Dhuna në veri, Kurti akuzon prokuronin për pasivitet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar Prokurorinë e Shtetit për pasivitet sa i përket ngjarjeve të fundit në veri të Republikës së Kosovës.
Kurti ka thënë se njëjtë sikur në rastin e barrikadave që kanë ndodhur në dhjetorin e vitit të kaluar, “prokuroria s’ka marrë asnjë veprim edhe përkundër gjithë fotografive, videove e emrave të personave që kanë kryer krime gjatë 26 dhe 29 majit”.
Kurti ka thënë se këto grupe kriminale duhet të largohen, meqë shumë prej tyre janë nga Serbia dhe se vijnë në Kosovë me synim të destabilizimit.
“Grupet kriminale duhet të largohen sepse ka prej tyre që janë shumë nga Serbia, s’janë as të Kosovës. Vijnë në Kosovë që të tentojnë destabilizimin. Largimi i tyre nga Kosova është kontribut për stabilitet. Natyrisht ata që kanë bërë krime duhet të përballen me drejtësinë. Dhe në këtë rast unë nuk e kuptoj Prokurorinë e Shtetit. Nuk e kuptoj se si është e mundur që përkundër gjithë atyre fotografive e video xhirimeve të shkeljes së ligjit e të krimeve, e të denoncimit me emër e mbiemër të gjithë atyre personave, s’ka veprime nga prokuroria jonë. Është përsëritje e situatës së dhjetorit ë vitit të kaluar, ku 16 barrikada qëndruan për tri javë ditë, asnjë aktakuzë. Tash sërish për 26 dhe 29 maj, nuk shohim veprime të prokurorisë. Për mua mbetet e pakuptimtë se si është e mundur që të ketë kësi pasiviteti të Prokurorisë së Shtetit, përkundër krimeve dhe shkeljeve që janë kryer. Nuk bëhet fjalë për njerëz që s’njihen, por që njihen nga sistemi i drejtësisë, sepse kanë qenë në burg më herët”, ka thënë Kurti.