Avokati i Popullit konsiderohet si institucioni më i besuar në vend
Institucioni i Avokatit të Popullit me rastin e shënimit të 19-vjetorit të themelimit të tij ka marrë lëvdata të shumta për punën e bërë ndër vite, derisa për të është thënë se është institucioni më i besueshëm në Kosovë dhe rajon.
Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se institucioni që drejton fal përvojës 19-vjeçare ka arritur që të shndërrohet në institucionin më të besuar në vend dhe Ballkan.
Sipas tij, ky institucion do të vazhdojë të trajtojë sfidat që lidhen më të drejtat e njeriut e për të cilat ka hartuar edhe plane e strategji që kjo betejë të kalojë me sukses.
Ndërsa kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama, ka thënë se ky institucion përmes inicimit të rasteve të ndryshme ka ndihmuar në zbatimin e kushtetutshmërisë në vend.
Sipas saj, Avokati i Popullit dhe Gjykata Kushtetuese janë universe paralele që garantojnë të drejtat e njeriut.
Lëvdata për punën e ka bërë institucioni i Avokatit të Popullit për 19 vite ka shprehur edhe përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Richardo Serri. Ai ka thënë se Avokati i Popullit në Kosovë është ndër institucionet më të besueshme jo vetëm në vend, por edhe më gjerë.
Në anën tjetër, shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se Kosova duhet të festojë që Avokati i Popullit në Kosovë është funksional dhe i pavarur.