Dhjetëra të vdekur nga zjarri në një dyqan në Kinë
Së paku 39 persona raportohet ta kenë humbur jetën pas shpërthimit të një zjarri në një dyqan në provincën lindore kineze, Jiangxi.
Sipas raportimeve të mediave, zjarri nisi të mërkurën pasdite sipas kohës lokale në bodrumin e një ndërtese në qytetin Xinyu, raporton televizioni “BBC”.
Dhjetëra punëtorë të shërbimit emergjent janë dërguar në vendin e ngjarjes dhe përpjekjet për shpëtim janë duke u zhvilluar.
Thuhet se, përpos të vdekurve, disa njerëz kanë pësuar lëndime në këtë rast.
Në pamje të publikuara në internet nga gazeta kineze në gjuhën angleze, “Global Times”, shihet tymi duke dalë nga ndërtesa dhe njerëz duke kërcyer nga dritaret. Videot nuk janë vërtetuar nga BBC-ja.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje për një hetim për shkaktarin e zjarrit dhe për “frenim të vendosur” të incidenteve të tilla në vend.
Zjarri i së mërkurës ndodhi pas vdekjes së 13 fëmijëve nga zjarri në një konvikt për nxënës në provincën qendrore, Henan.