Dhoma e Përfaqësuesve të ShBA-së voton për sanksionimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale
Dhoma e Përfaqësuesve të ShBA-së ka votuar për sanksionimin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për të protestuar ndaj lëshimit të urdhërarrestit për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes për fushatën e Izraelit në Gaza.
Votimi ishte 243 me 140 në favor të “Aktit të Kundërveprimit të Gjykatave të Paligjshme”, i cili do të sanksiononte çdo të huaj që heton, arreston, ndalon ose ndjek penalisht shtetasit amerikanë ose ata të një vendi aleat, përfshirë Izraelin, të cilët nuk janë anëtarë të gjykatës.
Bëhet me dije se 45 demokratë iu bashkuan 198 republikanëve në mbështetjen e projektligjit.
Ndërsa asnjë republikan nuk votoi kundër, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
“Amerika po e miraton këtë ligj sepse një gjykatë po kërkon të arrestojë kryeministrin e aleatit tonë të madh, Izraelit”, tha përfaqësuesi Brian Mast, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, në një fjalim para votimit.
Raportohet se votimi thekson mbështetjen e fortë midis republikanëve të presidentit të zgjedhur Donald Trump për qeverinë e Izraelit, tani që ata kontrollojnë të dy dhomat në Kongres.
Ndryshe, Trump do të betohet më 20 janar për një mandat të dytë si president.
Udhëheqësi i ri i shumicës republikane i Senatit, John Thune, ka premtuar shqyrtim të shpejtë të aktit në dhomën e tij, në mënyrë që Trump të mund ta nënshkruajë atë në ligj menjëherë pas marrjes së detyrës.
ICC është një gjykatë e përhershme që mund të ndjekë penalisht individë për krime lufte, krime kundër njerëzimit, gjenocid dhe krim agresioni në shtetet anëtare ose nga shtetasit e tyre.