Dialogu duhet të vazhdojë

07 maj 2020 | 10:51

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, para pak çastesh ka mbajtur një konferencë për media, para të cilave ka folur për takimin e Samitit të Zagrebit të mbajtur dje.

Thaçi ka thënë se Kosova është vend i pavarur dhe sovran e se dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura. “Kosova është vend i pavarur dhe sovran, i njohur nga shumica e vendeve të BE-së. Dialogu duhet të vazhdojë në mes të dy vendeve të pavarura. Këto realitete nuk mund t’i ndryshojë askush. Nuk jam këtu t’i komentoj deklarimet e këtij apo atij zyrtari, por ta përfaqësoj vizionin e politikës dhe institucioneve të Kosovës, të vendit të pavarur dhe sovran duke respektuar integritetin territorial të saj”, ka thënë Thaçi.

Presidenti i shtetit ka shtuar se beson në përkrahjen e ShBA-së dhe të BE-së në këtë fazë të marrëveshjes finale. “Zyrtarët e Serbisë kanë theksuar edhe më herët që s’ka gjasa as për liri e as për pavarësi, po ja që po i gëzojmë. Unë vazhdoj të besoj në Shtetet e Bashkuara që, në koordinim me BE-në, do të rezultojë në njohje të shtetit”, ka deklaruar ai.

Thaçi nga gazetarët është pyetur edhe për letrën që dje kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka dërguar numrit  dy të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zëvendëspresidentit Mike Pence, në mes të muajit prill të këtij viti. Ai ka thënë se janë të lirë t’i shkruajnë kujtdo, se ShBA-ja e njeh realitetin në Kosovë. “Institucionet e Kosovës dhe populli i Kosovës ka pasur gjithmonë besim në përkushtimin dhe rolin e ShBA-së. Nuk janë me rëndësi deklarimet e Beogradit sa është me rëndësi uniteti. Sa iu përket letrave që theksuat, nuk i kam pasur nëpër duart e mia. Është e lirë t’i shkruajnë kujtdo, çka do. Nuk e kam ndërmend të merrem me këto letra”, ka thënë presidenti Thaçi.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka folur për BeIN Sports…