Dhjetëra të arrestuar në protestat në Turqi
Dhjetëra protestues janë arrestuar nga policia në Stamboll të Turqisë, gjatë protestës kundër rritjes së inflacionit, që është mbajtur më 1 maj.
Televizionet lokale në Turqi kanë shfaqur pamje të policëve duke u përleshur me protestuesit në sheshin Taksim dhe duke i prangosur disa prej tyre.
Agjencia e lajmeve “Demiroren” ka raportuar se 30 persona po ashtu janë arrestuar në qarkun Beshiktash të Stambollit dhe 22 të tjerë në qarkul Sisli, shkruan “Rel”.
Zyra e guvernatorit të Stambollit ka thënë se në total 164 persona janë arrestuar për “protesta të paligjshme”.
Për shkak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe rritjes globale të çmimeve, niveli i inflacionit vjetor në Turqi në prill ishte 68 për qind, raportoi “Reuters”, nga 61 për qind sa ishte në mars.
Kreu i Konfederatës të Punëtorëve në Turqi, Ergun Atalay, u ka thënë protestuesve në sheshin Taksim, se paga minimale duhet të ndryshojë, në mënyrë që të përkojë edhe me rritjen e çmimeve.