Dialogu forcoi sovranitetin e Kosovës
Dr. Edita Tahiri
Dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate mjaft të mëdha në dobi të shtetit të Kosovës. Pavarësisht se nuk është pranuar lehtë, madje ende ka një prirje për të mos njohur rezultatet, faktet flasin ndryshe. Faktet dëshmojnë se dialogu i Brukselit ka forcuar sovranitetin e shtetit të Kosovës në planin e brendshëm dhe të jashtëm.
Mjafton ta kthejmë vështrimin në veri të vendit tonë para dhe pas dialogut të Brukselit për t’i parë ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur atje në fusha relevante. Para dialogut, në pjesën veriore të Kosovës kemi pasur polici paralele, gjykata paralele, dogana paralele të Serbisë, por tashmë ato nuk ekzistojnë, sepse të gjitha janë shuar falë dialogut të Brukselit.
Në veri tashmë funksionojnë policia e shtetit të Kosovës, gjyqësia unitare shtetërore e Kosovës, doganat e Kosovës si dhe është vendosur kufiri ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Para dialogut, dy pikat kufitare në pjesën veriore të kufirit, në Jarinje dhe Bërnjak, kanë qenë porta të hapura të krimit dhe kontrabandës, mirëpo që nga 2012 këto pika kufitare funksionojnë normalisht, ku autoritetet shtetërore të Republikës së Kosovës ushtrojnë sovranitet dhe kontroll kufitar si në secilën pikë kufitare dhe sipas standardeve evropiane dhe të IBM-së.
Vendosja e policisë, gjyqësisë, doganave shtetërore të pjesës veriore të vendit, të munguar dhe cenuar që nga përfundimi i luftës në Kosovë, janë fakte që vërtetojnë se Kosova ka vendosur sistemin juridik kushtetutës në veri të vendit, pra Kosova ka shtrirë dhe konsoliduar sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit duke e zgjidhur përfundimisht këtë problem që ka rënduar mbi supet e shtetit tonë për shumë vite dhe për shkaqe të njohura.
Rezultatet e dialogut të Brukselit janë shumë më të mëdha se kaq sepse edhe në shumë fusha të tjera Kosova ka shtrirë sovranitetin në pjesën veriore të shtetit tonë, ndërkohë që Kosova ka forcuar sovranitetin në planin e jashtëm, duke u bërë anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, duke marrë kodin telefonik shtetëror, duke hyrë zyrtarisht në rrugën e integrimit evropian përmes Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në në tetor 2015 dhe lidhjeve speciale me NATO-n.
Për të gjithë këto përparime kontributi i dialogut ka qenë i drejtpërdrejtë sepse angazhimi i Kosovës në dialog me shtetin fqinjë, Serbinë, që dikur ishte okupatore, i tregoi botës se Kosova është një shtet që vërtet kontribuon për paqe dhe fqinjësi në rajon dhe është partnere besueshme në sfidat globale të paqes dhe sigurisë. Kjo bëri që edhe pesë vendet jonjohëse të BE-së ta mbështesin Kosovën në integrimin evropian dhe NATO-s dhe të votojnë pro Kosovës edhe në anëtarësime në organizata ndërkombëtare dhe rajonale.
Më gjerësisht sukseset e Kosovës në dialogun e Brukselit do t’i paraqes në vijim, për të treguar se si u krijua një realitet i ri dhe një vlerë e re shtetërore nga dialogu i Brukselit. Kjo për arsye se dialogut i besuan institucionet shtetërore të Kosovës prandaj e morën përsipër këtë obligim ndërkombëtar, ndërkohë që vazhdojnë zërat kundërshtues apo mohues, ndonëse çdo ditë e më pak. Mirëpo, vendimet e vështira i takojnë udhëheqjes shtetërore, ndërsa sukseset dhe mirënjohja për sukseset në procese të vështira zakonisht vonojnë, por do të vijnë një ditë. Qeveria e Kosovës dhe të gjitha institucionet dhe unë si kryenegociatore e dialogut të Brukselit, na takon të presim me durim.
Një numër i konsiderueshëm marrëveshjesh janë negociuar dhe nënshkruar midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e plotë të ShBA-së, gjatë shtatë viteve (2011-2017). Janë gjithsejtë 33 marrëveshje, ku shumica e tyre janë duke u zbatuar mjaft mirë, ndërsa disa janë në pritje të zbatimit. Kosova ka qenë konstruktive në këtë proces, ndërkohë që Serbia ka qenë mjaft destruktive, mirëpo është detyruar t’i zbatojë marrëveshjet sepse dialogu i Brukselit lidhet me ardhmërinë evropiane të të dyja shteteve dhe Kosovës edhe Serbisë.
Ky proces paqësor ka vënë bazat për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve sepse Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës në të gjitha fushat ku janë arritur marrëveshjet, duke marrë parasysh se të gjitha këto marrëveshje janë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ky dialog mund të konsiderohet me rëndësi historike sepse për herë të parë Serbia u tregua e gatshme të nënshkruajë marrëveshje ndërkombëtare me Kosovën, për dallim nga dy proceset e mëhershme paqësore, në Rambuje dhe Vjenë, në të cilat kishte refuzuar ta bëjë një gjë të tillë. Si duket, Serbia më në fund është duke u vetëdijesuar se pranimi i realitetit të Kosovës dhe vendosja e fqinjësisë mirë me Kosovën janë të pashmangshme nëse vërtet e dëshiron integrimin evropian, për të cilën kushti i fqinjësisë së mirë është një prej kritereve kryesore që duhet plotësuar nga secili shtet aspirant.
Kosova nga ana e saj e ka bërë të qartë se një normalizim i qëndrueshëm i marrëdhënieve fqinjësore mund të arrihet vetëm me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve. Vetëm njohja e ndërsjellë dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të sjellë një paqe të qëndrueshme mes dyja shteteve, duke mbyllur kapitullin e armiqësive dhe hapur kapitullin e paqes mes tyre, por edhe mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve. Kjo do të ishte një marrëveshje historike për një të ardhme paqësore që do të kontribuonte edhe për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në Ballkan, ndërsa do ta shpejtonte integrimin evropian dhe euroatlantik të gjitha vendeve të rajonit.
Ndërtimi i një paqe të qëndrueshme pas luftërave dhe tragjedive është një mision mjaft i vështirë dhe me shumë sfida. Edhe pse aspak e lehtë, vendosja e paqes dhe marrëdhënieve fqinjësore me armikun është e domosdoshme në mënyrë që e ardhmja për gjeneratat e reja të jetë paqësore dhe atyre të mos u lihen në trashëgimi konflikte me shtetet fqinje.
Megjithëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar nuk është pranuar lehtësisht nga popullata e Kosovës, rezultatet e saj dëshmuan se kjo ndërmarrje paqësore ishte e drejtë për Kosovën. Skepticizmi ndaj këtij procesi ishte i bazuar marrë parasysh historinë e luftës gjenocidale serbe kundër shqiptarëve, por këta zëra anashkalonin faktin se problemet ekzistuese në veri të Kosovës të shkaktuara nga Serbia duhej zgjidhur përfundimisht. Sot, pas gati shtatë vjetësh, me rezultatet konkrete dhe ndryshimet pozitive që ka sjellë ky dialog ka ndikuar që diskursi politik të ndryshojë në favor të dialogut.
Qeveria dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës dëshmuan se vendosmëria për t’i zgjidhur problemet ekzistuese shkon përtej fjalëve, prandaj ndërmorën veprime shtetërore që përmes dialogut të Brukselit ta bëjnë zgjidhjen e problemeve në veri të vendit të cilat ishin bërë barrë e shtetit që nga paslufta si dhe për ta hequr embargon në marrëdhënie bilaterale të cilat Serbia i kishte imponuar si reagim për shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008-n. Si kryenegociatore e Kosovës në dialogun e Brukselit mund të them se përpjekjet tona kanë qenë maksimale dhe ia kemi dalë t’i mbrojmë interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës me secilën marrëveshje që e kemi arritur me Serbinë.
Unë vazhdimisht kam thënë se marrëveshjet e Brukselit janë të publikuara në uebfaqen zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe kam ftuar deputetët, secilin qytetar, analistë apo gazetar, t’i analizojë dhe të më kontaktojë për çfarëdo shqetësimi ligjor që mund të kenë, mirëpo deri më tani asnjë reagim nuk kam marrë prej tyre.
Marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë mundësuar të ndalen ndërhyrjet e Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, zhbërjes së strukturave paralele serbe dhe reintegrimit të pjesëtarëve të pakicës serbe të asaj pjese në sistemin shtetëror të Kosovës. Ato kanë mundësuar heqjen e bllokadave të Serbisë në raportet bilaterale me Kosovën, sidomos në fushën e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, bllokada këto që Serbia kishte vendosur si reagim ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Më e rëndësishme se kaq është fakti se dialogu i Brukselit mundësoi vendosjen e kufirit shtetëror mes dy shteteve përmes marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit (IBM), ku si rezultat autoritetet shtetërore të Kosovës u rivendosën në dy pikëkalimet kufitare në pjesën veriore të kufirit, duke i dhënë fund cenimit të kufirit dhe integritetit territorial të Kosovës nga ana e Serbisë. Kosova mori kodin telefonik shtetëror 383 nga ana e ITU-s dhe u anëtarësua në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare falë marrëveshjeve të Brukselit.
Dialogu i Brukselit dha kontribut të drejtpërdrejtë për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Kosovës me Bashkimin Evropian në tetor 2015, me të cilin Kosova hyri në rrugën zyrtare të integrimit evropian. Po ashtu, Kosova vendosi lidhje speciale me NATO-n dhe u anëtarësua në shumë organizata ndërkombëtare.
Kosovën e mbështetën edhe pesë vendet jonjohëse të BE-së sepse vlerësuan angazhimet e Kosovës për paqe, fqinjësi dhe stabilitet të dëshmuara edhe përmes dialogut të Brukselit dhe këtë e bënë në saje të fusnotës e cila ua mundësoi mbështetjen për Kosovën. Sa i takon fusnotës për të cilën ka pasur shumë reagime, duhet thënë se Kosova ka pasur fusnotë edhe para dialogut dhe ajo ka qenë e lidhur vetëm me Rezolutën 1244 (“Kosova sipas Rezolutës 1244”).
Fusnota që ka dalë nga dialogu është shumë më e favorshme për Kosovën sepse përmend edhe Vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi me të cilin vërtetohet se pavarësia e Kosovës është në pajtim me drejtësinë ndërkombëtare. Kjo fusnotë të cilën unë e kam quajtur “flluskë bore” do të hiqet kur këto pesë vende të BE-së do ta njohin Kosovën dhe për këto njohje institucionet shtetërore duhet të punojnë shumë më shumë.
Është me rëndësi të theksohet se sukseset e dialogut të Brukselit mund të shihen qartë vetëm kur bëhet krahasimi i situatës para dhe pas dialogut, sidomos në pjesën veriore të vendit. Kosova nuk mund të vazhdonte deri pafund me këto probleme ngase ato ishin kthyer në një burim pasigurie në atë pjesë të vendit, ndërkohë që retorika serbe për ndarjen e Kosovës nuk ndalej.
Përmes dialogut të Brukselit, Kosova shtriu dhe konsolidoi sovranitetin në tërë territorin e saj, duke kthyer pjesën veriore në sistemin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës në mënyrë paqësore. U ruajt toka e Kosovës dhe u shmang tendenca serbe për ndarjen e Kosovës, ndërsa u shuan iluzionet e Serbisë që, duke manipuluar me serbët e veriut, të provonte skenarë të ndarjes së Kosovës. U vendos policia dhe drejtësia unitare e Kosovës në veri të vendit, ndërsa janë shuar strukturat paralele serbe edhe shumë fusha të tjera ku janë arritur marrëveshjet. Ish-punonjësit serbë nga këto struktura janë integruar në institucionet përkatëse të shtetit të Kosovës. U shua struktura paramilitare e njohur si “mbrojtje civile”, ndërsa ish-pjesëtarët e saj sot janë integruar në institucionet e Kosovës si shërbyes civilë.
Zgjedhjet lokale në katër komunat veriore u mbajtën në tetor 2013, njëkohësisht me zgjedhjet në të gjithë Kosovën që nga ajo ditë këto komuna janë pjesë e sistemit të Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, përfaqësuesit e të gjithë pakicës serbe, përfshirë ata të pjesës veriore, u zgjodhën në organet e qeverisjes lokale dhe qendrore, duke shënuar riintegrimin e serbëve të veriut në sistemin e Kosovës. U kthyen librat e regjistrit civil të cilat Serbia i kishte marrë dhunshëm në periudhën e luftës. U hoq barrikada mbi urën e lumit Ibër dhe ura është rivitalizuar si dhe u hoqën të gjitha barrikadat në pjesën veriore të vendit për t’i dhënë rrugë lëvizjes së lirë. Ndonëse ura e Ibrit nuk është hapur ende për qarkullim nga shkaku i obstruksione të Serbisë, kjo do të ndodhë sepse vendosmëria e autoriteteve e Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë do t’i japë zgjidhje kësaj bllokade.
Së fundi u mposhtën tendencat e Serbisë për këmbim territoresh, të cilat Serbia provoi t’i realizojë në shërbim të agjendës gjeopolitike ruse. Skenarët destabilizues të Serbisë në drejtim të këtij qëllimi u provuan përmes ndërtimit të një muri ilegal në veri të Mitrovicës në fund të vitit 2016 dhe një treni provokues në fillim të vitit 2017 që synonte cenimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës.
Kosova u përgjigj me maturi dhe vendosmëri, ndaloi trenin dhe rrënoi murin, duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit, ku mbështetja e BE-së dhe SHBA-së ishte e qartë. Periudha e këtyre provokimeve përkonte me tranzicionin e administratës shtetërore amerikane pas zgjedhjeve atje të cilën Serbia u përpoq ta vejë në funksion të realizimit të iluzioneve të saj hegjemoniste.
Në shkurt të këtij viti, kur administrata e re amerikane e presidentit Trump bëri të qartë qëndrimin amerikan në mbështetje të fushime për Kosovën dhe se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i pacenueshëm, Serbia u ballafaqua me humbjen e radhës. Serbisë, po ashtu, iu bë e qartë se nuk mund të jetë edhe me Perëndimin dhe me Rusinë, meqë orientimet e tilla janë kundërshtuese.
Vlen të theksohet se ka edhe disa marrëveshje që janë në pritje të zbatimit si ajo e energjisë, asociacionit, kthimit të dokumenteve kadastrale, diplomave dhe tabelave të automjeteve. Po ashtu, ka edhe raste të shkeljes së marrëveshjeve nga ana e Serbisë dhe përpjekjeve të tjera destruktive për mbështetjen e disa strukturave paralele komunale. Këto struktura të mbetura paralele, përfshirë në arsim dhe shëndetësi, do të shuhen plotësisht në momentin e krijimit të Asociacionit, ndërsa procesi i hartimit të statutit do të shkojë paralelisht me shuarjen e tyre.
Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë nuk do të ketë kompetenca ekzekutive as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes në Kosovë. Ai do të jetë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës siç e përcakton Marrëveshja e Brukselit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Po ashtu, vlen të theksohet se Bashkimi Evropian si ndërmjetësuese dhe garantuese e marrëveshjeve ka kushtëzuar
Serbinë për zbatimin e plotë të këtyre marrëveshjeve përmes kapitullit 35 që është vënë si kusht shtesë për Serbinë për integrime evropiane. Ky kapitull, po ashtu, kërkon të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë sipas parimeve të fqinjësisë së mirë të përcaktuara me standardet evropiane. Mbështetja e ShBA-së dhe vendeve evropiane me ndikim, sidomos e Gjermanisë për kapitullin 35, bëjnë që Serbia të mos ketë alternativë, pos t’i zbatojë obligimet ndërkombëtare të dialogut.
Në përfundim dëshiroj të potencoj edhe një herë se paqja dhe fqinjësia e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë mund të arrihen vetëm me njohjen reciproke mes dy shteteve. Pas çdo lufte vjen paqja, njohja dhe vendosja e marrëdhënieve mes palëve në luftë. Mirëpo, vetëdijesimi i palës agresore për përgjegjësinë ndaj luftës, krimeve dhe gjenocidit është një hap fillestar për një marrëveshje paqe, dhe kjo i takon Serbisë ta bëjë për të dëshmuar se është gati për paqe me Kosovën. Kjo është në interes të dyja shteteve dhe mbarë rajonit, por edhe për Evropën sepse paqja në Ballkan është paqe në Evropë.
(Autorja ka qenë ministre për dialog dhe kryenegociatore e Republikës së Kosovë. Kjo kolumne është enkas për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”)