Dialog poetik me kohën dhe veten

20 dhjetor 2018 | 12:15

Marigonë  Kelmendi, “Merimangat e lirisë”, poezi, “Buzuku”, Prishtinë, 2018

BEHAR GJOKA

                                  

Përmbledhja poetike “Merimangat e lirisë”, e Marigonë Kelmendit, jo rastësisht hapet me poezinë “Gjethe”. Qysh në krye identifikohet uni poetik, që bart tiparet e një brishtësie rrezëllitëse, ku madje gjethja, si detaj dhe simbol, shenjon vetë krijuesen, me gjasë vokacionin personal të kumtit poetik. Ulja e siparit të “shtegtimit” shpirtëror dhe lirik, shoqëruar me befasira ligjërimi, në kohën dhe hapësirën e pamatshme, shqiptohet në vargjet e poezisë së fundit, “Merimangat e lirisë”, që shënon titullin e librit më të ri të autores. Uni poetik, endur dhe shpaluar me larmi nivelesh ligjërimore, ngjizur përmes toneve lirike dhe meditative, tashmë formësuar në treguesit thënës dhe artistik, është shndërruar në zë të kohës, ku megjithatë ndërthuret gjithkohësia. Kuptohet, se zëri i kohës, me shumë gjasa vjen si verb i plotë vetëdijeje, ku uni lirik më tepër dëshmon universin e mjegullësisë së ekzistencës së qenies. Brenda këtyre kontureve, të fillimbarimit të librit, po kaq të zëshmimit që gërshetohet dhe shkrihet natyrshëm në zhurmërimat e kohës, shpërfaqet dialogu me kohën/kohërat dhe me veten/vetjet e përthyera në konturet e kohës. Hetimi i dialogut, të mirëfilltë poetik, ndonëse tepër të ngjeshur, në mendime dhe figurim artistik, me veten dhe kohën, nuk është aq i lehtë, madje është gati i pamundshëm, nëse nuk e kundrojmë së brendshmi, pra të lexojmë tekstet poetike, së paku në dy vatra të shëmbëllimit letrar:

Struktura e ngjizjes së materies poetike

Në pikëpamje strukturore, libri përçon tipologjinë e hapjes me poezinë “Gjethe”, me gjasë që sendërton një paratekst të fshehur, si dhe me mbylljen pastekstuale, po ashtu të fshehur, të derdhur në poezinë “Merimangat e lirisë”, që ngërthen kodeksin thënës dhe estetik. Materia poetike, e qarkëzuar në këtë spikamë liriko-meditative, mandej shpërthehet si tërësi, me dy ciklet poetike, “Dje s’i thashë asgjë emrit” dhe “Pëshpërimë ditësh”. Në ciklin e parë, janë përfshirë pesëdhjetë e nëntë poezi, të cilat e shpalosin lidhjen e fortë të unit poetik, me kohën si grimcë e përthyer, në ditë dhe stinë, në çaste lumturie dhe meditimi, si dhe të grimcimit të ndjesive më të holla. Varësisht lëndës së gjerë të këtij cikli, zbulohet se autorja botën e sheh ndryshe, madje nuk ka kohë të dëshpërohet, e as nuk ndan me të tjerët, pra me lexuesin, zhgënjimin dhe ndjesi të përkohshme fluturake. Me të tjerët, me lexuesin, ndan idetë dhe vizionin personal për rruzullin, kohën absurde, të përllomur në marrëzi, ndonëse nuk e vret mendjen se si do ta marrin të tjerët. Vargjet e poezisë “Liri kohe”, evidentojnë qartazi indin e një poezie ndryshe, që përthellohet në një vështrim gati filozofik, në poezinë “Simetri”. Vargjet:

Sikur

Të kishte mendim

Sa ka fjalë

Gjithsecili

Do të ishte

Një histori e gjallë” (f. 22)

Të poezisë “Sikur”, e zbulojnë natyrën dhe aspiratën e shkrimit poetik, mbase vetë kredon e dëshmimit të dialogut përmes poezisë, ku thelbësore është zbulimi i të vërtetës, gjithnjë i parë me sytë e vet. Shenja e plotë e dialogut me kohën, pa harruar vetveten, vjen në vargjet e poezisë “Përjetësi”, që ndërkaq në poezinë pasardhëse futesh në një labrinth të mirëfilltë poetik, që e largon poezinë nga lëngata e përditshmërisë vulgare. Cikli i dytë, “Pëshpërimë ditësh”, përmbledh gjithsej gjashtëdhjetë e katër poezi. Lënda poetike këtu pëson një zgjerim të komunikimit me universin e pafundëm të ideve filozofike, me grimca nga jeta, madje duke pësuar një ngjitje në shprehësi, gjë që përvijon tiparet e një poetike të konsoliduar, në marrëdhënie me jetën, veten dhe me rrafshet ekzistenciale të njerëzores. Prania e poezive të tilla, “Sokratike”, “Platonike” apo “Asketike”, të përfshin nëpër rrjedhat e ligjërimit të rrafsheve filozfike, çka e zgjeron ndjeshëm hapësirën e kumteve të lirikës së autores. Në vargjet e fundit të poezisë “Dritare e thyer”, zbulohen shenjat e identitetit ilir, megjithëse pohuar si rastësisht dhe larg patetikës së zakontë të poezisë shqipe. Për të ardhur, tashmë organikisht në kumtin e vlerës që ka fjala ne poezinë “E para ishte fjala”, e cila shpalos përmasat e pafundme që rroken me anë të fjalës. Megjithatë, pavarësisht laryshisë tematike, stilemave të sendërtimit poetik, në poezinë e  autores, si gjurmë e hijezuar, përvijohet tipologjia e poezisë së pastër, gjë që spikatet në pjesën më të madhe të poezive, por që në mënyrë të veçantë kuptimësohet në vargjet e poezisë “Bukuri vrastare”, e cila vjen në një piskamë të tjetërsojshme, apo në poezinë “Atëbotë”, ku këpërthen ndjesi të larme. Në vargjet e poezisë “Retinë”, përmes një ligjërimi dialogues, me botën dhe veten, me kohën si pakohësi, ku drita dhe retina që e përthyen atë, marrin vlerën e një pasqyre me tejpashmëri, për ta kundruar botën, në të gjithë aspektet ekzistenciale. Për të ardhur tek poezia “Të dua”, si shenjëzim i rrokshëm i lirikës së pastër, me motiv erotikën, që dukshëm shpalos një univers unik në vargjet e poezisë “Agimore”, ku megjithatë befasia vjen në poezinë “Postmoderne, që në pak vargje shqipton kohën, dëshminë letrare dhe vetjen në qiellin e dashnisë:

“Ditar

Përditshmëri

Pritshmëri

 Ese

Rrëfim

Turbullim

Më do

S’më do

Gjeth i fundit duro

A thua

(S’)më do

A thua” (f. 135)

Kjo rrethanë e pranisë së rrokshme të ngjyresave të lirikës së pastër të sjellë në mend idenë e Henri Bremond, kur nënvizonte (në librin “La poesie pure”): “…çdo poezi e shpreh aspektin e vet të pastër poetik, praninë rrezëllimin aksionin transformues formues dhe unifikues të një realiteti misterioz që ne e quajmë poezi e pastër.”

Metaforika e ngjyrave lakonike

Tërësia e vëllimit poetik, ku përfshihen dy ciklet, por edhe fillimi dhe mbyllja e librit, përcjell dy tipare, thadruese të poezisë së tonaliteteve të përveçme, të cilat shpallen si kumte personale:

A – Metafora që luan rolin kryesor të sendërgjimit të poezisë, që madje paraqitet si metaforizimi i materies poetike, tregues gjurmëve moderne të shkrimit poetik, e po kaq i botës së universit letrar, si mjeti më thelbësor i figurimit të realitetit letrar, në atë situim të figurimit artistik. Megjithatë, poezia e fundit, që emërton vetë librin, “Merimangat e lirisë”, shpërfaq tiparin mbizotërues të peshës së metaforës si shenjëzim estetik, si një empati e një marrëdhënie të pagjasshme, megjithatë të rrokshme në përditshmëri. Metaforika e larmisë përshkon poezitë e gjithë lajtmotiveve, e toneve dhe ngjyresave të ndryshme, duke e kthyer vështrimin metaforik në aureolë të sendërtimit të poezisë dhe poetikës shprehëse.

B – Konciziteti, me gjasë shkurtësia, që rroket në gjithë librin, e bën më lakonike dhe më të beftë poezinë e autores. Në ciklin e parë, mbizotërojnë poezi tepër të shkurtra, ndonëse të ngjeshura në rrafshet e kumteve dhe shprehësisë, që i japin poezisë një ritëm tjetër, të shoqëruara me denduri mendimesh dhe frizurash letrare. Poezitë e ciklit të dytë, ndonëse janë relativisht më të gjata, se sa ato të ciklit të parë, sërish janë koncize, që dëshmojnë dhe plotësojnë figurimin e poezive lakonike. Pjesë e ngjyresave koncize, të ligjërimit poetik, të një dialogu me kohën dhe veten, janë edhe dy shenja grafike, shkrimi i poezisë pa shenja pikësimi, si dhe fillimi i secilit varg me shkronjë të madhe, si një ligjëratë që e shpërndërron poezinë në klithmë që shqiptohet më vete, si dhe tejet e lidhur, si një vargan klithmash që zbulojnë unin dhe kumtet qenësore.

Pentagrami poetik, derdhur në përmbledhjen “Merimangat e lirisë”, shenjtëron një ikje në kohë dhe kthim në botën personale, që shpaloset në fibratura tejet lakonike. Materia letrare, ku grimcohen kohërat, ndjesitë, filozofia dhe letërsia, shqipton vokacionin, lirik dhe meditativ, si një zë i ri dhe origjinal në poezinë shqipe. Tërësia e librit krijon një gjendjen të pazakontë letrare, një materie e njohur dhe e panjohur, një gjendje mëdyshjeje që buron nga veçanësia. Librat me vlerë, por gjthçka që botohet, diçka përsërit, e diçka e stampon si risi, ndonëse secila prej tyre, zbulohet në lexim  dhe rilexim të teksteve. Gjendja letrare e mëdyshjes të ndërmend pohimin e Italo Kalvinos (libri “Leksione Amerikane”): “Në universin e pafund të letërsisë hapen gjithnjë rrugë të reja për t’u zbuluar, shumë të reja dhe shumë të vjetra, stile dhe forma që mund të ndryshojnë imazhin tonë të botës.” Marrëdhëniet me fjalën, vargjet dhe metaforikën, ngjizin një poezi moderne dhe vetjake, që zbulon dhe shqipton stilema të përveçme.

Një libër që të fton në universin e poezisë, për të ndier zërin e poetes, që ka përftuar zërin e kohës si shumëkohësi kumtesh dhe gjendjesh letrare…

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri Shpëtim Duro ka treguar se në fillim kishte hezitim…