Dezinfektimi i tregut në Tiranë “shkon” deri në SHBA
Hyrja e tregut të fruta-perimeve në Kombinat “përfundon” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mekanizmi i dezinfektimit të njerëzve, i vendosur në hyrje, ka tërhequr vëmendjen e dy prej gazetave më të mëdha në SHBA, “New York Times” dhe “Washington Post”, që e kanë vendosur në faqe të parë një foto, marrë nga Reuters, ku tregohet procedura e ndjekur për t’u futur në treg.
Pika e shitjeve të produkteve ushqimore ishte shndërruar në problem në ditët e kaluara, për shkak të grumbullimit të madh të njerëzve, që nuk respektonin distancat dhe rrezikon të infektoheshin vetë, ose të infektonin të tjerët me Covid-19.
Pas protokolleve të vendosura nga autoritetet, nga e hëna të gjithë i nënshtrohen dezinfektimit para se të futen për të blerë, ndërsa nëpër rrugë janë shënuar edhe vendet ku duhet të qëndrojnë njerëzit që të mbajnë radhën në dyqane të ndryshme. Gjithashtu i gjithë tregu është i rrethuar me gardh metalik dhe policë për të bërë të mundur respektimin e masave, të marra për të frenuar përhapjen e koronavirusit në vendin tonë.