‘Dhimbjet s’i merrte askush’ del nga shtypi
Ka dalë nga shtypi libri me poezi Dhimbjet s’i merrte askush i Ramë Bashotës. Sipas botuesit, Berat Armagedonit, dhimbjet në këtë libër nuk janë dhimbje fizike, “por janë shpirtërore. Nuk janë vetëm të autorit, por janë të shokëve, të popullit e të kombit të tij. Meqë janë të tjetërllojta, të forta, të padurueshme, që s’u gjendet askund ilaç për shërim, s’i merr askush. I mbeten autorit, në mendje dhe gjuhë, që t’i trajtojë poetikisht, me varg të matur e me strofë klasike, edhe kur është larg vendlindjes, edhe kur është në truallin e familjes. Mbase ilaçi për shërim të dhimbjeve është shkrimi! Është poezia. Këtë dëshmi shërimi e solli Ramë Bashota në mesin tonë”.
Libri ka katër cikle, rreth 80 poezi.
Shënime për autorin
Ramë Bashota është nga Komuna e Klinës. Ka të kryer Shkollën e Lartë Pedagogjike në Gjakovë. Disa vjet ka punuar në arsim. Ka nisur të shkruajë e të botojë poezi që kur ka qenë nxënës në shkollën e mesme. Fati i tij, ashtu si krijimtaria e tij poetike, u përball me burgosje, me luftë dhe me djegie dorëshkrimesh në luftën e viteve 1998-’99 në Kosovë. Ky është libri i tij i dytë. Autori jeton dhe punon në Francë.