Dezertori rus zbulon sekretet e luftës, flet për bazën e armëve bërthamore

26 nëntor 2024 | 08:47

Në ditën e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, Anton thotë se baza e armëve bërthamore ku ai shërbente ishte vënë në gatishmëri të plotë luftarake.

“Para kësaj kishim vetëm ushtrime. Por në ditën kur filloi lufta, armët ishin plotësisht në vend”, thotë ish-oficeri në forcat bërthamore ruse.

“Ne ishim gati të nisnim forcat në det dhe ajër dhe, në teori, të kryenim një sulm bërthamor”, shtoi ushtari rus.

Ekipi i BBC-së, tanoi Antonin në një vend sekret jashtë Rusisë. Për mbrojtjen e tij, BBC nuk do të zbulojë se ku, madje i ka ndryshuar edhe emrin dhe nuk ia tregon fytyrën.

Anton ishte një oficer në një objekt të armëve bërthamore top-sekret në Rusi. Ai i ka treguar ekipit të BBC-së dokumente që konfirmojnë njësinë, gradën dhe bazën e tij.

BBC nuk ka arritur në mënyrë të pavarur të verifikojë të gjitha ngjarjet që ai i përshkroi, edhe pse ato përshtaten me deklaratat e rusëve në atë kohë.

Tre ditë pasi trupat u shpërndanë mbi kufijtë e Ukrainës, Vladimir Putin njoftoi se forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë ishin urdhëruar në një “mënyrë të veçantë shërbimi luftarak”.

Anton thotë se alarmi luftarak ishte vendosur në ditën e parë të luftës, dhe pretendon se njësia e tij ishte “mbyllur brenda bazës”.

“Gjithçka që kishim ishte televizioni shtetëror rus”, thotë ish-oficeri, “nuk e dija se çfarë do të thoshte e gjithë kjo. Unë kam kryer automatikisht detyrat e mia. Ne nuk po luftonim, por po ruanim vetëm armët bërthamore.”

Gjendja e alarmit u anulua, shtoi ai, pas dy deri në tre javë.

Dëshmia e Antonit ofron një pasqyrë të funksioneve të brendshme top-sekret të forcave bërthamore në Rusi.

Është jashtëzakonisht e rrallë që pjesëtarët e shërbimit të flasin me gazetarë.

“Ka një proces shumë të rreptë përzgjedhjeje atje. Të gjithë janë ushtarë profesionistë”, shpjegoi ai.

“Ka kontrolle të vazhdueshme dhe teste të zbulimit të gënjeshtrës për të gjithë. Paga është shumë më e lartë dhe trupat nuk dërgohen në luftë. Ata janë atje ose për të zmbrapsur, ose për të kryer një sulm bërthamor”, shtoi ushtari rus.

Ish-oficeri thotë se jeta ishte e kontrolluar fort.

“Ishte përgjegjësia ime të sigurohesha që ushtarët nën komandën time të mos merrnin asnjë telefon në bazën bërthamore”,  theksoi ai për BBC.

“Është një shoqëri e mbyllur, nuk ka të huaj atje. Nëse dëshironi që prindërit tuaj t’ju vizitojnë, duhet të paraqisni një kërkesë Shërbimit të Sigurisë FSB tre muaj përpara”, tha ai.

Anton ishte pjesë e njësisë së sigurisë së bazës – një forcë e reagimit të shpejtë që ruante armët bërthamore.

“Kemi pasur stërvitje të vazhdueshme. Koha jonë e reagimit ishte dy minuta”, thotë ai me një nuancë krenarie. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasadorët e Ukrainës dhe të 32 shteteve anëtare të NATO-s…