Dhurohet gjak në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit
Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Dehari, të martën në selinë e kësaj partie është bërë dhurim vullnetar i gjakut.
Këtij aksioni i është përgjigjur edhe lideri i kësaj lëvizje , Albin Kurti, i cili ka thënë se në trevjetorin e “mbytjes së Astrit Deharit po shprehin solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak”.
“Astrit Dehari ka qenë edhe student i mjekësisë, student i shkëlqyer, po njëkohësisht ka qenë edhe punëtor e zyrtar në Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, me ç’rast u ka ndihmuar shumë pacientëve dhe ka punuar me shumë zell sidomos tek ata që kanë pasur më shumë nevojë. Prandaj, sot me rastin e trevjetorit të mbytjes së tij në burg, ne shprehim solidaritet me ata që kanë nevojë për gjak. Prandaj edhe në këtë ditë organizojmë këtë aktivitet për dhënien vullnetare të gjakut, në kujtim të shokut tonë, aktivistit tonë, të punëtorit shëndetësor të kryeqytetit Astrit Deharit”, ka thënë Kurti.
Gjak ka dhuruar edhe aktivisti i Vetëvendosjes, Fadil Seferi nga Mitrovica, i cili ka thënë se këtë po e bën në nderim të Astrit Deharit.
Në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje janë mbajtur disa aktivitete në Prishtinë dhe Prizren.