Dhjetë të vrarë nga një sulm i talibanëve në Afganistan
Të paktën dhjetë persona janë vrarë në dy incidente të ndara në provincat Ghazni dhe Zabul të Afganistanit, kanë njoftuar sot zyrtarët afganë.
“Fatkeqësisht, tetë policë janë vrarë dhe një është plagosur”, ka thënë Arif Noori, zëdhënës i guvernatorit provincial, pasi një numër i madh i militantëve talibanë sulmuan një pikë-kontrolli policor në qarkun Deh Yak në provincën Ghazni.
Forcat e sigurisë gjithashtu kanë raportuar për përleshje të armatosura me kryengritës, por nuk kanë dhënë numrin e saktë të të vrarëve apo të plagosurve.
Zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, në llogarinë e vet në “Twitter”, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se militantët kishin arrestuar policët lokalë dhe kanë vrarë nëntë të tjerë, raporton “Rel”.
Ndërsa dy civilë janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një bombe në qarkun Sewray në provincën Zabul, ka njoftuar Gul Islam Sial, zëdhënës i guvernatorit provincial.
Më 20 shkurt, të paktën 26 policë afganë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, pasi talibanët sulmuan një pikë-kontrolli të Policisë në provincat Farah dhe Helmand.