Dhëndri i Mimoza Kusari-Lilës emërohet në bordin e ankesave në AKPM
Shkumbin Spahiu, dhëndri i shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës, është emëruar në Bordin e Ankesave në Agjencinë për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM) nga ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku.
Në këtë bord janë tre anëtarë me mandat trevjeçar të cilët emërohen nga ministri i Shëndetësisë bazuar në Ligjin për produkte dhe pajisje medicinale, shkruan gazeta “Shneta”.
Gexha-Bunjaku ka emëruar Meliza Qorraj, Shkumbin Spahiun dhe Gëzim Berishën.
Shkumbin Spahiu është bashkëshorti i motrës së deputetes dhe shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila. Spahiu po ashtu është drejtor ekzekutiv në një organizatë joqeveritare e cila bashkëpunon edhe me bashkëshortin e Kusari-Lilës, Arben Lila.
Gazeta “Shneta” ka kërkuar sqarime nga Gexha-Bunjaku për këtë emërim, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as Spahiu dhe as Kusari-Lila, nëse emërimi është bërë me ndikim politik.
Shkumbin Spahiu bashkë me dy anëtarët tjerë të bordit të ankesave gjatë një takimi me ushtruesin e kryeshefit të AKPM-së, Sejdë Tolaj.
Bordi i Ankesave në AKPM është organ mjaft i rëndësishëm i cili themelohet bazuar në nenin 8 të Ligjit për produkte dhe pajisje medicinale. Ky bord sipas këtij neni, ka përgjegjësi për shqyrtimin e çdo ankese të ngritur nga një subjekt ose person fizik, përkitazi me vendime të nxjerra nga AKPPM, në bazë të këtij ligji dhe akteve nën-ligjore të nxjerra në pajtim me këtë ligj.
Ndryshe ky bord ka kompetencë për rrëzimin e vendimeve të AKPM-së në lidhje me barnat, qoftë përmes ankesave të kompanive farmaceutike apo individëve.
Sipas vendimit që e ka parë gazeta “Shneta”, bordi do të kompensohet për punën e tyre.
Kjo nuk është hera e parë që në institucionet shëndetësore marrin pozita njerëz të lidhur me Kusari-Lilën. Më parë gazeta ka raportuar se Albert Lila, ish-kandidati për deputet nga partia Alternativa, e cila udhëhiqet nga Mimoza-Kusari-Lila dhe kushëri i bashkëshortit të Kusari-Lilës, ishte përzgjedhur drejtor në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë së Punës në Gjakovë. /Gazeta Shneta/