Dialogu i Brukselit nga perspektiva gjeopolitike
Shkruan: Dr. Edita Tahiri
Ish-ministre për Dialog dhe kryenegociatore
Përpjekjet për një marrëveshje historike paqësore mes shtetit të Kosovës dhe të Serbisë në prapavijë gjithnjë kanë pasur interesat gjeopolitike. Pse tash gati njëzetë vjet që mungon një marrëveshje e tillë, ka të bëjë pikërisht me përplasjet rreth interesave gjeopolitike, të cilat nuk janë shfaqur hapur, por që në realitet veprojnë në mënyrë të rrezikshme. Sa më afër fazës finale të Dialogut të Brukselit, të gjithë e pamë se tema e kufijve u rishfaq me ide serbo-ruse për ndryshim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo kohë kërkon nga ne që dialogun e Brukselit ta vështrojmë nga perspektiva gjeopolitike dhe të mos lejojmë që fitoren tonë gjeopolitike në vitin 1999 dikush të na e cenojë. Fitorja gjeopolitike e Kosovës u vulos në Konferencën e Rambujesë e cila solli intervenimin ushtarak të ShBA-së dhe NATO-s për ndaljen e luftës dhe gjenocidit dhe çlirimin e Kosovës në 1999.
Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se Dialogu i Brukselit në fazën finale të tij do të jetë një luftë gjeopolitike, prandaj duhet të jemi të përgatitur për t’i mbrojtur interesat gjeopolitike të Kosovës dhe kombit shqiptar si dhe interesat perëndimore euroatlantike përballë Serbisë e cila do të luftojë për interesa gjeopolitike serbo-ruse.
Kosova i tha jo prekjes së kufijve të saj në Dialogun e Brukselit. Kushdo që do ta përfaqësojë Kosovën në këtë dialog e ka parasysh këtë fakt. Askush nuk ka të drejtë as nuk guxon t’i prekë kufijtë e Kosovës sepse ne e fituam lirinë dhe pavarësinë e Kosovës me luftë e sakrifica më sublime pas një shekulli robërie. Askush, as Kosova e as vendet e tjera të rajonit që kanë orientim perëndimor, nuk duhet të lejojnë çfarëdo rikthimi të ndikimit rus në Ballkan dhe të lejohet rikthimi i dominimit serb të cilën e mposhtëm me luftërat tona të suksesshme për liri dhe pavarësi.
Loja e rrezikshme me kufijtë e Kosovës është skenar i rrezikshëm gjeopolitikë kundër interesave të Kosovës dhe kombit shqiptar. Një skenar i tillë dobëson pozicionin gjeopolitik të Kosovës dhe të kombit shqiptar, prandaj duhet të refuzohet kategorikisht. Krijimi i shtetit të Kosovës dhe forcimi demokratik i Shqipërisë kanë vënë kombin shqiptar në pozitë të avancuar gjeopolitike në rajon dhe më gjerë. Këtë përparim të kombit shqiptar nuk po mund ta durojnë as Serbia dhe as Rusia, sepse ende jetojnë me ëndrra të vjetra hegjemoniste. Derisa Serbia jeton me ëndrrën e “Serbisë së Madhe” në dëm të fqinjëve, ëndrra hegjemoniste ruse është të shtrihet në rikthimin e dominimit në territorin e ish-Bashkimit Sovjetik dhe rikthimin e ndikimit në Ballkan. Për Serbinë dhe Rusinë, faza finale e dialogut është një betejë e re gjeopolitike, që ka të bëjë me territore, me dominim, me nostalgjinë e humbjeve dhe traumave që patën pas përfundimit të luftës së ftohtë. Në fakt, Serbia ka bërë luftë gjeopolitike dhe jo bisedime paqësore me Kosovën si në Konferencën Ndërkombëtare të Rambujes (1999), po ashtu edhe në bisedimet e Vjenës për statusin e Kosovës (2006-2007).
Lufta gjeopolitike e Serbisë e zhvilluar në bisedimet paqësore në Rambuje u tregua me faktin se Serbia, nën ndikimin rus, nuk pranoi të bëjë marrëveshje pikërisht për arsye gjeopolitike. Në Konferencën e Rambujesë edhe Serbia edhe Rusia ishin pro pjesës politike të Marrëveshjes, por jo edhe pjesës ushtarake, pra ishin kundër vendosjes së NATO-s në Kosovë në mbrojtje të Kosovës. Madje Rusia nënshkroi pjesën politike, por jo edhe ushtarake të Marrëveshjes së Rambujesë.
Vendosja e NATO-s në Kosovë më 1999 ndryshoi hartën gjeopolitike të Ballkanit sepse ajo hyri përfundimisht në sferën gjeopolitike perëndimore. Kosova dhe fitorja historike e saj ishte nismëtare e këtyre ndryshimeve gjeopolitike. Pas vitit 1999 u bë anëtarësimi i njëpasnjëshëm i vendeve të Ballkanit në NATO, të Sllovenisë, Shqipërisë, Kroacisë dhe, së fundi, i Malit të Zi. ShBA-ja dhe Gjermania, si bashkëthemeluese të NATO-së dhe vetë NATO-ja, me strategji vendosën rrypinë e NATO-s përgjatë bregut të Detit Adriatik, duke ia prerë rrugën Rusisë për një qasje gjeostrategjike drejt detit Mesdhe. Jo rastësisht ndodhi përpjekja për atentat ndaj kreut të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ishte përpjekja e dëshpëruar ruse që ta pengojë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.
Serbia bëri luftën gjeopolitike edhe në bisedimet e Vjenës duke mos e pranuar marrëveshjen, respektivisht Planin e Ahtisarit, i cili përcaktoi statusin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa i dha minoritetit serb në Kosovë të drejta përtej standardeve.
Ndërkohë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, më 1999, Serbia ndërhyri në pjesën veriore të Kosovës me struktura paralele të saj, njësojë për qëllime gjeopolitike, sepse veriu i Kosovës ka pasuri gjeopolitike. Ne dhe gjithë bota e dimë se Kosova ishte e okupuar dhe kolonizuar gati një shekull vetëm pse ishte një tokë e pasur me minerale dhe pasuri të tjera natyrore. Fuqia gjeopolitike e Kosovës në pjesën më të madhe është në veri të vendit, miniera e Trepçës si ndër më të pasurat në Evropë dhe liqeni i Ujmanit një burim i fuqishëm uji industrial. Për këtë arsye, Serbia teksa u pajtua me humbjen e luftës në Kosovë nuk hoqi dorë asnjëherë nga mundësia për ta marrë përsëri veriun e Kosovës.
Në dialogun e Brukselit 2011-2017 Serbia pati një qasje më bashkëpunuese që lidhej me synimet e saj për integrime evropiane. Marrëveshjet e arritura në Bruksel mundësuan që Kosova ta rivendosë sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të vendit. Si kryenegociatore e Republikës së Kosovës në dialogun e Brukselit gjatë shtatë vjetëve e kam thënë dhe e them me përgjegjësi të plotë se dialogu i Brukselit mundësoi vendosjen e kufirit ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë, i cili ishte i cenuar për shumë vjet nga ana e Serbisë, madje pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 2008-n, dy pikëkalimet kufitare në veri, Jarinje dhe Bërnjak, ishin djegur dhe demoluar nga Serbia. Kosova vendosi autoritetet shtetërore kufitare, policinë dhe doganat, duke vendosur kontrollore kufitare, rend dhe ligj në këto dy pika kufitare. Po ashtu, sovraniteti i Kosovës u shtri në të gjitha shtyllat shtetërore, në sektorin e policisë, drejtësisë, doganave, taksave kufitare etj., u shuan strukturat paralele serbe, përfshirë edhe struktura paramilitare e ashtuquajtur “mbrojtja civile”, si dhe katër komunat morën pjesë në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës, për herë të parë pas pavarësisë. Kosova fitoi kodin e vet telefonik shtetëror 383 nga ITU si rezultat i Dialogut të Brukselit, ndërkohë u anëtarësua në shumë organizata rajonale.
Pra, dialogu i Brukselit mundësoi që Kosova ta vendosë juridiksionin e saj shtetëror në pjesën veriore të vendit dhe po kaq me rëndësi ia hapi rrugën zyrtare Kosovës për integrime evropiane, ku më 2015 nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Vlen të përmendet se edhe pesë vendet mosnjohëse të BE-së votuan pro MSA-së për Kosovën, sepse Marrëveshja e Stabilizim Asocimit ishte një kusht që Kosova ia kishte vënë BE-së për pjesëmarrje në dialog krahas kushteve të tjera (vijave të kuqe) që Kosova nuk pranon biseda për statusin, pavarësinë, integritetin territorial, unitaritetin, rregullimin e brendshëm dhe për minoritetin serb vijë e kuqe është Plani i Ahtisarit. Kosova, po ashtu, arriti ta kushtëzojë integrimin e Serbisë në BE, ku me kapitullin 35 BE-ja bëri zyrtar kushtëzimin e integrimit të Serbisë me arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Kosovën. Në ndërkohë tashmë disa qendra vendimmarrëse evropiane kanë bërë të qartë se nuk ka integrim evropian për Serbinë pa njohjen e pavarësisë së Kosovës.
E ballafaquar me këtë situatë dhe duke e parë që është duke e humbur luftën gjeopolitike, Serbia iu rikthye ambicieve të vjetra të hegjemonisë në Ballkan dhe përcaktimit të saj për gjeopolitikën ruse. Dhe këtë luftë e nisi, duke braktisur dialogun për fqinjësi dhe normalizim marrëdhëniesh dhe duke iniciuar ide për ndryshim kufijsh në dëme të Kosovës. Çka është më e keqja, kjo ide rrezikshme u importua në Kosovë nga presidenti i Kosovës, ndërsa kryeministri i Shqipërisë nuk ishte në gjendje t’ia presë rrugën kësaj ideje të shfaqur nga homologu i tij serb gjatë vizitës së tij në Serbi në tetor 2016. Mirëpo, udhëheqja serbe u shokua me refuzimin kategorik që i bëri Kosova dhe Shqipëria kësaj ideje serbo-ruse dhe, si rezultat, retorika serbe u është kthyer vajtimeve se është e vetmuar dhe se Kosova ka gjithë përkrahjen e vendeve perëndimore.
Jam e bindur se vajtimet serbe nuk mund ta mashtrojnë Perëndimin sepse strategjia gjeopolitike ka të bëjë me bilancet, rreshtimet e rirreshtimet dhe jo me emocione të rrejshme për të cilën është e njohur mjeshtëria serbe. Këtë më së miri ia ka bërë me dije Gjermania, e cila tha qartë se nuk ka ndryshim kufijsh, duke mbrojtur qartë parimet euroatlantike të lindjes së shtatë shteteve në Ballkan, ku Kosova është shteti më i ri. Shtetet e tjera evropiane që mbrojnë këtë qëndrim, si Mbretëria e Bashkuar, Franca etj., ia kanë bërë të qartë edhe Mogherinit se ka gabuar dhe ka shkelur parimet evropiane. Nga ana tjetër, ShBA-ja ka bërë të qartë se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë e pranueshme nga popujt e dy vendeve dhe duhet të sjellë stabilitet. Kjo që Serbia me një anë synon BE-në dhe shitet si pro-perëndimore, në anën tjetër mbetet pro-ruse dhe nuk merr pjesë në miratimin e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, është më tepër një problem që duhet ta brengosë jo vetëm Kosovën, Shqipërinë dhe gjithë rajonin, por edhe partnerët perëndimorë, ShBA-në, Gjermaninë, BE-në dhe vetë NATO-n.
Prandaj, lufta gjeopolitike që pritet të zhvillohet në fazën finale të dialogut është luftë jona dhe aleatëve tanë euroatlantikë, për një njohje reciproke mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, për moslejim të prekjes së kufijve të Kosovës si dhe për moslejim të rikthimit të ndikimit rus në Ballkan. Kjo është e vetmja rrugë që çon drejt një paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe mes dy kombeve, shqiptarëve dhe serbëve, si dhe kontribuon për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Mirëpo, për një paqe të qëndrueshme në Ballkan aleatët perëndimorë duhet ta kenë parasysh dhe të marrin masa kundër ambicieve gjeopolitike ruse në Ballkan. Rusia përmes Serbisë ka vazhduar përpjekjet për ta rikthyer ndikimin në Ballkan ashtu sikur që është duke u përpjekur në planin global. Rusia jo vetëm se është duke e armatosur Serbinë dhe e kontrollon pjesën serbe në Bosnje. Ajo madje ka vendosur një qendër ushtarake në Serbi (në Nish), ndërkohë që ka vazhduar me mjete të tjera propagandistike të ndërhyjë në vendet e tjera të Ballkanit. Një masë serioze që i jep përgjigjen e duhur Rusisë është vendosja e një baze amerikane në Kosovë për ta mbrojtur gjithë Ballkanin.
(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)