Dhëndri i Trumpit humb qasjen në informata top-sekrete
Dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, i cili është njëkohësisht një prej këshilltarëve të tij kryesorë, ka humbur të drejtën për t’u njohur me informacionet tepër sekret të agjencive të zbulimit, që i jepen përditë presidentit, gjatë të ashtuquajturit “Informimi Ditor i Presidentit”.
Gazeta The Washington Post shkruan se kontaktet e zotit Kushner me disa zyrtarë të lartë të huaj, kanë ngritur shqetësime brenda Shtëpisë së Bardhë.
Sipas gazetës, zyrtarë të të paktën 4 vendeve, kanë diskutuar privatisht se si të shfrytëzojnë bizneset e tij, vështirësitë financiare, apo mungesën e përvojës në politikën e jashtme, për ta manipuluar atë.
Gazeta i identifikon këto vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Kina, Izraeli dhe Meksika.
Jared Kushner, është bashkëshorti i vajzës së madhe të Presidentit, Ivanka.
Presidenti ka aftësinë që t’i japë zotit Kushner të drejtën e përhershme për t’u njohur me informacione sekrete të agjencive të zbulimit, por ai tha se do t’ia delegojë përgjegjësinë shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë John Kelly. /VoA