Dhjetëra persona plagosen në protestat kundër qeverisë në Bejrut
Pjesëtarë të policisë dhe protestues kundër qeverisë janë përleshur për të dytën ditë me radhë në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, duke lënë dhjetëra persona të plagosur.
Protestuesit kanë hedhur shishe dhe mjete shpërthyese kundër zyrtarëve policorë, të cilët janë përgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji.
Ndërkohë, ministrja e Brendshme, Raya el-Hassan, ka urdhëruar nisjen e hetimeve rreth veprimeve të forcave të sigurisë për të shtypur protestat, duke lënë dhjetëra persona të lënduar.
Protestat kundër qeverisë dhe keqmenaxhimit të ekonomisë në Liban kanë nisur në muajin tetor.
Protestuesit janë të zemëruar meqë konsiderojnë se liderët e këtij shteti kanë dështuar të mbajnë ekonomi stabile, kanë rritur çmimet, ka papunësi të lartë dhe korrupsion.
Këto përleshje janë ndër më të rëndat prej kur kanë nisur protestat paqësore në këtë vend. Këto organizime kanë rezultuar me largimin e Saad al-Hairirit nga pozita e kryeministrit, mirëpo bisedimet për formim të qeverisë së re janë bllokuar.
Të hënën, parlamenti i Libanit pritet të shqyrtojë mundësinë e nominimit të kryeministrit të ri, duke mos përjashtuar mundësinë që Hariri të kthehet në këtë pozitë.
Në mesin e kërkesave kryesore të protestuesve janë: dhënia fund e korrupsionit qeveritar, ristrukturim i sistemit politik dhe formimi i një kabineti të pavarur.