Dhembja e nënës sa e njerëzimit

11 mars 2021 | 17:26

(Flutura Açka, Biri, roman, Tiranë, 2020)

Prof. dr. Emin Kabashi, Instituti Albanologjik i Prishtinës / Këshilltar shkencor

Përkufizimi

Një roman për dhembjen. Ky është përkufizimi më i përgjithshëm në botë. Cila nënë nuk e ka përjetuar dhembjen, kur i ka vdekur fëmija, pa marrë parasysh, ishte më i miri i botës, apo ishte si të gjithë fëmijët e tjerë.

Por, ky është një roman për dhembjen e nënës, që ka humbur të birin, djalin e vetëm, në lulen e rinisë, sa po mbushte tetëmbëdhjetë vjet.

Kjo dhembje e nënës, është sa dhembja e njerëzimit. Sepse, nëna është ajo që përkund djepin e njerëzimit, ajo që krijon ardhmërinë, ajo që rri zgjuar për të mëkuar dhembjet e Birit, ajo që fsheh lotët, që ai, Biri të mos i shoh, ngase ai, Biri, të mos i shoh sytë e saj me lot, edhe për atë se i ka lënë amanet që nëna ta jetojë jetën edhe pas shkuarjes së tij Atje, siç thotë nëna për botën tjetër.

Pra, ai, Biri, e di se sa jetë ka, andaj, një zot e di se nga cila bindje, ai përkundër së ndonjë herë tronditet, prapë së prapë e merr vdekjen pa alarm, pa vaje e britma, sepse i ka thënë nënës, që ta jetojë jetën edhe pas shkuarjes së tij, Atje.

Kur mbështeste kokën në gjoksin e saj dhe qanin të dy, ajo, nëna për humbjen përgjithmonë të të Birit, kurse ai se ikte në moshën më ti mirë, kur edhe në ëndërr fluturon, por edhe se i lutej nënës që ta jetonte jetën.

Hyrje

Cili është romani i Flutura Açkës, Biri, që lexuesi e ka në dorë?

Në ligjëratën e saj autorja e romanit Biri, Flutura Açka, nuk ka fshehur asgjë, as dhembjen deri në lemeri, as përballjen e saj me gjithë dhembjen e botës.

Aty është gjithë jeta e një të riu, i cili nga një sëmurje e rëndë, shumë e veçantë, ikën nga duart e nënës, në moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Por, përkundër faktit se shtjellimi bëhet, thuajse brenda një periudhë të caktuar kohore, rrëfimi përfshinë një jetë të tërë.

Një jetë të tërë, që herë sikur ndalet diku, herë tjetër bredhë nëpër gjithë hapësirën që i ka krijuar jeta, jo vetëm Birit, por edhe të tjerëve për rreth, familjes, shokëve dhe shoqeve të shkollës, njerëzve të tjerë, që ka njohur kudo që ka shkuar, kudo që ka gjetur interesimet dhe preokupimet e tij. Kjo bredhje nëpër kujtimet dhe realitetet e jetës, i ka dhënë dorë autores së romanit Biri, ta shpalojë gjithë përmasën e dhembjes, thuajse sa dhembja e të gjitha nënave të botës. Prandaj, është e veçantë kjo dhembje, sepse është dhembje e nënës. Ai, Biri, është i vetëdijshëm për gjendjen e tij shëndetësore, andaj i lutet së ëmës:

-‘‘Mam, do të shkruash një libër për mua?

-Libër për ty? Po përse?

-Ja për këto dhembjet e mia të tmerrshme .

-Po dhembjet do të ikin dhe ti do të bëhesh më mirë e do ta shkruash vetë librin?

-Epo, unë nuk jam shkrimtar, e nuk di ta shkruaj si ti. Unë dua ta shkruash ti’’. (Biri, 63)

Hapësira e shtrirjes së kujtimeve kap tri kontinente, që nga mosha e njomë e Birit, duke filluar nga fëmijëria e hershme e deri në ditët dhe javët që bredh nëpër spitale të ndryshme të Holandës, që ishte atdheu u dytë i Birit.

Atdheu i parë i Birit ishte Shqipëria, në të cilin kishte kaluar fëmijërinë, herë nën kujdesin e nënës, herë nën kujdesin e një nëne tjetër, e cila ia ka mësuar, si thuhet, hapat e parë të ecjes në jetë.

Ky atdhe, për të cilin sa fillon të rritet e kupton se nuk është i tëri, andaj, ai kërkon që ta vizitojë Kosovën, jo vetëm për ato që i kishin folur të dy nënat, edhe ajo që e kishte lindur, edhe ajo që ishte kujdesur për të, të cilën ai, Biri, nuk e kishte harruar kurrë, si dhe e kishte dashur shumë, jo vetëm për ato që kishte lexuar, por edhe për ato që kishte parë vetë, pa marrë parasysh se në cilën moshë ishte.

Atij, Birit, pra, sa duket, nuk i është thënë asnjëherë, se ai në Kosovë kishte ardhur edhe pa lindur, ngase nëna shtatzënë, kishte ardhur me të, në Panairin e parë të librit të lirisë së Kosovës, në nëntor të vitit 1999.

Qoftë edhe vetëm kjo rrethanë, e bën atë kërkues të tërësisë së atdheut, gjë që e manifeston edhe kur përkundër dhembjes së madhe të nënës, ai i lë amanet se ku duhej të shpërndahej hiri i trupit të tij. Doemos, edhe në Kosovë.

Romani Biri i Flutura Açkës fillon në muajt e fundit të një jete

Ndërtimi i strukturës së romanit Biri të Flutura Açkës, mund të thuhet se është një biografi artistike, thuajse e pa shoqe në letërsinë tonë, jo vetëm për faktin e shtjellimit të ngjarjes, jo vetëm për strukturën kronologjike, që e ka shpërbërë sa herë, është lodhur me rrëfimin, jo vetëm për dialogët e kursyer, por aq të domosdoshëm, edhe përkundër faktit se në tërësinë e ligjëratës së romanit, shtrihen hapësira të pafund të një jete, e cila po përgatitej të mbyllej kur duhej të fillonte.

Pra, ky përkufizim, se romani Biri, mbyllet kur duhej të fillonte, është një karakteristikë tjetër e ligjëratës së autores në këtë roman, e cila ka qenë e zonja, të ndrydhë gulçet e gjëmës dhe ta këndojë e ta vajtojë, atë vdekje që nuk duhej të vinte.

Një fuqi për lakmi nga të gjitha nënat, kurdo që i përballë jeta me vdekjen e fëmijëve, kurdo që jeta bën ato padrejtësi të pa shkruara në asnjë rregull ungjillor e kuranor, që kur ekziston njerëzimi e këndej.

Ky përjashtim, nuk bëhet as në romanin e autores së mirënjohur Flutura Açka. Por bëhet një përjashtim tjetër, shumë i rrallë, Flutra Açka krijon një monument për atë që quhet dashuri prindërore, krijon një lapidar krejt të freskët me gjuhën e rrëfimit, për vdekjen e një të riu, në këtë rast të djalit të saj, Jerinit, për të cilin, lëre më, se mezi kishte pritur t’ia dëgjonte zërin, kur do të fliste fjalët e para, por edhe kur ai do t’i bëhej pjesë e shtyllës kurrizore të saj, për të ecur edhe ajo vertikalisht, e deri të shkuarja e tij Atje, diku për tej nesh, andaj belbëzimet e para vijnë tashti si pjesë e kujtimeve: ‘‘Një herë, kur ishte ende fëmijë, i thashë se mezi kisha pritur që ai të fillonte të fliste, sepse doja të dija se çfarë zëri do të kishte. Zëri, besoj unë, është aq i lidhur me personalitetin, sa është gati element ndërtues i tij. ‘‘E si ishte zëri im kur fola për herë të parë?’’, u kresht ai të dinte mendimin time. ‘‘Si zëri i një zogu, i bukur’’, i thashë, ‘‘më i bukuri që mund të kisha zgjedhur. Por, unë nuk kisha pse të zgjidhja, ti ishe bekuar vetë me zë të tillë’’. (Biri, 132).

Krijon një model shkrimi, që na ka munguar, ndoshta vetëm për faktin se ata që kanë përjetuar tragjedi të këtilla, nuk kishin fuqi krijuese për ta përjetësuar dhembjen e humbjes.

Lexuesi, si unë, kot thotë se romani fillon atje ku duhej të mbaronte. Pse mund të thuhet kështu? Ka disa arsye të mëdha jetësore, por dy a tri janë më të veçanta.

Së pari, romani i Flutura Açkës, Biri, kapërcen nivelin e rrëfimit të kronikës, edhe për faktin se vetëm kur shihet fundi, fillon e rrëfehet tërësia e jetës së të Birit, por edhe të autores.

Së dyti, autorja asnjëherë nuk ka harruar atë shkollë[ne madhe të Shekspirit, se kujtimi i kohëve të mira, kur ke rënë në mjerim, është shumë i rëndë, shtreson në strukturën e këtij romani, aq dendur, sa ndonjëherë lexuesi hutohet, mos është kjo vetëm dhembja e një nëne, duke aluduar se ku janë nënat e tjera që kanë humbur pjellën e vet.

Së treti, sa herë që autorja lodhet nga dhembja e jetës, vjen nga dika, sidomos nga ato që kishte lënë i Biri, qoftë si shenja të detyrave shkollore, qoftë si relikte të lojës së tij me kompjuterin, qoftë nga shënimet që kishte lënë të shkapërderdhura nëpër fletore pune, apo shkolle, por qoftë edhe gjithë marrëdhëniet me miq e mikesha, me shokë e me shoqe, edhe me nënën në këtë mes, që tashti ligjëratën e romanit e shtrijnë në tërë hapësirën e jetës.

Nuk është aspak me rëndësi sa ishte ajo jetë, dhjetë vjet, njëqind vjet, apo vetëm tetëmbëdhjetë vjet.

Biri, roman i dhembjes

A mund të përkufizohet kështu një krijim artistik, siç është romani Biri i Flutura Açkës?

Po, sepse brenda faqeve të këtij romani është shtrirë dhembja e nënës, për humbjen e të Birit të saj. Pra, është dhembja më e veçantë në botë, sepse është dhembja e nënës, e shtrirë në kujtesën e njerëzimit që nga tragjeditë greke e këndej, mbi të cilat është ngritur kultura e shkrimit evropian.

Kjo dhembje e nënës, në këtë rast e një nëne shqiptare, mund jetë temë, e cila bëhet hise e dhembjes njerëzore.

Autorja e romanit, përkundër peshës së dhembjes, përkundër asaj peshe shtypëse që rëndon supet e shpitit të nënës, ka përkufizuar qartë dhe bindshëm, dy polet ekstreme të jetës, të gjëllimit të njeriut dhe të Ikjes Atje, si thotë ajo në një rast për aktin e vdekjes së të Birit:

‘‘Sepse jeta ndahet, vdekja është e jotja.

Sepse jeta rend, vdekja ndal.

Sepse jeta jetohet, vdekja s’kuptohet.

Sepse jeta ka shumë përmasa, vdekja vetëm një’’. (Biri, 139)

Dhembje të këtilla, kujtesa jonë historike ka aq shumë, për fat të keq të pa përjetësuar me gjuhën e artit të romanit, si vlerë në përmasën kombëtare. Po e lëmë anash Vajin e Ajkunës, për të birin, kur i mallkon hënën dhe diellin që nuk e kanë lajmëruar për vdekjen e djalit, kur mallkon lugjet e malet, që u bëfshin rrafsh, pse nuk ia kanë dërguar një lajmës, si i biri po vdiste. Dhembje të këtillë, vetëm në këto njëzet vjetët e fundit, Kosova është e mbushur plotë, më shumë se kaq, është e mbushur me dhembje që nuk e përshkruan as gjuha, as mjetet artistike të një krijuesi.

Prandaj, është veçantë dhembja e nënës për të Birin, sepse është përjetësuar, si shtresim i dhembjes së të gjitha nënave. Shembulli më përfaqësues i dhembjes, si hise e jetës kur tragjikja bëhet pjesë e saj, i dhembjes së përbashkët, që shpalohet përmes vizitës që i bën artistes së madhe, Tinka Kurti në ngushëllimet për vdekjen që i kishte rënë hise asaj, janë dy shtresime të përmasave të ndryshme, edhe si breza njerëzor, por edhe si përvojë jetësore.

Në Kosovën e vitit 1999, që aq shumë shenja i ka prekur edhe autorja e Birit, kush mund ta thotë, qoftë edhe si krijim artistik, siç është romani i Flutura Açkës, peshën e dhembjes, kur nënës ia marrin djalin nga kraharori, vetëm sa kishte mbushur një vit e gjysmë dhe ia prenë kokën para syve të nënës. Tragjedi të këtilla, mund të thotë dikush se ndodhin në të gjitha luftërat.

Jam dakord, por askush nuk gjeti një mënyrë për ta përjetësuar dhembjen e asaj nëne. E sa shumë nëna të këtilla ka në Kosovë, pjesë e atdheut të të Birit, për të cilën kur zuri ta kuptonte tragjedinë e përgjysmimit të atdheut, Biri i saj, kërkoi që një pjesë e hirit të trupit të tij, të shpërndahej edhe në Kosovë.

Kjo përmasë e dhembjes në faqet e këtij romani, ndonjëherë ta zë frymën, herë tjetër, kur e kupton amanetin e të Birit për të ëmën, që ta jetojë jetën edhe pas shkuarjes së tij Atje, përtej, do të thoshim me një figurë të poetëve tanë, të lehtëson dhe të bën më njerëzor. Po ashtu, e bën më njerëzor, edhe shenjat e kujtimeve që ia ka lënë nënës, para se Biri të shkojë Atje:

‘‘Ajo lëndinë është një nga gjërat më të shenjta dhe më me shenjë të jetës sime dhe një arsye më shumë pse shkoj aq shpesh në Theth dhe pse e dua aq shumë atë vend. Ajo lëndinë është ‘‘Logu i Birit’’për kujtesën dhe hartën time të dashurisë’’. (Biri, 232).

Ndodh kjo, sepse krijesa që e ka përjetuar peshën e kësaj dhembje, nëna e të Birit, barrën e secilës tashti e ka ndarë me lexuesit, sikur bëjnë përpjekje ta përballojmë së bashku atë dhembje, qoftë edhe për faktin se në botën tjetër po shkonte një djalë i ri, i cili sa kishte filluar ta kuptonte jetën, me gjithë të papriturat e saj.

Një e papritur e këtillë, është edhe sëmurja e tij, e cila edhe kur kuptohet se nuk ka shërim, përballohet deri në atë shkallë, sa arrin t’i lë amanete së ëmës.

Galeria e personazheve në romanin Biri

Kur lexon me durim dhe me vëmendje, duke e mposhtur dhembjen, romanin Biri të Flutura Açkës, një dukuri që hetohet, është galeria e madhe e personazheve që bëjnë jetë në faqet e këtij romani.

Një numër i madh fytyrash njerëzore, nga ata dhe ato që ishin moshatarë të Birit, nga familjarët, duke filluar nga i ati, e deri te gjyshi e gjyshja nga anë e nënës, secili botë me vete dhe secili me karakteristikat e veta edhe si pjesë e dhembjes, por edhe si pjesë e durimit, me të cilin i ka mësuar jeta.

Janë pastaj shokët dhe shoqet e shkollës, disa prej të cilëve bëhen pjesë e jetës së Birit deri në ditën e fundit të jetës së tij në këtë botë.

Një pjesë e këtyre personazheve, të portretizuar, siç thuhet me gjuhën e pikturës, me dy-tri penelat, janë mjekët dhe infermieret, sidomos ndonjëra nga ato, që janë pjesë e sëmurjes por edhe të jetës së Birit.

Autorja e romanit Biri, në faqet e këtij rom,ani ka përfshirë edhe vendet, që kanë vizituar, qoftë si kërkesë e Birit, qoftë si homazh për mallin e dhe ikjen e tij, ose edhe për të përmbushur amanetin e tij, që shpërndahet hiri i trupit të tij, qoftë edhe për të plotësuar boshllëkun që ka lënë ikja e tij.

Por, kudo në secilën faqe të këtij romani, në secilin takim, duke filluar nga familjarët e deri të miqtë në Afrikën e Jugut, dhembja është kudo, boshllëku nuk mbushet me asgjë, por nëna sërish duhet ta përmbushë amanetin e të Birit, që ta vazhdojë jetën e saj. Nëna e provon, por e ka një kusht të rëndë, të paplotësuar ndonjëherë brenda llojit të gjinisë njerëzore:

‘‘Tani unë isha një ish-nënë dhe doja të mbetesha e tillë, do të pranoja të bëhesha sërish nënë, vetëm me një kusht, që besoja se askush nuk e merrte përsipër të ma përmbushte-të ma kthente Birin’’. (Biri, 302).

As në lashtësinë shqiptare, as lisat, as hëna, as zogjtë e malit, që  ndalin këngën për ta DËGJUAR VAJIN e NËNËS, nuk kishin arritur t’ia plotësonin as dëshirën, as mallin, as dhembjen, Ajkunës që qante të birin, Omerin.

Vendet që viziton, duke ndjekur gjurmët e kujtesës që ka lënë Biri, tashti sikur bëhen vende pelegrinazhi, thuajse vetëm në këtë mënyrë, ajo autorja, pra nëna, do ta dëshmojë se po përmbush kërkesën e tij, qoftë edhe duke i fshehur lotët nga ai, edhe pse ai nuk është më.

Nëse arrin t’i fshehë lotët, dhembjen si ta fshehë, mallit ku t’ia bëjë vendin, kujtimet ku t’i lë?

Kjo mënyrë e rrëfimit në romanin Biri të Flutura Açkës, është një anë tjetër e realizimit artistik të veprës, e cila, sikur  vë në dilemë lexuesin se ku është gjetur kjo përvojë e të shkruarit, diçka në mes të pamundurës dhe të domosdoshmes.

Përfundim

Në romanin Biri të Flutura Açkës, shtresa të rrëfimin bëhen edhe e  pamundura dhe e domosdoshmja, herë si rrëfim në veten e parë, herë si dialog, që në raste mbushet edhe me pyetjet dhe përgjigjet që i ka ruajtur në telefonin e të Birit. Në përgjithësi, romani Biri i autores, përkundër faktit se lë pak shteg për ndonjë përmbysje në jetë, qoftë edhe në planin e mbajtjes së fjalës, që i Biri kërkon herë pas here nga nëna, kur ai do të shkojë Atje, përtej jetës sonë, pra edhe përtej jetës së tij, gjë që dëshmon për fuqinë krijuese të autores, që ne lexuesve na vjen si pjekuri e lakmueshme kaherë në gjuhën e rrëfimit të prozës sonë.

Përmasën e dhembjes, që herë shkaktohet nga faktorë të jashtëm, herë tjetër nga tragjedi luftërash, herë e tretë si fat njerëzor, kur fatkeqësia bëhet pjesë e tragjedisë së një familje. Atë shpalimin e dhembjes mbinjerëzore, që shkon deri te kërkimi i varreve për të gjetur trupin e të Birit, i kujt qo qoftë ai, që e ka ruajtur kënga e popullit që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit e këndej:

‘‘Ali Ibra, hup e tretë,

Fort po lyp t’birin e vet,

I shplon vorret kund s’e gjet’’.

Kujtesa jonë historike e ka ruajtur së përmasë të veçantë të dhembjes njerëzore, siç i ka ruajtur edhe gjithë gjurmët e tragjedisë kombëtare, por i ka ruajtur edhe ato të lashtësisë, si një shkollë e madhe e dhembjes që shkakton jeta, e që vlejnë nga atëherë e deri sot. Të mos flasim për përmasën e tragjedisë së Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për dhembjen e përmasave hyjnore, deri në atë shkallë, sa sot mijëra nëna, motra, nuse të reja, jetojnë me fotografët e të dashurve të tyre, kryesisht të pjellës së tyre, jetojnë fillikat vetëm dhe kudo që sillen nëpër hapësirën që u ka mbetur nga jeta, jetojnë vetëm me shenjat e kujtimeve për ata që nuk janë më.

Një VETMI tejnjerëzore, ngase shoqëria jonë e re, e cila ende nuk është liruar nga hutimi që shkakton liria, nuk ka pasur kohë të merret me vetminë, me dhembjen dhe me përmasën tragjedisë së tyre, andaj ato janë vetëm, andaj atyre askush nuk ju ka afruar një mundësi, që së paku të përmbushin një amanet të të rënëve të tyre, se do të bëjnë përpjekje ta jetojnë jetën.

Me këtë Betim, me këtë Premtim, me këtë Fjalë të Dhënë, në një mënyrë apo në një tjetër, i vjen fundi edhe leximit të romanit Biri të Flutura Açkës. Në bisedat e shpeshta Nëna-Biri, ai ashtu edhe siç pritej nga autorja, ka qenë i vetëdijshëm për pjesën e jetës së tij, që  nuk varet më nga ai. Andaj, si pjesë e kësaj vetëdije, që në roman shpalohet, edhe përmes dialogut, ai kërkon nga nëna, që të gjejë forcë dhe ta jetojë jetën e saj, pasi ai të shkojë Atje:

‘‘-Flutnesh, deri tani më ke thënë se më do shumë, më shumë se çdo njeri tjetër në këtë botë, e di, por tani duhet ta provosh, a vazhdon dot pa mua? Kjo është prova jote për dashurinë ndaj meje, Mam. Provoje!’’ (Biri, 355)  

Botimi i këtij romani, mënyra e shtjellimit të një jete të këndej dhe andej varrit, të këndej jetës, që aq shpesh ia zë frymën përditshmëria, me atë pjesën ‘‘Rrugofsh Parajsës’’ siç i thotë nëna të Birit, janë dëshmi se nëna e ka mbajtur Fjalën e dhënë, sepse Biri i saj është bërë pjesë edhe e jetës sonë shpirtërore, me vlerat artistike që shpalon romani, me ligjëratën në planin  rrëfimit, që e karakterizon natyrshmëria e rrëfimit, pa fshehur asgjë nga ndjeshmëria e nënës, deri edhe përhumbjen, deri edhe zgjimin natën, për ta kërkuar, apo mos më bën veshët dhe dëgjova hapat e tij, apo kollitjen e tij, deri edhe plotësimin e gjithë kërkesave të tij, që pjesë të hirit të jetës së tij të bëhen pjesë e vendeve që ka dashur, qoftë përmes njerëzve të tjerë, qoftë përmes nënës, qoftë përmes shokësh dhe shoqesh, por qoftë edhe përmes një dashurie, ku në një varg të një poezia që ka botuar në këtë roman autorja, thuhet: Mos dashuro kurrë një burrë që vdes! Me përmasën  dhembjes, që na e bën edhe hise të të gjithëve, Flutura Açka ka dëshmuar se ka gjetur fuqi që të bëhet pjesë e jetës, përkundër mungesës që nuk mund t’ia plotësojë askush. Romani Biri, lexohet me një frymë, nëse kjo është pjesë e vlerësimit të artit të tij, por edhe të mban gjatë në një gjendje të pastrimit shpirtëror, nëse mund të thuhet kështu, pa anuar nga asnjë dogmë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, ka treguar se sot ka…