#DhuroDashni për fëmijët e SOS Fshatit dhe të Down Syndrome Kosova
Me rastin e festave të fundvitit ka filluar kampanja #DhuroDashni, e cila synon të grumbullojë një fond të caktuar të mjeteve që do t’i dedikohet fëmijëve të SOS Fshatit dhe atyre të Down Syndrome Kosova.
“Edhe pse fundviti na sjellë ditët më të ftohta, në të njëjtën kohë, kjo periudhë rezervon për ne ngrohtësinë më të madhe, për shkak se festojmë ndërrimin e motit dhe festat tjera. Kjo ngrohtësi ëmbëlsohet edhe më shumë nga gjiri familjar me të cilët ndajmë momente të paharrueshme, si një start i bukur për një vit të ri. E për t’u siguruar që askush nuk do mbetet pa e përjetuar këtë ndjenjë dashurie, sot ka filluar kampanja #DhuroDashni e cila synon të grumbullojë një fond të caktuar që do t’i dedikohet fëmijëve të SOS Fshatit dhe atyre shumë të dashur të Down Syndrome Kosova”, është thënë njoftimin e #DhuroDashni.
Sipas këtij njoftimi, këto fonde mund të grumbullohen duke blerë disa produkte në objektet e SOS Fshatit dhe Down Syndrome Kosova në Prishtinë. “Të gjithë shprehim dëshirën që në kohët festive të kontribuojmë për ata që më së shumti kanë nevojë, atëherë kampanja #DhuroDashni ju krijon këtë mundësi për të ndihmuar. Krejt çka duhet të bëni është të vizitoni objektet e SOS Fshatit dhe Down Syndrome Kosova në Prishtinë dhe të bleni produkte si triko, USB, dorëza dhe kapelë me një çmim shumë të arsyeshëm, para të cilat do t’u dedikohen këtyre dy organizatave. #DhuroDashni sepse ne madhështohemi duke dhënë dhe jo nga ajo që posedojmë!”, është thënë kë këtë njoftim.