Dhjetë vjet pas Pavarësisë, Kosova përballet me sfida të shumta
Republika e Kosovës gjatë dhjetë viteve si shtet ka shënuar progres por ka edhe shumë sfida para vetës.
Kështu është thënë në konferencën ndërkombëtare “Festimi i dhjetëvjetorit të pavarësisë: Arritjet dhe aspiratat”, e cila është organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Rejhan Vuniqi, zëvendësministre e MPJ-së, ka thënë se institucionet e vendit po punojnë që të zhvillohen shumë fusha të qeverisjes së brendshme.
Ndërsa Abdulselami Shkodra, zëvendësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ka thënë se 10-vjetori i Pavarësisë e gjen shtetin e Kosovës në një pamje të larmishme sa i përket të arriturave dhe sfidave me të cilat aktualisht përballet.
Ai ka thënë se përgjatë dhjetë viteve Kosova është anëtarësuar në shumë organizata dhe se ka dëshmuar se është shtet i përgjegjshëm.
Në anën tjetër, zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, ka thënë se Kosova nuk synon që të jetë ushtarakisht neutrale dhe se transformimi i FSK-së në Forcë të Armatosur duhet të shërbejë një hap më tutje në rrugën drejt NATO-s.