Dhomat e Specializuara vazhdojnë t’i shkelin të drejtat e njeriut!
Reagim i KMDLNj-së
Më 5 nëntor 2020 Dhomat e Specializuara arrestuan Hashim Thaçin, ish-president i Kosovës, Jakup Krasniqin, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe u.d. i presidentit të Kosovës, Kadri Veselin, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës dhe kryetar i PDK-së si dhe Rexhep Selimin, ish-kryetar i Grupit Parlamentar të LV-së. Që të gjithë ishin themelues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më herët ishte arrestuar Salih Mustafa-Cali, ish-udhëheqës i BIA-së gjatë luftës kurse më vonë u arrestuan Hysni Gucati, kryetar i OVL-së së UÇK-së dhe Nasim Haradinaj, zëvendëskryetar i OVL-së së UÇK-së. I fundit që u arrestua ishte Pjetër Shala, ish-ushtar i UÇK-së. Kundër Salih Mustafës-Calit, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në afat të arsyeshëm kishin përfunduar hetimet dhe procesi gjyqësor është duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë.
Ndaj tyre kemi të bëjmë me shkelje flagrante të përdorimit të gjuhës zyrtare në Kosovë e që është edhe gjuha amtare e të akuzuarve – gjuha shqipe për faktin se edhe konfirmimi i aktakuzës ishte përkthyer vetëm pjesërisht në gjuhën shqipe që e vështirëson përgatitjen e mbrojtjes. Ndaj tyre kishte shkelje të drejtave të njeriut edhe gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore si dhe mospajisja me kohë me viza afatgjata e në një rast një familjari i ishte refuzuar viza hyrëse duke e bërë të pamundur vizitën familjare. KMDLNj nuk e komenton fajësinë apo pafajësinë e të akuzuarve për faktin se kjo vërtetohet apo mohohet me një vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
KMDLNj përcjellë me shumë kujdes respektimin apo shkeljen e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria, tash të paraburgosur në Njësinë e Paraburgimit të Gjykatës Speciale në Hagë, si conditio sine qua non – kusht i domosdoshëm për një proces gjyqësor të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar politikisht e që në rastin konkret lë shumë për të dëshiruar, që nga çasti i arrestimit e deri më tani!
Shkelja e parë, ende pa filluar mirë procesi ishte bërë kur para një arrestimi të ngutshëm ishin bërë publik vetëm emrat e të arrestuarve me një arsyetim se ndonëse ishte e kundërligjshme, ishin të detyruar ta bëjnë publik këtë listë të ngushtë sepse të arrestuari paskan bërë përpjekje të vazhdueshme për pengimin e punës së Gjykatës Speciale dhe paskan bërë, gjithashtu përpjeke për zhbërjen e saj. Ky ishte rasti i parë që ishte vepruar në këtë mënyrë e që më parë nuk e kishte bërë asnjë Gjykatë Ndërkombëtare për Krime Lufte e që ishte paragjykim i orkestruar me qëllim të prezumimit të pafajësisë. Bastisjet dhe sjellja gjatë bastisjeve ishte në kundërshtim me të drejtat e njeriut sidomos në rastin e Jakup Krasniqit dhe veteranëve të OVL-së së UÇK-së. Versioni i shkurtër i konfirmimit të aktakuzës ishte dorëzuar kryesisht në gjuhën angleze që është gjuhë e punës së GJS-së por jo edhe gjuhë zyrtare në Kosovë.
Neglizhenca për përkthim të tërësishëm të materialeve e vë në pozitë të pabarabartë të akuzuarin duke ia dobësuar cilësinë e mbrojtjes. Deri më tani, përveç premtimeve se po punohet në përkthim të materialeve, nuk ka asnjë përparim që siguron se kjo do të përmbushet ashtu si e parasheh Ligji për Përdorim të Gjuhëve Zyrtare në Kosovë.
Në njërën nga seancat e para dëgjimore, Zyra e Prokurorit të Specializuar vëri nën presion të akuzuarit dhe mbrojtësit duke deklaruar se gjykimi duhet të fillojë në shtator të vitit 2021 në ndërkohë që po kjo zyre, në mungesë të provave vazhdimisht kërkon shtyrje të afateve për dorëzimin e dosjeve paraprake të Prokurorisë duke premtuar se këtë do ta bëjë deri më 17 dhjetor 2021 duke e penguar mbrojtjen (për shkak të mungesës së dosjes paraprake), ta përgatisë mbrojtjen efektive.
Luajtja me afate e ZPS-së për dorëzimin e dosjes paraprake e ka zgjatur kohën e paraburgimit përtej afateve të arsyeshme. Deklaratat publike të prokurorit të ZPS-së se një apo më shumë i akuzuar mund të dënohen me burgim të përjetshëm është ndërhyrje dhe presion në punën e GJS-së për faktin se e prezumon pafajësinë. Sipas legjislacionit në fuqi dhe ligjeve më të favorshme për të akuzuarit në kohën kur dyshohen se kanë bërë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, dënimi maksimal që mund të shqiptohet është 20 vjet. Së paku kështu është vepruar në Kosovë e GJS-së që është pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, qoftë edhe formalisht. Shkarkimi apo zëvendësimi i një gjykatësi të GJS-së sepse ka lënë mundësinë që masa e paraburgimit mund të zëvendësohet me një masë tjetër në rast se një shtet i tretë jep garanci ka ndikuar që të pamundësohet zbatimi i kësaj mase duke ua vazhduar paraburgimin në Njësinë e Paraburgimit në Hagë.
Hezitimi apo mosdashja e gjykatësit të procedurës paraprake, Nikolas Giju të kërkojë nga Policia e Kosovës dhënien e garancive që të sigurojë kapacitete në rast të lirimit të përkohshëm deri sa u urdhërua, pas miratimit të ankimimit të palës mbrojtëse, nga Dhoma e Apelit e Gjykatës Speciale gjithashtu shkel të drejtat e garantuara nga Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut e Kombeve të Bashkuara, KEDNJ dhe Kushtetutës së Kosovës mbi tejkalimin e një paraburgimi përtej kohës së arsyeshme e që në rastin konkret e pohoi edhe kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trandafilove kur deklaroi se: “mbajtja në paraburgim më shumë se një (1) vjet është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Kjo nënkupton qartazi se kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria përmes zgjatjes së paraburgimit përtej afateve të arsyeshme. Gjithashtu, edhe largimi i shefit të Hetuesisë së ZPS-së është një tregues se, për shkak të përgjegjësisë morale eventualisht edhe po ndodhë ky largim. KMDLNj e konsideron se ndaj të paraburgosurve, shtetas të Kosovës e që janë në Njësinë e Paraburgimit në Hagë ka shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, një pjesë e të cilave u listua më lartë.
Në këtë kontekst, KMDLNj konsideron se janë krijuar të gjitha kushtet që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës të kërkojnë ta shqyrtojnë mandatin e kësaj Gjykate Speciale e cila ishte themeluar me votën e deputetëve të Kuvendit, jo me qëllim të ndërhyrjes apo pengimit të drejtësisë por me qëllim që të mbrohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria të cilat janë të garantuara me aktin më të lartë juridik të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës. Kërkesa për rishqyrtim të mandatit të Gjykatës Speciale nuk mund të merret si kërkesë për zhbërje të kësaj gjykate por angazhim që ndikon në respektimin e të drejtave të njeriut të shtetasve të Kosovës, tash të paraburgosur, ngritjen e transparencës dhe llogaridhënies që është në pikën më të ulët dhe krijimin e kushteve për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm! Të gjitha këto që po i kërkon KMDLNj janë të garantuara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e personave të privuar nga liria, në veçanti!
Deri atëherë, KMDLNj fton organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta bëjnë monitorimin efektiv të proceseve gjyqësore para Gjykatës Speciale në Hagë në mënyrë që të ndërpritet me shkeljen evidente të të drejtave të njeriut të personave të paraburgosur.
Zgjatja përtej arsyes e masës së paraburgimit përveç se e tregon dhe e dëshmon joseriozitetin e ZPS -së, i zbehë provat duke i bërë ato të pabesueshme ose më pak të besueshme, dëmton të drejtat e viktimave për të siguruar drejtësi sikur që ua shkel të drejtat e njeriut personave të paraburgosur. Është formuar një qark i mbyllur ku dihet kur ka filluar procesi por nuk dihet edhe kur do të përfundojë!