Dhurata e ShBA-së që po ndryshon luftën në Ukrainë

04 janar 2023 | 11:51

Përpjekjet ruse për të prishur mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të çaktivizuar infrastrukturën e saj energjetike me dronë shpërthyes me ndihmën e dronëve iranianë po bëhen gjithnjë e më të vështira.

Për këtë ka folur edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka thënë se ushtria e tij e filloi Vitin e Ri me shkatërrimin masiv të dronëve iranianë.

“Kanë kaluar vetëm dy ditë që nga fillimi i vitit dhe numri i dronëve iranianë të rrëzuar mbi Ukrainë është tashmë më shumë se 80”, ka zbuluar Zelensky të hënën pas mesnate.

Rusia ka nisur tjetër sulm masiv ndaj objektivave brenda Ukrainës të hënën, por të 39 dronët u rrëzuan nga armë kundërajrore, raketa tokë-ajër dhe avionë luftarakë –  një gjë e rrallë – me 20 dronë të rrëzuar vetëm mbi Kiev. Në tetor, Rusia pati nisur valë pas valë sulmesh me dronë dhe raketa lundrimi për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike dhe ujë për civilët, duke lënë deri në 25 për qind të Ukrainës pa energji.

Në fjalim, Zelensky ka zbuluar se Qeveria ukrainase ka inteligjencë që sugjeron se nuk ka fund në horizont për sulmet ruse duke përdorur “Shahedin”.

“Ne kemi informacione se Rusia po planifikon sulme afatgjata me dronë. Ata po llogarisin mbi lodhjen e njerëzve tanë, mbrojtjen tonë ajrore, sektorin tonë të energjisë”.

Por të dhënat për dronët iranianë tregojnë se forcat ukrainase po përmirësohen në rrëzimin e dronëve përpara se t’i godasin objektivin e tyre, duke i dhënë Ukrainës atë që presidenti Zelensky e quajti “fitore të vogla mbi terroristët dhe terrorin”.

Sipas “New York Times”, një arsye për suksesin kundër fushatës së dronëve ka të ngjarë të jetë vendimi i Shteteve të Bashkuara për të furnizuar Ukrainën me një sistem të avancuar raketash tokë-ajër, të njohur si “NASAMS”. Ai përfshin radarë, sensorë, lëshues dhe një qendër komandimi me celular.

Sistemi NASAMS përbëhet nga radari “Sentinel”, raketa të avancuara ajër-ajër me rreze të mesme dhe një sistem lëshimi raketash, i projektuar nga Kongsberg Defense & Aerospace (KDA) e Norvegjisë, pjesë e grupit të njohur KOG i specializuar në sistemet raketore të ndryshme.

“NASAMS” është produkt i bashkëpunimit mes KDA-së dhe American Raytheon, dhe është në përdorim që nga viti 1998 dhe është i destinuar për mbrojtje kundër dronëve, helikopterëve, raketave shpërthyese dhe aeroplanëve, të cilët i identifikon dhe i godet me saktësi shumë të lartë.

Dorëzimi i këtyre sistemeve të mbrojtjes kundërajrore në Ukrainë është njoftuar nga Pentagoni më 1 korrik të vitit të kaluar, si pjesë e një pakete ndihme ushtarake me vlerë 820 milionë dollarë.

Dy “NASAMS” kanë mbërritur në Ukrainë në gusht të vitit 2022, secila me 12 sisteme të lëvizshme të lëshimit të raketave dhe me gjashtë raketa.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryeministri  i Kosovës, Avdullah Hoti,  ka thënë se “qeveritarët duhet…