DHIMBJA QË NUK KA EMËR

03 dhjetor 2020 | 09:25

ADEM GASHI

 

DHIMBJA QË NUK KA EMËR

 

(Baladë për të Dhunuarat)

na shihni në sy dhe ju shohim
ju shohim përditë po jemi kaq të verbër
ah, ku të gjendet çelësi i Ferrit tuaj
një, dy, tre…
nëntë rrathë thellë në shpirtin e djegur
ju shohim e na shihni…
sekush tha: pudër e shkretëtirtë
ka rënë mbi dhimbjen, mbi buzëqeshjen,
mbi shpërfilljen tonë idiote e të shtirtë
bija, motra, gra, nëna
çudi si nuk pëlcet nga dhimbja juaj e paemër
edhe vetë Dielli, edhe vetë Hëna
një dolli helmi po e ngre me fund
zemërplasur, kaq mundem
se dhimbja juaj më shemb, më mund

 

ARKIVI I FAMILJES SIME

 

kur më vdiq babai më 1960
unë s’isha veçse gjashtë vjeç
e një stinë

 

krejt çfarë na la
qe një dhimbje e madhe dhe një kutizë
një arkëz e vogël që ruhej mbi një tra

dikush ma pat falur një Abetare të vjetër
me shumë mungesa fletësh
veç zanoret qenë të gjitha
dhe një h
e mjaftë për të formuar shtatë klithma
shtatë pasthirrma, ah, rit i vjetër

 

pastaj u rrita
aq sa për të hapur kutizën

ç’të shihja
një tapi të fshirë pronësie
një foto të babait ushtar Serbie
(s’e di në qe Serbi e Dytë a e Parë)
pastaj një letërnjoftim të Shqypnis
nën N. M. T. Viktor Emanuelin
me shqiponjën stemë vënë nën sëpatë

 

kapitulli i socializmit
s’kishte veçse gjoba mali fushe
dëftesa të fryra tatimi
dhe ftesa me tri vija të kuqe
me vulë prej UDB-e

lufta e fundit
e zhbëri edhe kutinë e vogël prej druri
tashti arkivi i familjes sime
s’është veçse një kujtim i portretit të babait
me shikim zhbirues ngjyrë tunxhi

 

(Këto poezi janë botuar në sprovën për antologji “Dritë mbi plagë”, botuar nga Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, Gjenevë, 2020. Në ditët në vijim, duke nisur nga 13 nëntori, në gazetën “Epoka e re”, në portalin online të saj dhe në formatin Pdf po të saj, për çdo ditë do të botohen poezitë e autorëve të botuara në këtë përmbledhje)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
  Këshilli organizativ i fshatrave Krushë e Madhe dhe Krushë…