Dhjetë ditë pa rezultat zgjedhor për partitë dhe kandidatët për deputetë

19 shkurt 2025 | 08:12

Kanë kaluar dhjetë ditë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, përderisa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka arritur t’i numëroj të gjitha votat për subjektet politike e as për kandidatët për deputetë.

Në ueb faqen e KQZ-së potencohet se deri më tani janë numëruar 99.72% të votave, pa i përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës, me ç’rast VV-ja ka fituar 40.84% të votave, PDK-ja 22.05%, LDK-ja 17.67% dhe AAK-ja 7.45%.

Vonimi i shpalljes së rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve  ka shkaktuar shqetësime të konsiderueshme në opinionin publik.

Problemet teknike gjatë procesit të numërimit të votave, përfshirë gabime në sistemet elektronike dhe vonesa në përpunimin e të dhënave, kanë shtuar dyshimet mbi transparencën dhe saktësinë e rezultatit përfundimtar.

Kjo ka krijuar një atmosferë pasigurie dhe ka ngritur pyetje për mundësinë e manipulimit të procesit zgjedhor, duke minuar besimin e qytetarëve në integritetin e zgjedhjeve.

Për ish-kreun e KQZ-së, qytetarët s’duhet të kenë vend për dyshime

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka folurr reth vonesës se publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke sqaruar se kjo është shkaktuar nga probleme teknike.

Megjithatë, Baraliu ka paralajmëruar se nuk dihet ende se sa do të zgjasë ky proces.

Ai ka siguruar opinionin publik se procesi zgjedhor nuk do të preket dhe se integriteti i tij është i garantuar.

“Kjo vonesë ndodhi për shkak të probleme teknike dhe kanë filluar të rikuperohen. KQZ ka filluar të bëjë verifikimin e rezultateve të votave të subjekteve politike në teren dhe numërimin për kandidatët për deputet. Kjo vonesë nuk dihet sa do të zgjasë. Nuk do të jetë i prekur dhe cenuar procesi i integritetit të procesit zgjedhor”, shprehet Baraliu.

Për herë të parë, ka shtuar Baraliu se mbikëqyrja është 100% teknike, duke eliminuar çdo mundësi për dyshime.

“Nuk  mund të ketë manipulime të votave kur kemi monitorime të pandërprerë nga kamerat se prania e vëzhguesve është aty. Për herë të parë është kjo mbikëqyrke 100% teknike, s’duhet të ketë dyshime nga askush”, deklaroi Baraliu per Frontonline

Të martën, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka folur edhe për hetimet që po ndodhin nga Prokuroria rreth dyshimeve të ngritura për parregullsi në zgjedhje dhe për problemet që kanë ndodhur me faqen e KQZ-së në natën e 9 shkurtit.

Elezi ka thënë se adresa për pyetje rreth hetimeve është Prokuroria e Shtetit dhe vetëm ata mund të flasin për procesin e hetimit, ndërkohë që ka shtuar se KQZ është e gatshme të ofrojë të gjitha materialet e nevojshme që i nevojiten Prokurorisë për hetimin.

“Është prokuroria që mund t’iu japë përgjigje për natyrën e hetimeve që është duke i zhvilluar. Ne si KQZ ofrojmë të gjitha materialet e nevojshme për hetimin”, ka thënë Elezi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Ben Blushi Europa është duke kapur një rekord të…