Dhjetëra të vrarë nga shpërthimi i dhunës mes fiseve në Papua Guinea e Re
Fëmijë dhe gra shtatzëna janë në mesin e atyre që janë vrarë, në dhunën e fundit mes fiseve në Papua Guinea e Re.
Të paktën 24 persona konfirmohet se kanë vdekur, në një shpërthim të dhunës midis fiseve rivale, gjatë disa ditëve të kaluara, në provincën Hela.
Disa raporte kanë thënë se numri i vdekjeve është më i madh.
Kryeministri i Papua Guinesë së Re, James Marape, e ka quajtur ngjarjen si “një nga ditët më të trishta të jetës së tij”, duke premtuar se autoritetet do të gjurmojnë autorët e masakrës.
Ky është një nga shpërthimet më të rënda të dhunës fisnore në këtë vend, për vite me radhë.
Motivi për vrasjet ende nuk dihet. Megjithatë, për më shumë se 20 vjet, në rajon kanë ndodhur përplasje nga disa klane.
Provincat Malore të Papua Guinesë së Re janë shumë të largëta, raporton “Rel”.
Komunitetet jetojnë ende të bazuar në traditat fisnore, dhe shumë fshatra të vegjël nuk kanë pasur kurrë lidhje rrugore.
Përleshjet midis fiseve nuk janë të pazakonta, me rivalitetet shpesh të nxitura nga përdhunimet ose vjedhjet, apo edhe mosmarrëveshjet mbi kufijtë fisnorë.
Gjatë viteve të fundit, qarkullimi më i madh i armëve automatike, ka bërë që përleshjet të jenë më vdekjeprurëse, dhe të përshkallëzohet cikli i dhunës.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Papua Guinea e Re është ndër vendet më të varfra të Azisë me rreth 40 për qind të popullsisë që jeton më pak se 1 dollar në ditë.