Dhëndri nga Kosova i vë zjarrin shtëpisë së vjehrrit në Vlorë
Ish-dhëndri i familjes së Luftie Fanaj, Haki Bajrami nga Kosova, dyshohet se pas konflikteve fizike me ish-nusen e tij dhe familjarët e saj, ka djegur me benzinë shtëpinë e ish-vjehrrit në fshatin Llakatund në Vlorë. Si pasojë e sherreve familjare janë djegur dy banesa.
Autori i zjarrvënies ka qenë në proces ndarje me vajzën e Lutfi Fanajt, me të cilën kishte një fëmijë, ndërsa kërkonte ribashkimin me të.
Ai ka shkuar dje në banesën e ish-vjehrrit dhe pasi e ka spërkatur atë me benzinë, i ka vënë flakën. Ndërkohë në banesë në momentin kur i është vënë zjarri ishte gjyshja e shtëpisë dhe nipi i saj, (djali nga martesa e parë e ish-gruas së kosovarit).
Këta të fundit pasi janë dhunuar nga autori i zjarrvënies, kanë tentuar që të shuajnë zjarrin, por kanë pësuar djegie, ndërsa ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën. Nga flakët është djegur totalisht dhe banesa ngjitur.