Di Maria: Reali nuk donte që unë të luaja finalen e Kupës së Botës
Finalja e një botërori është diçka unike për një futbollist. Të përfaqësosh vendin tënd në ndeshjen më të rëndësishme të futbollit është një nder i madh.
Çdo lojtar e ëndërron një moment të tillë dhe nuk janë të shumtë ata që kanë privilegjin ta luajnë. Me kusht që të jenë në fushën e lojës, disa futbollistë janë rikuperuar në kohë rekord nga dëmtime serioze. Kjo ka ndodhur edhe me Angel Di Marian.
Lojtari i PSG-së arriti finalen me Argjentinën e tij në Botërorin e 2014-ës. Në finale, Messi me shokë janë ndeshur me Gjermaninë, që triumfoi në kohën shtesë falë golit të Gotzes.
Megjithatë, ish-ylli i Real Madrid ka zbuluar një prapaskenë në lidhje me finalen. Këto kanë qenë deklaratat e bëra nga ai për programin radiofonik Telefe:
“Isha në 90% të formës në atë finale. Kundër Belgjikës pësova një dëmtim dhe më dhembte ëmba, por doja të luaja patjetër. E dija se Reali donte të më shiste dhe kur erdhi letra e mjekut e grisa pa e lexuar”.
Sipas shumë zërave, në fakt, “Los Blancos” nuk donin të rrezikonin që shitja e Di Marias të dështonte në rast dëmtimi.