Dhuna ndaj gazetarëve në botë shënon rritje gjatë këtij viti
Vrasja e kolumnistit saudit, Jamal Khashoggi, në një vit kur më shumë se gjysma e të gjithë gazetarëve të vrarë, ishin shënjestruar qëllimisht, pasqyron urrejtjen ndaj medieve në shumë zona të shoqërisë, ka thënë organizata “Reporterët pa kufij”.
Gjatë vitit 2018, të paktën 63 gazetarë profesionistë në mbarë botën janë vrarë duke e bërë punën e tyre, një rritje kjo prej 15 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
“Urrejtja që shprehet ndaj gazetarëve nga politikanë të paskrupullt, udhëheqës fetarë dhe biznesmenë, ka pasoja tragjike në terren, si dhe ka ndikuar në rritjen shqetësuese të numrit të rasteve të dhunës ndaj gazetarëve” ka thënë në deklaratë sekretari i përgjithshëm i “Reporterëve pa kufij”, Christophe Deloire.
Organizata për lirinë e medies ka thënë se 348 gazetarë janë arrestuar në mbarë botën, krahasuar me 326 në vitin 2017. Kina, Turqia, Irani, Arabia Saudite dhe Egjipti mbajnë më shumë se gjysmën e gazetarëve të burgosur në botë. /Rel/