Dhjetëra avionë amerikanë, francezë, egjiptianë dhe grekë ‘rrethojnë’ Turqinë
Dhjetëra anije dhe avionë, dronë të armatosur apo thjesht për vëzhgim, një aeroplanmbajtëse si edhe mijëra ushtarë do të gjenden gjatë ditëve në vijim në një zonë të ngushtë si Egjeu duke krijuar një klimë lufte në zonë.
Turqia i është përgjigjur manovrave ushtarake mes grekëve dhe amerikanëve në Aleksandropulos duke dërguar në Egje plot 28 anije ushtarake, 27 avionë “F-16”, disa avionë “F-4” si edhe një numër të madh ushtarësh që do të kryerjnë stërvitjen “Atdheu Blu”.
Ndërkohë, pak milje më sipër, pikërisht në rrethinat e qytetit grek të Alksandropulosit, vetëm 20 kilometra nga kufiri turk, do të pozicionohen 146 helikopterë amerikanë, disa anije, dhjetra tanke grekë si edhe mijëra ushtarë në kuadër të stërvitjes së madhe të “Europe Defender 2021”.
Kjo stërvitje është parë si presion ndaj Turqisë prej amerikanëve pasi kjo e fundit bleu dhe refuzon të mos përdorë raketat ruse “S-400”.
Por nuk ka mbaruar me kaq, përreth Kretës pritet pozicionimi i aeroplanmbajtëses franceze “Charles de Gaulle” bashkë me disa anije të tjera, e cila do të kryejë manovra ushtarake me marinën greke.
Këtyre manovrave do t’i bashkohet edhe marina egjiptiane pak më në jug duke formuar kështu një mur të NATO-s bashkë me Egjiptin përballë Turqisë, e cila së fundi është kthyer në një aleat të pabesueshëm për Perëndimin pas raporteve të ngushta me Rusinë.
E gjithë situata e krijuar është duke u raportuar me tituj bombastikë në mediat turke. “Për çfarë është kjo përgatitje”, ka shkruar media proqeveritare turke “Yeni Safak” duke publikuar pamje nga stërvitja greko-amerikane në Aleksandropulos, ndërkohë që “Hurriyet” ka shkruar: “Amerikanët zbarkojnë në Aleksandropulos”.