Dialog pa rezultat

01 janar 2022 | 14:58

Me konstituimin e institucioneve të reja vitin e kaluar rifilloi edhe procesi i dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, ndonëse nuk dëshironte ta trajtonte këtë çështje si primare të qeverisjes, ajo u bë prioritet.

Sikurse qeveritë e mëparshme, edhe qeveria Kurti emëroi zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, kryenegociator në dialogun me Serbinë, i cili ka zhvilluar disa takime të nivelit teknik me palën serbe në Bruksel.

Nën ndërmjetësimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, dhe emisarin special Miroslav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar edhe dy takime të nivelit të lartë politik.
As në nivelin teknik dhe as në atë politik nuk është arritur ndonjë rezultat, shkruan “Epoka e re”.

Në këto takime palët pothuajse nuk janë pajtuar për asgjë.
Më 15 qershor është mbajtur takimi i parë në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ashtu siç pritej, takimi nuk prodhoi asnjë rezultat. Kryeministri Albin Kurti në takim kishte bërë disa propozime të cilat ishin refuzuar nga ndërmjetësuesi dhe presidenti serb.

Takimi i dytë është mbajtur në mes të korrikut. Ky takim kishte sjell vetëm ofendime dhe tensione në mes të palëve. E kaluara ishte ajo që sërish kishte përplasur kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Takimi ishte shumë më i shkurtër sesa që ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Pas bisedimeve u dëgjuan madje edhe fjalë të rënda në adresë të njëri-tjetrit. “Ne kemi prezantuar në takim një marrëveshje të balancuar prej gjashtë nenesh, për paqe në mes të Serbisë dhe Kosovës, e cila u refuzua pa u lexuar fare. Zëvendëskryeministri (Besnik) Bislimi i ka lexuar 11 pikat që paraqesin pengesa në raportet tregtare të Kosovës me vendet e tjera, që ne kërkuam të hiqen, por as kjo nuk u pranua, kishte deklaruar Kurti pas takimit.
Ndërsa presidenti serb e kishte akuzuar palën e Kosovës se dëshiron të flasë vetëm për të kaluarën.

Zbatohet reciprociteti në targa

Më 20 shtator Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që automjetet nga Serbia, sapo të hyjnë në Kosovë, duhet ti ndërrojnë ose mbulojnë targat e tyre dhe të marrin regjistrim të përkohshëm të Kosovës. Në këtë mënyrë është vendosur masa e reciprocitetit për targat e Serbisë, pasi një gjë të ngjashme Serbia e ka aplikuar për automjetet nga Kosova për më shumë se dhjetë vjet. Ndaj këtij vendimi kanë reaguar serbët lokalë duke bllokuar rrugët që të dërgojnë në dy vendkalimet kufitare në veri të Kosovës, Jarinjë dhe Bërnjak. Për ta zgjidhur këtë çështje palët shkuan në Bruksel.
Pas dy ditësh negociata, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri. Marrëveshja parashihte reciprocitet në targa në mes të dy shteteve, duke ua mbuluar simbolet shtetërore. Sipas dokumentit trepikësh, njësitet speciale policore që ishin të vendosura në pikëkalimet kufitare duhet të largohen bashkë me barrikadat, ndërsa për dy javë aty kanë qëndruar trupat e KFOR-it.
Pika e tretë e saj parashihte që në fund të tetorit të nisë punën një ekip i përbërë nga zyrtarë të Bashkimit Evropian, Prishtinës dhe Beogradit, për të gjetur një zgjidhje të përhershme. Brenda gjashtë muajve, prej nisjes së takimit të parë, i ashtuquajturi grup punues do ti paraqesë gjetjet për një zgjidhje të përhershme në formatin e dialogut të nivelit të lartë.

Qeveria e kishte cilësuar këtë marrëveshje si fitore, ndërsa opozita e ka kritikuar, duke thënë se vetëm ka zbatuar një marrëveshje që është arritur para disa vjetëve.

Presioni për formimin e asociacionit

BE-ja dhe ShBA-ja vazhdimisht gjatë vitit 2021 kanë kërkuar nga Kosova zbatimin e marrëveshjes për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, kurse kryeministri Albin Kurti ka refuzuar një gjë të tillë, duke thënë se formimi i asociacionit njëetnik është kundër Kushtetutës së Kosovës.

Në takimin e katërt të Këshillit të Stabilizimit dhe Asocimit (MSA), qëndrimet e kundërta për këtë çështje janë bërë edhe publike. Janë 33 marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe dy të tretat e tyre sjanë implementuar nga Serbia, por gjithmonë Beogradi zyrtar dëshiron ta përmendë një marrëveshje që më duhet ta them se ka kaluar testin e Gjykatës sonë Kushtetuese. Më kujtohet, më 2015, kur në vendimin e saj asnjë serb i Kosovës nuk protestoi, por vetëm Beogradi. Besoj se është koha që të ketë dialog, ku populli, qytetarët, janë përfituesit e jo politikanët. Prandaj na duhet karakter demokratik i dialogut që njerëzit të fitojnë. E ritheksoj se në fund të dhjetorit të 2015 serbët nuk u brengosën fort për vendimin e Kushtueses, por ishte Beogradi që po vajtonte për atë që ka ndodhur, ka thënë kryeministri Kurti në konferencën e përbashkët me përfaqësuesin e lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.
Ky i fundit ka kërkuar zbatimin e kësaj marrëveshje, pavarësisht prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Pajtohem që Gjykata Kushtetuese (e Kosovës) vendosi pengesa për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Por, kjo (marrëveshje) u arrit ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive dhe në kuadër të dialogut. Kështu që, më vjen keq, por na duhet ta kërkojmë zbatimin e kësaj marrëveshjeje, ka thënë Borrell.

Në të gjitha takimet e nivelit politik dhe teknik palët janë shprehur për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje përfundimtare në mes të dy vendeve, por nuk kanë treguar vullnet për të ecur drejt këtij qëllimi.

(Muhamet Koci / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas një raporti në gazetën spanjolle Marca, shumë telefona Android…