DFC-ja angazhohet për rritjen e investimeve në sektorin privat në Kosovë
Korporata Ndërkombëtare e Financave dhe Zhvillimit në ShBA ka lëshuar një komunikatë për medie pas përmbylljes së vizitës së kryeshefit të kësaj korporate, Adam Boehler në Greqi, Kosovë, Serbi, Izrael dhe Marok.
Boehler ishte shoqëruar edhe nga emisari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, si dhe zyrtarë të tjerë amerikanë.
“Delegacioni vizitoi Kosovën dhe Serbinë për të mbështetur marrëveshjet e Uashingtonit të 4 shtatorit që vendosën normalizimin ekonomik midis dy vendeve, një moment i rëndësishëm historik që do të nxisë zhvillimin ekonomik në rajon”, është thënë në komunikatën e DFC-së.
Duke u ndalur tek vizita në Kosovë, DFC-ja ka thënë se në Prishtinë është nënshkruar një deklarate ku është theksuar se do të punohet për të rritur investimet në sektorin privat.
“Në Kosovë, DFC-ja nënshkroi një deklaratë të përbashkët me qeverinë dhe do të punojë për të rritur investimet e sektorit privat në Kosovë për të forcuar infrastrukturën ajrore, hekurudhore dhe rrugore; si dhe industritë e tjera si energjia, teknologjia dhe turizmi”, është thënë në këtë komunikatë.
Në Serbi, DFC-ja ka theksuar se ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët me qeverinë dhe ka njoftuar se do të hapë një zyrë rajonale në Beograd për të lehtësuar zbatimin e projekteve që do të mbështesin rritjen ekonomike.
DFC-ja ka emëruar John Jovanoviq i cili siç është thënë ka një përvojë të gjerë në Ballkan, do të jetë drejtori i ri menaxhues i DFC-së për Ballkanin Perëndimor dhe Egje.