitues i së cilave do të jenë vetëm ata që përmes anarkisë mundohen të korrin ndonjë fitore politike. Kosova ndodhet në prag të mbylljes së vitit kalendarik, atëherë kur duhet miratuar buxheti për vitin 2020 dhe kjo është një arsye më shumë për domosdonë e formimit sa më shpejt të institucioneve të reja, sepse në të kundërtën rrezikohet procesi normal i alokimit të mjeteve financiare përmes arkës shtetërore në llogari të punonjësve që janë të varur nga të ardhurat buxhetore. Ka edhe shumë arsye pse Kosova duhet të mos vonohet në konsolidimin institucional, por ajo çka po konsiderohet si detyrë prioritare është mbyllja e çështjeve të hapura me Serbinë si parakusht i normalizimit të kësaj pjese të Ballkanit Perendimor, e cila nuk duhet të mbetet si vrimë e zezë në procesin eurontegrues të rajonit. Në axhendën e Qeverisë së ardhshme, problemi i bisedimeve me Serbinë do të marrë bukur shumë kohë dhe energji, por kjo është një rrugë të cilën Kosova duhet patjetër ta bëjë që të arrijë disa objektiva, si në planin e brendshëm të konsolidimit dhe kontrollimit të gjithë territorit, ashtu edhe në planin e jashtëm, ku interesat politike, ekonomik e kulturore të Kosovës do të vendoseshin në binarë më normal të funksionimit. Tek shqiptarët nëntori paraqet muajin e kthesave të mëdha, ndaj është më se normale që të presim një kthesë të tillë edhe në Kosovë, pas një letargjie politike gati njëzetvjeçare.

E ardhmja e Kosovës meriton më shumë se ofertat e deritanishme politike që reduktuan në maksimum hapësirën kreative të njerëzve për më shumë gjyqësi të pavarur, për arsim më cilësor, për shëndetësi më moderne dhe gjithsesi për ekonomi më të zhvilluar. Atë çka duan njerëzit, e shndërruan edhe në votë, prandaj pritjet janë të mëdha që pushteti i ardhshëm të jetë shumë më ndryshe se të gjithë pararendësit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
IPKO, operatori me rritjen më të shpejtë në vend, do…