Dhuna në familje, shqetësues numri i vogël i kallëzimeve penale
Institucionet e drejtësisë po bëjnë pak në trajtimin e dhunës fizike dhe seksuale. Si rrjedhojë, edhe kërkesat për paraburgim në rastet e dhunës janë shumë të ulëta. Nga 2959 raste sa ka pasur kallëzime penale në vitin 2016, prokuroria ka bërë vetëm 84 kërkesa për paraburgim, në vitin 2017 vetëm 115 raste, si dhe në gjysmën e parë të vitit 2018, paraburgimi është kërkuar vetëm në 69 raste.
Kështu ka thënë Ariana Qosaj-Mustafa nga KIPRED-i me rastin e prezantimit të një raporti të përbashkët me GLPS-në dhe Artpolis-in, para komisionit për Legjislacion, ku është diskutuar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë përmes shoqërisë civile aktive.
Ajo ka thënë se ka mungesë serioziteti nga ana e institucioneve të drejtësisë për t’i trajtuar rastet e dhunës fizike dhe seksuale, pasi sipas saj, në rastet e ngacmimeve seksuale, rastet e dhunimeve, por edhe ato të LGBTI-së, në sistemin e drejtësisë nuk ekzistojnë procedura standarde të veprimit
Ndërsa, kryetarja Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet një bashkërendim i Kuvendit dhe shoqërisë civile për të zgjidhur problemet e adresuara sot.
Në anën tjetër, deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se nuk është duke u bërë mjaftueshëm as në edukimin arsimor, ku sipas tij, dhuna duhet të ndalet së pari aty.
Më tutje, deputeti nga radhët e PDK-s, Hajdar Beqa, ka thënë se institucionet gjegjëse duhet të marrin vendimin e drejtë. Ai ka thënë se ka raste kur viktima është burri. Kurse sa i përket Konventës së Stambollit, Beqa ka thënë se ajo e ka koston e vet. Sipas tij, mund të jetë problem votimi i saj në seancë për shkak të Listës Serbe, pasi për votimin e saj duhen 2/3 e votave. /KosovaPress/