DIALOGU
Shkruan: Kadri Veseli
Gjatë vitit që po e lëmë pas, kemi humbur shumë kohë duke bërë me gisht drejt njëri-tjetrit për problemet dhe çështjet që janë përgjegjësi e përbashkët e të gjithë spektrit politik. I gjithë debati politik për fat të keq është mbizotëruar nga një garë absurde e etiketave negative.
Publiku dhe qytetarët, me të drejtë, janë ndjerë të lodhur nga spektakli i përditshëm i akuzave partiake dhe nga ndjesia se konsensusi politik është i pashpresë.
Kjo ndjesi duket se u hoq ditë më parë kur në Kuvendin e Kosovës, me një unanimitet të plotë, kaluam tri ligjet e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës.
Vendimmarrja për ushtrinë është dëshmi se spektri politik kosovar ka gjithë forcën e duhur për t’i dhënë shans konsensusit të brendshëm për çështjet e interesit nacional, mjafton që të frenohen egot personale.
Në këtë frymë u ndërmor iniciativa parlamentare për rezolutën e propozuar nga PSD-ja, përmes të cilës u krijua delegacioni shtetëror, i cili do të përfaqësoj Kosovën në dialogun me Serbinë.
Delegacioni do të bashkëdrejtohet nga një përfaqësues i koalicionit qeverisës, një përfaqësuesi i PSD-së dhe është menduar të jetë gjithëpërfshirës, marrë parasysh traditën pozitive që kemi krijuar nga Rambujeja deri në shpalljen e pavarësisë.
PSD-ja, si parti opozitare, arriti në fund të vendosë interesat nacionale mbi dëshirat e ngushta partiake.
Kam besuar se më në fund edhe dy partitë tjera opozitare, LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, do të ecin në të njëjtin drejtim, duke menduar se janë pjekur të gjitha kushtet që të bëjmë atë për të cilën jemi zgjedhur: veprimin e përbashkët në të mirë të vendit.
Nisur nga kjo, për të mërkurën që vjen, kam ftuar në Kuvendin e Kosovës, në një takim të përbashkët, presidentin, kryeministrin, ekipin negociator, si dhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare nga partitë opozitare, ende të papërfaqësuara në ekipin negociator, LDK dhe LV, që të koordinohemi për dialogun.
Natyrisht për asnjë motiv tjetër, veç motivit për të ndihmuar kohezionin e brendshëm politik në raport me çështjet e dialogut me Serbinë dhe duke zgjedhur institucionin më të duhur për këtë qëllim, Kuvendin e Kosovës.
Në Kuvendin e Kosovës, aty ku përfaqësohen të gjithë, sepse LDK-ja dhe LV-ja askund nuk po arrijnë të marrin vendime.
Mbeta pak i zhgënjyer, por jo i habitur, kur mora vesh se LDK-ja dhe Vetëvendosje, si duket në kundër përgjigje të ftesës sime, kanë thirrur një seancë të jashtëzakonshme, po për të mërkurën e ardhshme.
Në këtë seancë, siç thuhet, do të debatohet për draft-marrëveshjen e propozuar nga Qeveria e Kosovës për dialogun me Serbinë.
LDK-ja kishte vepruar njëjtë edhe me rastin e ftesës që kisha bërë për tryezë të përbashkët të partive politike, këtu e tetë muaj më parë. E pata marrë me qetësi refuzimin e tyre për të qenë pjesë e platformës së përbashkët për dialog, duke besuar se gradualisht do të kuptojnë domosdoshmërinë për të qenë pjesë e saj. Nisur nga kjo, aso kohe, iu përgjigja pozitivisht ftesës së tyre për tryezë të partive politike, edhe pse dukej qartë se krejt çfarë synonin me to ishte balancimi opozitar i iniciativave, një synim ky krejtësisht komik dhe inatçor.
LDK-ja nuk po arrin të vetëçlirohet nga politika e inatit dhe me këtë është duke i bërë dëm vendit dhe vetes, gjithsesi.
Iniciativa aktuale e saj dhe e LV-së për seancë të jashtëzakonshme është e drejtë e tyre, të cilën mund ta realizojnë sa herë që plotësojnë kushtet për thirrjen e saj.
Por çfarë do të arrihet me këtë seancë?
Nëse duan të vazhdojnë bojkotin dhe papërgjegjësinë, gjithsesi do ta arrijnë këtë!
Por a do ta ndalin Serbinë dhe ish-zëdhënësin e Millosheviqit, presidentin aktual serb, të përfitojnë tek partnerët tanë perëndimor, me përparësinë në gatishmërinë e tyre për dialog?! Vështirë të thuhet po!
Një gjë dihet: Gjatë tri dekadave të kaluara, Serbia çdoherë që ka refuzuar dialogun me ne, çdo herë ka humbur! A mos duam tash ne të përsërisim gabimet e saj?
Nuk e di nëse opozita, veçanërisht LDK-ja, sa është duke e kuptuar çfarë dëmi po i shkakton vendit!
Seanca e jashtëzakonshme e thirrur prej tyre, në thelbin e saj, është vetëm një lojë teatrore e manipulimit me qytetarët, me një skenografi në të cilën koalicionit qeverisës i kanë ndarë rolin e “ndarësve të Kosovës”, ndërsa për vete ka ruajtur rolin e “shpëtimtarëve të saj”. Isa, Avdullahu, Albini, Glauku, kanë marrë “rolin e shenjtë” për të shpëtuar Kosovën nga presidenti, kryetari i kuvendit, kryeministri, z. Limaj, z. Ahmeti, etj.
Kush e beson këtë farsë politike opozitare?
Këtë imoralitet politik, do të thoshin ata që kërkojnë respektimin e një kodi etik në politikë.
As vetë LDK-ja dhe LV-ja nuk e besojnë, por qëllimin e kanë që të manipulojnë qytetarët për llogari meskine partiake. Pra, që me anë të kësaj seance, në përfundim të këtij viti, të bëjnë edhe pak propagandë partiake për veten.
Patjetër që kjo dëshirë do t’u plotësohet, por ky plotësim do t’u kthehet bumerang nga qytetarët, sepse partitë të cilat, në vend të përgjegjësisë shtetërore, zgjedhin propagandën për veten, nuk mund të gjejnë asnjëherë përkrahjen e publikut dhe zgjedhësve.
Propaganda pa punë konkrete është shërbim i keq ndaj vendit.
Partitë që, në vend të përgjegjësisë shtetërore, zgjedhin propagandën e lirë për veten, me mendimin se përfitojnë vota tek zgjedhësit duke i frikësuar me idenë e rreme të ndarjes së Kosovës, flasin qartë se nuk brengosën fort për proceset e mëdha të vendit e të shtetit.
Ky është pozicioni i patriotizmit të rrejshëm.
Po të brengoseshin përnjëmend, do të kërkonin me ngulm që të zënë vendin që u takon aty ku vendoset për këto procese.
LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk e bëjnë këtë, sepse, gabimisht dhe verbërisht, besojnë se ne të tjerët, do të marrim vendime të gabuara historike, prej të cilave ato pastaj do të përfitojnë politikisht.
Pra, e tëra është një llogari për ardhje në pushtet. Jo më kot, ditë e natë, bëjnë thirrje për zgjedhje, madje edhe në kushtet kur e dinë qartë se do t’i humbasin ato, kurdo që do të mbahen.
Gjithsesi mund të vazhdojnë të vrapojnë pas këtyre kalkulimeve partiake. Por, i siguroj se kanë për t’u zhgënjyer në fund, kur do ta kuptojnë se kanë qëndruar në anën e gabuar të historisë. Historia nuk bëhet duke folur, dhe as duke ikur nga përgjegjësia! Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë dhe gjithë faktorët tjerë të ndërlidhur me këtë dialog, nuk janë duke ecur në rrugë pa krye, aq më pak të motivuar nga ndonjë interes që bie në kundërshtim me interesin shtetëror të Kosovës.
Ne veprojmë mbi një platformë, e cila u qëndron besnikërisht parimeve kushtetuese të vendit dhe kemi qëllime të qarta, të cilat duam t’i arrijmë me anë të dialogut.
Në shkojmë në dialog me Serbinë për ta fuqizuar Kosovën. Nuk do të ketë rezultat tjetër në finish të tij.
Dialogu nuk është favor i yni për Serbinë. Është pashmangësi e faktit se Serbinë e kemi fqinjin tonë verior dhe vazhdojmë të kemi mosmarrëveshje thelbësore me të. Këto mosmarrëveshje duhet të zgjidhen, për të mos u lënë brezave që do të vijnë barrën e të kaluarës sonë të hidhur.
Ne nuk kemi frikë as nga dialogu, as nga Serbia, dhe as s’kemi pasur ndonjëherë!
Sovraniteti dhe integriteti i shtetit të Kosovës janë dhe do të mbesin të paprekshëm, para dhe pas dialogut.
Kush do që e thotë të kundërtën është ose një gënjeshtar i madh, ose një dashakeq.
Ne do të negociojmë modalitetet e mundshme përmes të cilave Serbia njeh shtetin e Kosovës dhe arritjen e anëtarësimit të tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Këto dy qëllime janë të pashmangshme.
Duke qenë të bashkuar, ato janë më të shpejt të arritshme.
Duke qenë të ndarë, vetëm u bëjmë favore atyre që punojnë kundër arritjes së tyre.
Nuk duhet shumë mund për ta kuptuar këtë. Në shumë raste, të vërtetat e mëdha janë njëkohësisht të vërteta të thjeshta.
Ne nuk e kemi ndërmend të ndalemi. Do të vazhdojmë të bëjmë atë që na e kërkon momenti historik dhe qytetarët: ta mbrojmë dhe avancojmë shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.