Dhjetëra të vrarë nga sulmi në një qendër emigrantësh në Libi
Së paku 40 njerëz u vranë nga një sulm ajror që goditi një qendër të ndalimit të emigrantëve në Libi, njoftuan zyrtarët.
Rreth 80 të tjerë janë raportuar të plagosur në shpërthimin që ndodhi në një objekt në periferi të kryeqytetit Tripoli.
Shumica e të vrarëve raportohet të jenë emigrantë afrikanë.
Qeveria me bazë në Tripoli e fajësoi të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar, për sulmin.
Qeveria kërkoi nga Kombet e Bashkuara të krijojë një komision faktmbledhës për të hetuar sulmin.
Gjenerali Haftar po lufton qeverinë në Tripoli, të mbështetur ndërkombëtarisht, qysh në muajin prill.
Një zëdhënës i tij i ka thënë për agjencinë e lajmeve “Reuters” se forcat e Haftarit nuk e kanë goditur qendrën e emigrantëve.
Agjencia e OKB-së për refugjatë tha se është “jashtëzakonisht e shqetësuar” nga raportet për sulm në qendrën e emigrantëve.
Në vitet e fundit, Libia ka qenë një rrugë kryesore për emigrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë.
Ky vend është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i tij veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.