Dhjetë fjalët që pasqyrojnë ndryshimet që po ndodhin në botën përreth nesh
Nga: BBC (titulli: ‘Firkle’, ‘Gluschdich’ and more: 10 words we learned in 2024 that will expand your mind)
Nga fjalët që përshkruajnë kërkimin e drerëve për ushqim në Arktik, deri te shprehjet e reja që pasqyrojnë nuancat e ndryshimeve klimatike në mbarë botën, gjatë vitit 2024 kemi eksploruar mënyrën se si gjuhët mund të ndihmojnë mendjet tona të udhëtojnë dhe të depërtojnë thellë në kultura të tjera. Kemi mësuar për binjakët që shpikin gjuhë sekrete dhe për studiuesit që zbulojnë shkrime të humbura nga rrugët e vjetra tregtare. Kemi përvetësuar një fjalë nga amishët për dëshira të lehta ushqimore dhe kemi dëgjuar sesi studiuesit në Antarktik zhvillojnë zhargonin e tyre gjatë muajve të gjatë dhe të errët të izolimit.
Në botë ka mijëra gjuhë, dhe ende zbulohen të reja, përfshirë shkrime të humbura nga e kaluara antike. Sidoqoftë, sipas Institutit “Living Tongues” për Gjuhët e Rrezikuara, mbi tre mijë gjuhë janë tani të rrezikuara dhe në prag të zhdukjes. Mësimi, të folurit dhe shijimi i tyre mund t’i mbajnë ato gjallë për ne dhe për brezat e ardhshëm. Këtu janë disa nga shprehjet më intriguese që kemi mësuar nga gjuhët anembanë botës gjatë raportimeve tona në vitin 2024. Ato janë renditur alfabetikisht – klikoni mbi secilën fjalë për të lexuar historinë e plotë pas saj:
Ausgeapert (gjermanishtja alpine)
Një fjalë e vjetër e përdorur në disa zona gjermanishtfolëse në Alpe, që i referohet trupave ose artefakteve të lashta të ekspozuara nga shkrirja e akullnajave. Me efektet e ngrohjes globale, përdoret gjithashtu për të përshkruar pasojat e tërheqjes dramatike të akullnajave, të cilat po zbulojnë botë të humbura në malet e larta dhe po ndryshojnë kuptimin tonë për historinë në Alpe.
Që do të thotë “si je?”, kjo shprehje vjen nga një gjuhë e folur në ishullin Sark në Varësi të Kurorës Britanike, afër bregut francez. Kjo gjuhë ka vetëm tre folës vendas. Është një variant i vjetër i gjuhës normane, e cila u zhvillua kur vikingët norvegjezë u vendosën në atë që tani është Normandia në Francë dhe gjuha e tyre u bashkua me atë të popullatës lokale.
Ka diçka të veçantë në gjuhën e trashëgimisë sime, në gjuhën me të cilën më folën kur isha fëmijë – Rose Fisher.
Ealát (laponishtja veriore)
Një fjalë pothuajse e papërkthyeshme nga populli sami në Veri, e përdorur nga barinjtë e drerëve në Arktik, që i referohet kushteve të favorshme që u lejojnë drerëve të kërkojnë për likene të ushqyeshme nën dëborë.
Laponishtja e Veriut dhe dialektet e tjera të kësaj gjuhe lidhen ngushtë me mënyrën e jetesës së popullit autokton sami në Norvegji, Suedi, Finlandë dhe Rusi. Për shembull, ka më shumë se 300 fjalë të tyre për dëborën dhe shumë fjalë për lloje të ndryshme drerësh (përfshirë disa që përshkruajnë “drerë të frikësuar”). Sidoqoftë, gjuha po ndryshon, pasi disa fjalë të vjetra për motin, kafshët dhe dëborën nuk janë më të rëndësishme në klimën që po ndryshon shpejt në Arktik.
Firkle (anglishtja e Stacionit Kërkimor në Antarktik)
Një fjalë e përdorur nga studiuesit në Antarktik që nënkupton “të kërkosh diçka” ose “të rrish duke u marrë me diçka”. Të izoluar për gjashtë muaj, shkencëtarët në Stacionin Kërkimor “Rothera” në Ishullin Adëlejd të Antarktikut zhvilluan theksin dhe zhargonin e tyre. Studimi i këtyre ndryshimeve i ndihmoi gjuhëtarët të kuptojnë më mirë sesi evoluojnë gjuhët dhe modelet e të folurit njerëzor.
Në një shkallë më të gjerë, kjo gjithashtu ofron të dhëna për mënyrën se si variante si anglishtja britanike dhe ajo amerikane u ndanë.
“Donim të riprodhonim, sa më afër që mundeshim, atë që ndodhi kur anija ‘Mayflower’ shkoi në Amerikën e Veriut dhe njerëzit në bord u izoluan për një kohë të gjatë”, thotë Jonathan Harrington, profesor i fonetikës dhe përpunimit të të folurit në Universitetin “Ludwig-Maximilian” të Munihut. “Gjashtë muaj nuk është shumë kohë, prandaj pamë ndryshime shumë të vogla. Por, vumë re se disa zanore ishin zhvendosur”.
Gluschdich (gjermanishtja e Pensilvanisë)
Një fjalë që do të thotë: “Nuk jam i uritur, por më pëlqen të ha”! Gjermanishtja e Pensilvanisë është një gjuhë gjermanike që lindi mes kolonëve në ShBA në shekullin XVIII dhe tani përdoret kryesisht nga komunitetet fetare të amishëve dhe menonitëve. Pavarësisht se është kaq specifike për një kulturë, ajo lidhet gjithashtu me origjinën e një feste të dashur dhe të përhapur amerikane: Ditën e Marmotit (Groundhog Day), e quajtur “Grundsaudaag” në gjermanishten e Pensilvanisë.
Për shkak të rritjes së shpejtë të popullsisë amishe, gjuha në fakt është në lulëzim dhe po zhvillohet.
“Si gjuhëtare dhe entuziaste e gjuhëve, i dua të gjitha gjuhët. Por, ka diçka të veçantë te gjuha e trashëgimisë sime, ajo që më flitej kur isha fëmijë”, thotë Rose Fisher, kandidate për doktoraturë në gjuhësi gjermane dhe shkencën e gjuhës në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë, e cila u rrit në komunitetin amish në Kontenë e Lankasterit në Pensilvani.
Megjithëse tani jeton në një mjedis anglishtfolës, ajo shton: “Më pëlqen ta dëgjoj gjermanishten e Pensilvanisë të flitet përreth meje dhe shpresoj që një ditë të jem më shpesh mes saj dhe ta flas me më shumë lehtësi. Për mua, kjo do të thotë që jam në shtëpi”. Ajo veçanërisht pëlqen të përdorë fjalë nga gjuha e saj amtare që nuk ekzistojnë plotësisht në anglisht – si “gluschdich”.
Një shprehje që përçon gëzim. Gjuha patua e Xhamajkës, e njohur gjithashtu si gjuha kreole, lindi në Xhamajkë në shekullin XVII si një përzierje e dialekteve të anglishtes dhe gjuhëve të ndryshme afrikane. Sot ajo flitet gjithashtu në komunitetet e diasporës së Xhamajkës në mbarë botën, dhe të rinjtë po e rimarrin me krenari.
“Ka gëzim dhe eksitim kur një folës i gjuhës kreole takon një tjetër. Ata hyjnë në këtë hapësirë unike të mirëkuptimit të ndërsjellë”, thotë Shawna-Kaye Tucker, profesoreshë e gjuhësisë së aplikuar në Universitetin e Torontos në Kanada. Folësit e rinj gjithashtu po përziejnë këtë gjuhë me ndikime të tjera gjuhësore nga e gjithë bota, duke i shtuar zhvillimit të saj një ritëm më të shpejtë.
Një fjalë e ndërlikuar me disa kuptime, përfshirë një lloj marrëdhënieje të paracaktuar. Fjala është në qendër të filmit të nominuar për çmimin Oscar, Past Lives, nga Celine Song. Siç shprehet një nga personazhet: “Do të thotë providencë ose … fat. Por, lidhet posaçërisht me marrëdhëniet midis njerëzve. Mendoj se vjen nga budizmi dhe reinkarnimi. Është një inyeon nëse dy të huaj kalojnë pranë njëri-tjetrit në rrugë dhe rrobat e tyre preken aksidentalisht. Kjo do të thotë që mes tyre duhet të ketë pasur diçka në jetët e tyre të mëparshme”.
Kalo theke aalo (gjuha bengale)
Një frazë e krijuar për t’iu referuar një tranzicioni të duhur drejt energjisë së rinovueshme – që do të thotë, fjalë për fjalë, “nga errësira drejt shpresës”. Fjalët që lidhen me ndryshimet klimatike dhe përpjekjet për të ulur emetimet mund të jenë shumë të vështira për t’u përkthyer, pasi shpesh janë abstrakte ose metaforike. Por, përkthyes të specializuar po gjejnë mënyra krijuese për të shpikur terma kuptimplotë dhe për të ndihmuar negociatorët dhe komunitetet të ndërmarrin veprime kundër ngrohjes globale.
Që do të thotë “tornado” – fjalë për fjalë, “era e dragoit rrotullues”. Dragonjtë mitikë në kultura të ndryshme dhe fjalët e shprehjet rreth tyre zbulojnë mënyrat sesi njerëzit në mbarë botën janë përpjekur të kuptojnë botën natyrore, kafshët e egra dhe fenomenet natyrore. Përmes tyre, ata kanë kërkuar të gjejnë kuptim për vendin e tyre në univers.
Pura vida (spanjishtja e Kosta Rikës)
Fjalë për fjalë, “jeta e pastër”, kjo shprehje i referohet një ndjenje optimizmi dhe një këndvështrimi unikisht pozitiv ndaj jetës. “Është absolutisht pjesë e etosit dhe identitetit kostarikan”, thotë Víctor Sánchez, profesor i gjuhësisë në Universitetin e Kosta Rikës. Kuptimi i saj ka evoluar me kalimin e kohës dhe tani përcjell një ndjenjë mirënjohjeje – që edhe kur përballeni me vështirësi, mund të gjeni arsye për të qenë mirënjohës dhe të shihni anën pozitive të gjërave. /Telegrafi/