Dhuna ndaj gjyqtarit, FSHF-ja mendon të ndërpresë kampionatin
Federata Shqiptare e Futbollit e ka dënuar ashpër dhunën në Kamzë, ku në mes të fushës rrihet barbarisht gjyqtari i FIFA-s, Eldorjan Hamiti.
FSHF-ja me anë të një komunikate zyrtare kërkon që të vihen para drejtësisë të gjithë autorët e nxitësit e tyre për këtë dhunë. Jo vetëm kaq, por Federata sërish e ka quajtur të nxituar vendimin e policisë për të braktisur futbollin, si dhe ka kërkuar që uniformat blu të kthehen në stadium.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Ilir Shulku doli të hënën në një konferencë për shtyp pas dhunës ndaj gjyqtarit Eldorjan Hamiti në takimin Kamza-Laçi. Ai akuzoi Policinë e Shtetit se nuk ka reaguar ndaj këtij incidenti.
“Policia nuk ka reaguar në lidhje me incidentet në stadiumet shqiptare, edhe pas reagimeve të FSHF. Kemi kërkuar ndërhyrjen e policisë pas ndeshjes së parë, ku luhej Skënderbeu dhe Partizani. Diçka e tillë ndodhi edhe javën e kaluar edhe ku u godit fotografi i Flamurtarit nga tifozët e Partizanit. Edhe media e ka kërkuar diçka të tillë, por asnjë reagim nga shteti. Kush do i mbrojë lekët e këtyre presidentëve? Nuk është marrë asnjë masë nga organet shtetërore. Në ndeshjen e fundit, u bë një ‘show’ nga ana e policisë, por tifozët u futën në fushë, duke takuar lojtarët e tyre”, deklaroi Shulku.
“Tani lind pyetja, është i interesuar shteti dhe policia, që futbolli të vazhdojë punën në kushte normale? Në këto kushte është e vështirë të vazhdohet”, ka shtuar Shulku.