Dialogu i Brukselit pati suksese por u bllokua nga agjenda gjeopolitike e “Serbisë së madhe”

08 mars 2021 | 16:25

Dr. Edita Tahiri

Sot bëhen dhjetë vjet nga fillimi i dialogut të Brukselit, ku për herë të parë Kosova dhe Serbia si dy shtete të pavarura dhe sovrane filluan bisedimet për të vendosur marrëdhënie fqinjësore e paqësore në kuadër të parimeve euro-atlantike dhe me ndërmjetësimit euro-atlantik. Dialogu i Brukselit ishte procesi i tretë paqësor mes dy shteteve, pas Konferencës Paqësore të Rambujes në 1999 dhe Bisedimeve të Vjenës për Statusin e Kosovës në 2006-2007, të cilat nuk u nënshkruan nga pala serbe, mirëpo Kosovës i sollën lirinë dhe pavarësinë duke i dhënë fund luftës gjenocidale të Serbisë  ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në 1999.

Me pritjet që Dialogu i Brukselit të përfundonte shpejt dhe njohja reciproke të mos vonohej një dekadë, sot natyrshëm janë nxitur debate se si është e mundur që edhe pas një dekade nuk përfundoi, përkundër angazhimeve të fuqishme të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkundër që ky dialog ka pasur qëllimin që ti afronte dyja shtetet me Bashkimin Evropian.

Duke qenë kryenegociatore e Kosovës gjatë shtatë vjetësh në dialogun e Brukselit edhe njëherë dua të bëjë me dije se Dialogu i Brukselit ka qenë në rrugën e drejtë dhe ka sjellë rezultate për Kosovën sidomos në integrimin e pjesës veriore në sistemin shtetëror të Kosovës duke hequr nga tavolina idetë serbomëdha për ndarjen e Kosovës dhe po ashtu ka hapur rrugën zyrtare të integrimit evropian të Kosovës dhe anëtarësime të shumta në organizata rajonal dhe ndërkombëtare.

Mirëpo, kur Dialogu i Brukselit po i afrohej fazës përfundimtare, Serbia e bllokoi këtë proces me arsye gjeopolitike për krijimin e “Serbisë së madhe.” Veprimet destruktive të Serbisë, me ngritjen e një “muri ilegal” në pjesën veriore të Mitrovicës në dhjetor të vitit 2016 dhe nisjen e një treni “ilegal e provokativ” në janar të vitit 2017, nuk ishin provokime të rastësishme. Përkundrazi, këto veprime të rrezikshme paralajmëronin fundin e dialogut për fqinjësi mes shtetesh që zhvillohej në Bruksel dhe krijimin e hapësirës për ide të rrezikshme për ndryshim të kufijve dhe ndarjen e Kosovës që tashmë kishin nisur nëpër takime sekrete.

Duke e parë këtë situatë dhe duke u informuar nga burime të ndryshme për këto skenare të rrezikshme, në janar 2017 iu drejtova me letër Bashkimit Evropian, respektivisht ndërmjetësueses Federica Mogherini për t’ia bërë me dije lojërat e rrezikshme për kufijtë dhe pasojat e paparapara për paqen dhe stabilitetin në rajon.  Po ashtu, njoftova Washingtonin për këto zhvillime të rrezikshme.

Zhvillimet e mëtejme nxorën në pah vërtetësinë e lojërave të kufijve ku Kosova ishte në rrezik të humbte në paqe, ndërsa Serbia të fitonte atë për të cilën kishte bërë dhe lufta, pra për përvetësimin e pasurive natyrore të Kosovës (minierën e Trepçës dhe potencialin e ujit të Ujmanit) përmes synimit për ndarjen e Kosovës.

Ishte sukses i jashtëzakonshëm diplomatik dhe politik që Kosova arriti ta mposht këtë skenar të rrezikshëm për prekje kufijsh, i cili u varros në Samitin e Berlinit në prill 2019, me mbështetjen e fuqishme të Gjermanisë dhe aleatëve perëndimor SHBA, Francë, Britani e Madhe dhe të tjerë.

Mirëpo, ndonëse Serbia u mposht në këtë përpjekje, lufta e sajë për “Serbinë e Madhe” në shërbim të gjeopolitikës së sajë dhe të Rusisë po vazhdon. Kjo së fundi u pa edhe në ndërhyrjet e Serbisë ndaj Malit të Zi duke tentuar tja ndryshoj orientimin perëndimor euro-atlantik të Malit të Zi.

Serbia është dhe mbetet një faktor destabilizues për rajonin e Ballkanit Perëndimor sepse ndërhyrjet e saja në Bosnje Hercegovinë, Kosovë dhe Malin e Zi janë më se të dukshme. Dilemat e Serbisë se a do të rreshtohet me perëndimin dhe a ka përnjëmend integrimin evropian të Serbisë janë evidente, madje Serbia tashmë hapur ka marrë anën e lindjes duke forcuar lidhjet me Rusinë dhe duke nisur lidhjet me Kinën e më shumë.

Prandaj është koha për një vendim gjeopolitik nga aleatët tanë perëndimor, të tillë që ia ndal Serbisë lojërat gjeopolitike dhe konsolidon gjeopolitikën perëndimore në Ballkanin Perëndimor me ose pa Serbinë brenda sajë. Nuk është tragjike që kufiri gjeopolitik mes perëndimit dhe lindjes të përfundoj te kufiri me Serbinë, por shumë tragjike do të jetë që lejohet vazhdimi i lojërave gjeopolitike serbo-ruse në rajon.

Rrjedhimisht, edhe dialogu i Brukselit kërkon një zgjidhje gjeopolitike. Tashmë SHBA me presidentin Biden e bënë një hap të strategjik në këtë drejtim duke kërkuar hapur njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit. Tani edhe vendet e BE-së duhet të bëjnë të njëjtën duke nisur të parët Gjermania dhe Franca. Ndërsa vet Bashkimi Evropian duhet të zhvilloj një dialog gjeopolitik me pesë vendet mosnjohëse të Kosovës duke kërkuar që ta njohin pavarësinë e Kosovës në emër të një paqe e stabiliteti të qëndrueshëm në Ballkan dhe Evropë dhe në emër të konsolidimit të gjeopolitikës perëndimore në Ballkan që është e kërcënuar. Këto veprime gjeopolitike do ta vendosin Serbinë para një vendimi gjeopolitik duke qartësuar pozicionin e sajë dhe duke ia pamundësuar lojërat e saja të rrezikshme në këtë plan.

Një qasje e tillë gjeopolitike do të mundësonte përfundimin e suksesshëm të Dialogut të Brukselit përmes njohjes reciproke në kufijtë aktual mes Kosovës dhe Serbisë dhe me zgjidhjen e çështjes së reparacioneve të luftës dhe sukcesionit, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe të mbështetur në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi për njohjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.

Dialogu i Brukselit ka pasur suksese të konsiderueshme në shtatë vitet e para ndërsa bllokimet erdhën kur Serbia iu kthye hapur lojërave djallëzore gjeopolitike.

Dialogu i Brukselit mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, ndërmjetësuar nga BE dhe i mbështetur fuqishëm nga SHBA, ka dhënë rezultate mjaft të mëdha për forcimin e sovranitetit shtetëror të Kosovës si në planin e brendshëm ashtu edhe në planin ndërkombëtar, ka kontribuar për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, për integrimin e mëtejmë të pjesëtarëve të pakicës serbe në institucionet e Republikës së Kosovës, ndërkohë që ka mundësuar shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë në fusha relevante.

Si Kryenegociatore e Kosovës në këtë dialog për shtatë vite, mund të theksoj se suksesi kryesor i Kosovës në këtë dialog është fakti se kemi arritur ta bëjmë integrimin e pjesës veriore të vendit në sistemin shtetëror të Kosovës, që rrjedhimisht ka pasur efekte qenësore në normalizimin e gjendjes në veri, vendosjen e sundimit të ligjit dhe krijimin e një situate shumë më të mirë të sigurisë dhe demokracisë.

 Gjendja para dialogut

Para fillimit të dialogut, gjendja në veri të vendit ka qenë mjaft e rëndë dhe të pasigurtë, kjo për shkak veprimtarisë ilegale të strukturave paralele serbe dhe ligjeve të Serbisë, si dhe prezencës së elementeve kriminale dhe kërcënimeve që i janë bërë pakicës serbe nga ana e Serbisë me qëllim për të penguar integrimin e tyre në sistemin e shtetit të Kosovës. Strukturat paralele serbe kanë vepruar në fushat si drejtësia (gjykatat dhe prokuroria), policia, doganat, katër komunat veriore, struktura paramilitare “mbrojtja civile” etj. Po ashtu, kufiri ndërshtetëror në pjesën veriore ka qenë i cenuar, pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak kanë qenë të djegura dhe demoluara, si reagim i Serbisë ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Kontributi i dialogut në konsolidimin e sovranitetin shtetëror në pjesën veriore të Kosovës

Marrëveshjet e arritura në Bruksel kanë mundësuar që Kosova ta shtrijë dhe konsolidoj sovranitetin shtetëror në veri të vendit.

Duke falënderuar dialogut të Brukselit, kemi vendosur kufirin ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbinë në pjesën veriore, duke rivendosur autoritetet shtetërore kufitare në dy pikat kufitare në veri, Jarinje dhe Bërnjak përmes marrëveshje së IBM-së (2011), të cilat ishin djegur e cenuar nga Serbia pas shpalljes së pavarësisë. Që nga 2012 kur filloi zbatimi i kësaj marrëveshjeje, tashmë asnjë qytetar i Serbisë nuk mund të hyj në Kosovë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar, gjë që para marrëveshjes së IBM dhe asaj të lëvizjes së lirë të arritura në Bruksel në vitin 2011, qytetarët e Serbisë hynin lirshëm pa asnjë pengesë sepse pikat kufitare ishin jashtë kontrollit tonë ndërsa kontrabanda dhe dukuritë tjera negative kanë qenë prezentë.

Kemi arritur të shtrijmë sovranitetin në veri të vendit përmes vendosjes së institucioneve qendrore, në shumicën e sektorëve. Kemi vendosur policinë, gjyqësinë, doganat e shtetit të Kosovës në veri të vendit, ndërsa i kemi zhbërë strukturat paralele serbe në gjithë këto fusha e fusha tjera përfshirë zhbërjen e strukturës paramilitare të ashtuquajtur “mbrojtje civile.”

Qeveria e Kosovës ka nisur edhe për pajisjen me dokumente të shtetësisë dhe të gjendjes civile për qytetarët në katër komunat veriore, për të cilat kërkesat janë në rritje.

Dialogu dhe marrëveshjet e arritura kanë mundësuar që shteti i Kosovës të vendos kontrollin tërë territorin përfshirë integrimin e katër komunave veriore të cilat që nga viti 2013 kanë marrë pjesë ne zgjedhjet lokale të shtetit të Kosovës dhe punojmë me ligjet e Kosovës, ndërkohë që kemi arritur që të rrisim integrimin e pjesëtarëve të minoritetit serb në veri në institucionet shtetërore të Kosovës në nivelin nacional dhe lokal, të cilët për një kohë, të detyruar apo të kërcënuar nga Serbia, refuzonin integrimin, por që pas marrëveshjeve të Brukselit kjo situatë ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshoj për të mirë.

Dialogu ka mundësuar lëvizjen e lirë dhe tregtinë e lirë mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, duke ndihmuar përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja shtetet që nga fundi i vitit 2011, si dhe janë hapur përfaqësi diplomatike/zyra ndërlidhëse në të dyja shtetet për të ndihmuar qytetarët dhe relacionet mes dy shteteve. Pastaj ka ndodhur njohja reciproke e certifikatave të sigurimit te automjeteve, te certifikatave fitosanitare, ADR-së, etj.

Heqja e barrikadës nga ura e Mitrovicës dhe revitalizimi të urës nga BE kanë një simbolikë të fuqishme në kuptimet e konsolidimit të sovranitetit. Ndonëse kjo urë ende nuk është krejt e lirë për qarkullim për shkaqet që dihen, një ditë do të jetë. Ky dialog ka ndihmuar që të sigurohet lëvizja e lirë, të hiqen të gjitha barrikadat në veri. Ndryshimet janë të mëdha kur merret parasysh fakti se zyrtarët policor dhe doganor një kohë është dashur të shkojnë me helikopter në pikëkalimet kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Po ashtu, Kosovë mori kodin shtetëror telefonik 383 nga ana e ITU pikërisht si rezultat i marrëveshjes së Brukselit për telekom në vitin 2016, i cili tashmë është në zbatim që nga 2018.  Kodi telefonik shtetëror i Kosovës i dha Kosovës identitet shtetëror ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit dhe eliminoi nga Kosova kodin e okupatorit serb 381 që qytetarët tanë u detyruan ta përdorin edhe nëntë vjet tjera pas luftës.

Kosova vendosi sistemin e pavarur energjetik si rezultat i Dialogut të Brukselit, duke u anëtarësuar në sistemin evropian të transimisionit ENTSO-e si dhe duke vendosur kufirin energjetik ne kufirin shtetëror të Kosovës, që ishte i cenuar shumë vite nga strukturat paralele serbe të energjisë në pjesën veriore të vendit.

Kontributi i dialogut në avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe agjendës euroatlantike të shtetit të Kosovës

Në planin ndërkombëtar, Dialogu i Brukselit ka kontribuar për forcimin subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e agjendës evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës.

Dialogu i Brukselit ka kontribuar drejtpërsëdrejti në arritjen e Marrëveshjes Stabilizim Asocim (MSA) mes Kosovës dhe BE-së në tetor 2015, me të cilin Kosova ka hapur kapitullin e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në dhe ka hyrë në rrugën zyrtare të integrimit në BE. MSA-ja për Kosovën ka qenë njeri nga kushtet tona për BE-në për ta pranuar këtë dialog me Serbinë dhe kjo u realizua. Serioziteti i angazhimit tonë në këtë dialog bëri që edhe pesë vendet mosonjohëse të BE-së të votojnë në përkrahje të MSA-së për Kosovën.

Po ashtu Dialogu i Brukselit afroi më shumë Kosovën me NATO-në, se Kosova arriti të vendos lidhje zyrtare me NATO-në, në vitin 2016, që nuk kishte ndodhur më parë. Para se të filloj ky dialog, Kosova ka pasur bashkëpunim të ngushtë me NATO por jo edhe lidhje zyrtare, e cila erdhi si rezultat i dialogut të Brukselit.

Pra angazhimi jonë në dialog përmirësoi imazhin e Kosovës si shtet sepse ne treguam se angazhohemi për paqe, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe stabilitet në rajon, gjë e cila u vlerësua nga vendet anëtare të BE-së që rrjedhimisht bëri që ata ti japin mbështetje për MSA-së për Kosovën duke konfirmuar se Kosova ka ardhmëri evropiane.

Përveç kësaj, dialogu ka mundësuar që Kosova të bëhet anëtare e shumë organizatave rajonale dhe ndërkombëtare ndërsa Serbia nuk ka mundur ta pengoj këtë proces meqenëse se ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse në dialogun e Brukselit që kanë bërë zgjidhjen e këtij problemi. Dialogu i Brukselit ka dhënë kontribut të drejtpërdrejte edhe për rritjen e anëtarësimeve të Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke ndihmuar në heqjen e pengesave për anëtarësim të krijuara nga Serbia e vendet që kanë qenë në linjë me te. Kosova si shtet me të drejta të plota si shtetet tjera është anëtarësuar në shumë organizata ndërkombëtare dhe rajonale përfshirë këtu organizatat RCC, SEECP, MARRI, RYCO, ENTSO-E, Procesi i Berlinit, e shumë tjera, po ashtu Kosova është bërë anëtare në Gjykatën e Përhershme të Arbitrazhit, Konventën Apostille, Shoqatën Ndërkombëtare të Prokurorëve, Odën Ekonomike Evropiane. Kosova merr është pjesë në Asamblesë parlamentare të NATO, të Këshillit të Evropës, në takimet Kartës së Adriatikut A5 për çështjet e sigurisë dhe shumë organizata tjera. Kosova është anëtarësuar në gjitha organizatat e rëndësishme ndërkombëtare për sportin përfshirë edhe Komitetin Olimpik botëror.

Dialogu i Brukselit  ka kontribuar në rritjen e numrit të njohjeve  të shtetit të Kosovës, e cila mund te shihet nga krahasimi me situatën me ndaljen e dialogut për disa kohë, për shkak të lojërave të rrezikshme për prekje kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë (vitet 2018-2019), ku ka pasur ngecje në njohje madje edhe kanë ndodhur disa çnjohje deri në vitin 2020, kur ndodhi një njohje e fuqishme nga Izraeli si rezultat i Marrëveshjes së Washingtonit për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kontributet tjera të dialogut

Ka edhe shumë rezultate të tjera që ka sjellë ky dialog në planin politik, social, sigurisë dhe atë ekonomik. Në planin e sigurisë së qytetarëve ka pasur rezultate të prekshme, sepse dialogu dhe vendosja e policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit ka bërë që të bjerë dukshëm krimi dhe kontrabanda ndërsa vrasjet me motive etnike janë eliminuar.

Në planin ekonomik, vetëm për katër vite 2013-2017 kanë hyrë gati një miliard euro në buxhetin e Kosovës nga taksat doganore që grumbullohen në Jarinje dhe Bërnjak që nga dhjetori 2013 dhe nga eksportet e Kosovës jashtë vendit që bëhen në rrugë tranzite përmes Serbisë.

Edhe Marrëveshja për Asociacionin është në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, sepse nuk i lejon kompetenca ekzekutive këtij asociacioni. Po të ishte ndryshe atëherë Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta hidhte poshtë dhe do të kërkonte rinegocim të marrëveshjes. Por, Gjykata nuk e bëri një vendim të tillë, por vetëm konstatoi se në disa pika marrëveshja nuk është në pajtim të plotë me frymën e Kushtetutës, që ka qenë në rregull sepse marrëveshjet ndërkombëtare ndjekin një gjuhë ambivalente, ndërsa statuti i Asociacionit do të ketë qartësi në këtë drejtim duke respektuar vendimin e Gjykatës dhe vet Marrëveshjen e Brukselit. Madje disa parti opozitare e kthyen në kauzë të rrejshme politike çështjen e Asociacionit, siç bënë edhe me marrëveshjen e demarkacionit, mirëpo faktet ligjore nuk mund të tjetërsohen, pavarësisht se politika mund të rezultoj edhe në manipulime e madje edhe përfitime politike, siç ndodhi në Kosovë.

Është me rëndësi të theksohet, se ne kemi arritur të kushtëzojmë zbatimin e asociacionit e shuarjen e plotë të strukturave të mbetura paralele serbe në Kosovë, që përfshijnë fushat e arsimit dhe shëndetësisë dhe disa struktura të nivelit lokal të qeverisjes.

Si rezultat, Serbia praktikisht e ka njohur shtetin e Kosovës në secilën nga fushat ku janë arritur marrëveshjet.

Kosova ka arritur ta kushtëzoj integrimin evropian të Serbisë përmes kapitullit 35

Për të detyruar Serbinë që të bashkëpunoj në këtë proces paqësor, ne si delegacion i Kosovës kemi arritur të bindim Bashkimi Evropian me fakte (përmes raporteve të rregullta për gjendjen në zbatimin  e marrëveshjeve) që ta kushtëzoj Serbinë në rrugën e integrimit evropian me vendosjen e fqinjësisë me Kosovën dhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Këto kushte siç mund ta dini janë përcaktuar nga kapitulli 35 të cilën Serbia detyrohet ta zbatoj krahas 34 kapitujve tjerë për integrimin evropian.

Për sa i takon përfitimeve të Serbisë, këtë çështje duhet parë në një relacion kushtëzimi, pra sa më shumë që Serbia është tërhequr nga pjesa veriore e Kosovës, aq më tepër i është afruar BE-së. Pra Serbia është detyruar të ndal ndërhyrjet në Kosovë, të dëshmoj se është gati për fqinjësi dhe normalizim marrëdhëniesh me Kosovën, duke nënshkruar dhe zbatuar marrëveshjet që respektojnë ligjet e Kosovës. Po ashtu nuk duhet harruar se Kosova dhe Serbia kanë nisur rrugëtimin e tyre evropian në kohë të ndryshme, Serbia më herët dhe Kosova më vonë, për rrethana të njohura. Kosova ka dal e lodhur nga lufta dhe kapacitetet e saja për reformat evropiane dhe shpejtësinë e realizimit të tyre duhet parë në këtë kontekst. Kjo është edhe një padrejtësi më shumë më shumë që i ndodh shteteve që janë viktima, sepse dëmtohen nga lufta, ndërkohë që agresori duke qenë i padëmtuar ec më shpejt. Mendoj që kjo padrejtësi ka mundur të trajtohet me mirë nga BE-ja, me një qasje më strategjike, ku BE-ja u desht dhe duhet të ndihmojë Kosovën të ec më shpejt në rrugën e integrimit evropian, duke ndihmuar me pako stimuluese pro-aktive për rritjen e kapaciteteve të saja.

Delegacioni i Kosovës dhe unë si kryenegociatore kemi mbrojtur interesat nacionale dhe “Vijat e kuqe”

Kosova ka mbrojtur fuqimisht interesat shtetërore në dialogun e Brukselit, si dhe në secilën marrëveshje të arritur i kemi respektuar vijat e kuqe të përcaktuara në platformën shtetërore të Republikës së Kosovës, si në dialogun teknik ashtu edhe në dialogun  për normalizim të marrëdhënieve. Të gjitha marrëveshjet arritura, gjithsejtë tridhjetetre, janë në pajtim me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës, rrjedhimisht sot në veri të vendit veprojnë institucionet shtetërore të Kosovës. Të gjitha marrëveshjet e Brukselit janë të publikuara në website-in e Zyrës së Kryeministrit.

Delegacioni i Republikës së Kosovës ka qenë i udhëhequr nga unë si Kryenegociatore dhe Zëndëskryeministre (pastaj Ministre për Dialog), ndërsa në përbërje kanë qenë ekspertët e fushave të deleguar nga Ministritë e linjës, varësisht nga tema e bisedimeve. Në dialogun teknik, 2011-2012, Kryenegociatorët kanë qenë udhëheqës dhe negociatorë kryesor të dialogut, ndërsa në dialogun politik, përveç kryenegocitaorëve, dyja shtetet janë përfaqësuar nga niveli politik nga kryeministrat. Procesi negociator dhe propozim marrëveshjet janë arritur në nivel të kryenegociatorëve, ndërsa dallimet e mbetura të karakterit të ndjeshëm politik janë negociuar dhe arritur në nivelin politik. Në bisedimet e nivelit politik, përbërja e delegacionit ka përfshirë partnerët kryesor të koalicionit, dhe në një periudhë edhe një parti opozitare ka pasur përfaqësuesin e vet (AAK-ja).

Shumica e këtyre marrëveshjeve zbatohen nga të dyja shtetet, ndërsa në proces të pritjes për zbatim janë: marrëveshtjet nga fusha e diplomave, kadastra, asociacioni, recipriteti në traga të automjeteve, ndërtimit i ndërtesave në tri pikat kufitare nga ana e Serbisë ndërkohë që Kosova ka kryer pjesën më të madhe përfshirë PPK në Merdarë.

Ka pasur vonesa në arritjen e marrëveshjeve, pastaj vonesa e sabotime në zbatimin e tyre, që janë shkaktuar kryesisht nga ana e palës serbe. Po ashtu ka pasur tendenca nga ana e Serbisë që të diskutohet për Minierën e Trepçës dhe Ujmanin në dialogun e Brukselit, të cilat i kam refuzuar rreptësishtë. Serbia përgjithësisht është munduar që sa më shumë ta zvarris procesin e dialogut. Qëllimi i Serbisë ka qenë të ec në rrugën e integrimit evropian pa pasur ndonjë progres substancial në dialogun e Brukselit. Mirëpo, kjo qasje hipokrite e Serbisë është penguar nga partnerët evropian dhe euro-atlantik, SHBA-ja, Gjermania dhe Britania e Madhe.

Nga ana e sajë, Kosova ka qenë mjaft serioze dhe konstruktive në këtë dialog, si dhe në zbatimin e marrëveshjeve sepse ne kemi qenë të interesuar që ti zgjidhim problemet në pjesën veriore të vendit dhe ti japim fund ndërhyrjeve të Serbisë në Kosovë si dhe ta përparojmë shtetin tonë në planin ndërkombëtar, gjë që e kemi arritur në masë të madhe.

Sa i takon keqinterpretimeve dhe keqpërdorimeve, vet natyra e ndjeshme e negociatave dhe nevoja për një shkallë konfidencialiteti, ka bërë të pamundur që i tërë procesi të jetë transparentë dhe i hapur për tu kuptuar, që pashmangshëm ka krijuar edhe keqinterpretime apo keqpërdorime. Mirëpo, raportimet e rregullta për rrjedhat e dialogut në BE kanë qenë publike, të botuara në media dhe në websitin zyrtarë te qeverisë së Kosovë, si edhe të gjitha marrëveshjet e arritura, platformat shtetërore për dialog dhe dokumente tjera relevante. Po ashtu, komunikimet mediale, konferencat për shtyp, intervistat,  pjesëmarrja në konferenca të ndryshme. Të gjitha këto mjete të komunikimit kanë mundësuar që të kuptohen rrjedhat e dialogut. Pavarësisht kësaj kanë ndodhur keqinterpretime e keqpërdorime, madje ka pasur dhe ka ende tendenca që rezultatet e dialogut të përvetësohen nga të tjerë varësisht nga fushat ku ka pasur arritje.

Konkluzion

Kosova ka qenë dhe jemi të interesuar për vendosjen e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë, e cila mund të realizohet vetëm me njohjen e ndërsjellë mes dy shteteve në kufijtë aktual, me të cilën do të mbyllej kapitulli armiqësive dhe do të fillonte një kapitull i marrëdhënieve paqësore dhe fqinjësore.

Kjo përkundër faktit se mes dy shteteve është një histori lufte ku Serbia ka qenë agresori ndërsa Kosova ka qenë viktima, ku nga lufta agresore e Serbisë, shqiptarët e Kosovës kanë pësuar një gjenocid të paparë. Ne e kemi fituar luftën dhe pavarësinë e Kosovës në bashkëpunim dhe mbështetje nga aleatet tanë në krye me SHBA, NATO dhe BE. Nga ana tjetër, Serbia e ka humbur këtë luftë.

Tani pas më shumë se njëzetë vjet përpjekjesh paqësore të vendosur fqinjësi dhe paqe, që nga Rambujeja, Vjena e Brukseli, dhe dhjetë vjet dialog në Bruksel si dhe një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh ekonomike në Washington, mendoj se duhet t’i jepet shpejtë fund këtyre bisedimeve me një marrëveshje paqësore për njohje reciproke në kufijtë aktual.

Zgjidhja nuk është në tavolinën diplomatike por në tavolinën gjeopolitike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kapiteni Valon Dedaj është i motivuar për ta udhëhequr lojën…