Dhuna në Kuvend, në mediet më të njohura ndërkombëtare
Mediet më të njohura botërore dje e kanë vendosur Kosovën në ballinat e tyre jo për ndonjë ngjarje pozitive.
Rrahja dhe dhuna e djeshme në Kuvendin e Kosovës e ka bërë “horë” shtetin në sytë e medieve të huaja.
BBC i ka kushtuar një artikull asaj që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës, duke shpjeguar se rrahja me grushte ndodhi për shkak të hedhjes së ujit mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në artikullin e BBC-së shkruhet se “kjo ndodhi pas një debati të tensionuar treditor rreth trazirave në veri të Kosovës”.
“Kryeministri Kurti po i drejtohej sallës kur shpërthyen emocionet. Një fotografi e tij u gris dhe më pas filluan rrahjet”.
Edhe The Gurdian i ka kushtuar një artikull të tillë Kosovës, ku ka treguar për rrahjet në Kuvend dhe ka përshkruar ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në Kosovë.
Kosova u bë “gaz i botës” edhe në ballinën e medias CBC NEWS që i kushtoi një artikull rrahjes së djeshme në Kuvendin e Kosovës.
Edhe media e njohur Reuters dhe shumë të tjera kanë paraqitur edhe vizualisht atë çfarë ka ndodhur dje në Kuvend.