Dhjet vite nga vdekja e gazetarit dhe shkrimtarit Mehmet Haziri
Sot janë bërë 10-vjet nga vdekja e gazetarit dhe shkrimtarit Mehmet Haziri.
Në dhjet-vjetorin e vdekjes, Hazirin e kanë përkujtuar familjarë dhe miq.
Gazetari, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur, Mehmet Haziri, ka punuar si redaktor në ish- Radio Televizionin e Prishtinës (tash RTK).
Ka udhëhequr emisionin në gjuhën shqipe në Radio Kroaci, gjatë luftës në këtë vend, kurse nga viti 1993 deri më 1999 ka qenë koordinator i redaksisë së Radio Televizionit Shqiptar të Tiranës, në Prishtinë.
Në vitin 1995 është nderuar me çmimin “Gazetar i Vitit” nga Lidhja e Gazetarëve të Kosovës.
Haziri ka botuar libra për fëmijë, si “Ëndrra e Benit”, “Kur vjen gjyshi në qytet”, “Një pinguin në Dukagjin”, “Mos luaj me bisht” dhe “Lugina e mistereve”. Ka botuar edhe vëllimet me poezi për të rritur, “Shi pranvere në Tiranë” “Për dashurinë tënde”,si dhe romanet”Në fund të stinëve”Udhëtimi nëpër stuhi”, dhe “Stina e luftës”.
Haziri ka edhe dy dorëshkrime të pabotuara, që i shkroi në kohën kur ishte i sëmurë.
Kolegët dhe dëgjuesit e mbajnë mend për profesionalizmin dhe guximin e tij në raportimet për ngjarjet më të vështira të kohës.