Dhuna e juntës nuk ndalet në Mianmar, por as protestat

29 mars 2021 | 14:16

Forcat e sigurisë në Mianmar (Birmani) kanë vrarë një burrë, pasi mijëra persona kanë vazhduar protestat në rrugët e qyteteve më 29 mars.

“Ai u qëllua në kokë”, ka bërë me dije një dëshmitar për “Reuters”.

Mediet kanë njoftuar se edhe disa njerëz të tjerë janë plagosur kur forcat e sigurisë kanë qëlluar në drejtim të protestuesve.

Sipas Shoqatës për Ndihmë ndaj të Burgosurve Politikë, 460 civilë janë vrarë që nga grushti i shtetit më 1 shkurt, i cili ka rrëzuar nga pushteti udhëheqësen civile, Aung San Suu Kyi.

Më shumë se 100 vdekje janë raportuar vetëm më 27 mars, duke përfshirë disa fëmijë dhe adoleshentë. Kjo ishte dita më e përgjakshme që kur nisën protestat kundër grusht shtetit.

Pavarësisht dhunës, protestuesit po vazhdojnë të qëndrojnë në rrugë.

Mbi 2 600 njerëz janë arrestuar gjatë shtypjes së protestuesve, të cilët kërkojnë kthimin e demokracisë në vend. Suu Kyi dhe udhëheqës të tjerë është duke u mbajtur në paraburgim.

Udhëheqësit e ushtrisë të cilët e kanë realizuar grusht-shtetin nuk janë duke u tërhequr, pavarësisht kritikave ndërkombëtare dhe sanksioneve perëndimore.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj protestuesve.

Në lindje të Mianmarit, gjatë fundjavës kanë filluar përleshjet midis forcave të sigurisë dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare Karen, e cila është duke luftuar për një autonomi më të madhe për popullin etnik Karen.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aktori i njohur Çun Lajçi është infektuar me koronavirus, ndërkohë…