Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme lejon përmbylljen e procesit të likuidimit për KB ‘Përlepnica’
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka njoftuar se ka pranuar një aktvendim të lëshuar nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës (DhPGjSK) me të cilën lejohet përmbyllja e procesit të likuidimit për GJI019 Kooperativa Bujqësore “Përlepnica” me seli në Përlepnicë – Gjilan.
Agjencia, në pajtim me Ligjin, më parë ka parashtruar kërkesë në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për aprovim të raportit përfundimtar dhe rrjedhimisht lejimin e mbylljes së procesit të likuidimit për këtë KB, ndërsa Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës përmes këtij aktvendimi e ka aprovuar këtë raport përfundimtar dhe ka dhënë leje për mbylljen e procesit të likuidimit për KB-në e lartcekur.
“Si rrjedhojë pas aktvendimit të fundit të DhPGjSK-së numri i NSh-ve për të cilat deri më tani është përmbyllur procesi i likuidimit në tërësi ka arritur në 32 NSh. Njëkohësisht, Gjykata ka caktuar një afat prej 21 ditësh për ndonjë ankesë eventuale ndaj këtij Aktvendimi dhe pas kalimit të këtij afati ky Aktvendim bëhet i plotfuqishëm dhe njoftimet për përmbyllje të likuidimit për këtë subjekt Agjencia Kosovare e Privatizimit do t’ia dërgoj institucioneve relevante ashtu siç parashihet me Ligjin e AKP-së”, është thënë në njoftimin e AKP-së.
Pas kalimit të afatit ligjor të ankesave, raporti përfundimtar do të postohet në uebfaqen zyrtare të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (www.pak-ks.org).
/Epoka e re/