Dialogu i pambaruar
Hysni Gucati
Kaluan shumë vjet duke biseduar me Serbinë në dëm të Kosovës. Sigurisht pala ndërmjetësuese nuk po dëshiron ta mbajë anën e së drejtës, pra të Kosovës, e cila po dëmtohet skajshmërisht qëkur kanë filluar bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Pjesë e këtyre bisedimeve kanë qenë decentralizimi dhe eksterritorialiteti i kishave dhe manastireve ortodokse, proces ky që e ka dëmtuar Kosovën në aspektin territorial dhe në atë politik. Decentralizimi do t’ia mundësojë Serbisë ushtrimin e kontrollit në më shumë se 15 % të territorit të Kosovës (prej rajonit të Anamoravës e deri në Graçanicë), pa llogaritur këtu edhe 17 % të territorit që shteti serb ka në veriun e Kosovës, ku funksionon çdo strukturë institucionale e këtij shteti.
Procesi tjetër plotësues me atë të decentralizimit është eksterritorialiteti i objekteve fetare ortodokse. Sipas planeve të Qeverisë serbe, statusin eksterritorial do ta fitojnë dhjetëra kisha dhe manastire ortodokse, të cilat Serbia i quan të një ‘rëndësie strategjike’, hapësirë kjo që përfshin rreth 1.000 km2, apo mbi 9 % të territorit të Kosovës. (Eksterritorialiteti sot e ka kuptimin e krijimit të një minishteti brenda shtetit të Kosovës).
Duke e biseduar këtë temë me shokë e miq, madje edhe me kolegët e mi të organizatës së veteranëve të UÇK-së, njerëzit jo që nuk pajtohen, por janë të gatshëm të dalin në mal, dikujt edhe mund t’i duket e çuditshme, por kjo ndodh. Shumë vjet para se UÇK-ja të formohet disa njerëz në shenjë pakënaqësie me pushtetin brutal të Millosheviqit dolën në mal e me kalimin e kohës e formuan edhe UÇK-në.
Kam dëgjuar njerëz në tubime, ndeja e oda duke biseduar mes vete se “cili është kuptimi i dialogut”. Njerëzit ndoshta nuk e dinë se sa e kanë dëmtuar 33 marrëveshjet e arritura gjatë dialogut (bisedimeve) Kosovë – Serbi, Kosovën. Madje shumëkush nuk e di sa prej tyre janë zbatuar gjerë më sot e sa nuk janë zbatuar. Lidhur me dialogun është edhe diçka tjetër që të bën të mos ndihesh mirë, gjatë gjithë procesit të bisedimeve është vërejtur një mungesë e transparencës dhe kjo tregon se palët kanë fshehur shumëçka nga ky proces që shkon në dëm të palës së Kosovës.
Njerëzit pak apo aspak po e përmendin kompromisin rreth fusnotës e cila, po ashtu, ka qenë ndër vendimet e dhimbshme (lëshim pe apo vendim i papërgjegjshëm) që e ka dëmtuar pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës. I gjithë ky proces i dëmshëm ndodhi kinse në emër të përfaqësimit rajonal të Kosovës, për ta forcuar Kosova perspektivën e vet evropiane, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani diçka e tillë.
Ky ishte një mashtrim klasik i popullit të Kosovës nga përfaqësuesit e zgjedhur të saj. Kjo ishte marrëveshja që Kosova heqë dorë nga shtetësia e saj dhe e kthej Kosovën dekada pas.
Shumica prej këtyre marrëveshjeve edhe sot e kësaj dite mbahen fshehur. Pos popullit të thjeshtë që ka qenë dashtë të jetë i informuar, për këto procese nuk kanë qenë të informuar në shumicën e rasteve as deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë përfaqësues të popullit.
Disa e arsyetojnë dialogun (zgjatjen e këtij procesi) kinse për shkak të ndërhyrjes së Kinës dhe Rusisë në këtë proces duke e mbajtur anën e Serbisë. Ekipi negociator e di fare mirë se Kina dhe Rusia janë tërhequr moti nga ky proces.
Problematikat rreth dialogut kanë shkuar edhe më larg, vazhdimisht ka pasur përplasje mes partive lidhur me dilemën a duhet të vazhdohet dialogu me Serbinë pa strategji dhe platformë kombëtare. Dialogu duhet ta ketë një qëllim, ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial, të ketë unitet shtetëror dhe Kosova të jetë e ranguar me Serbinë si shtete të barabarta në organizatat ndërkombëtare.
Bisedimet në fakt ka qenë dashtë të zhvillohen rreth profilizimit të pakicave serbe në Kosovë, rreth krimeve të luftës, rreth të pagjeturve, rreth resurseve të mëdha ekonomike që ende i menaxhon Serbia siç është “Trepça” e resurse të tjera si “Trepça”. Por ekipet negociuese, siç duket, kanë shkuar aq larg saqë janë deklaruar se kemi bërë kompromise të dhimbshme rreth ndarjes së Kosovës dhe dëmtimit të sovranitetit të saj.
Unë mendoj se dialogu duhet të përmbyllet shpejt dhe se të gjitha marrëveshjet që janë bërë në dëm të Kosovës nuk do të jenë të pranueshme siç kanë qenë për Serbinë të pazbatueshme shumica e marrëveshjeve që janë bërë deri më tani. Bisedimet dhe dialogu duhet të kenë një format dhe qasje ndryshe. Popullit po i humbet durimi, e popullit do t’i bashkohemi edhe ne.
Serbia edhe në këtë kohë Kosovën e konsideron zyrtarisht pjesë të vetën dhe ashtu po vepron. Minoriteti serb jeton nëpër enklava dhe nuk e pranon shtetësinë e Kosovës, duke e përjashtuar një grup simbolik nga ky minoritet që e pranon Kosovën, por nuk deklarohet. Paguhet nga buxheti i Serbisë dhe punon më planprograme dhe dokumentacione zyrtare të Serbisë.
Në anën tjetër, jo pak shqiptarë të Kosovës e kanë pranuar shtetësinë e Serbisë, së paku mbi 30 mijë janë të evidentuar si të tillë. Shikoni sa qytetarë të Kosovës e kanë tërhequr shtetësinë, janë mbi 10 mijë njerëz, e të mos flasim sa njerëz kanë azil politik në vendet e Evropës si të përndjekur. Po ashtu, 50 mijë kosovarë të tjerë që ikën nga Kosova në shenjë revolte për shkak të pasigurisë dhe mosperspektivës.
Edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës vepron në Kosovë administrata e UNMIK-ut e cila e njeh Rezolutën 1244. Për t’i përballuar këto probleme neve na ka munguar strategjia përkatëse dhe ndërtimi i organizmave preventivë. Lojës me pakicat serbe duhet t’i vijë fundi. Pakica serbe është një mekanizëm i instrumentalizuar në duart e Beogradit. Atyre të drejtat e rezervuara po u japin hapësirë për të dominuar mbi 99 për qind të shumicës shqiptare. Në anën tjetër, deputetët e minoritetit serb, edhe sot e kësaj dite, shumica prej tyre nuk e njohin shtetin e Kosovës, por kanë mundësi të vendosin balance dhe prishin balance sa i përket konceptit të vendimmarrjes për çështje të rëndësishme.
Faktikisht, ky fenomen Kosovës ia ka prishur imazhin në arenën ndërkombëtare.
Serbia pothuajse për ditë e rrezikon stabilitetin e Kosovës, kurse ne kemi heshtur. Gjatë këtyre viteve Serbia e ka provokuar në format më të vrazhda dhe më të padurueshme pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe ne prapë kemi heshtur. Këto janë disa nga shenjat që tregojnë se Kosova po “palestinizohet”.
Dialogu duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe të njoftohet populli me vendimet dhe ecurinë e bisedimeve. Në të kundërtën, situatat e deritanishme kanë treguar se Kosova është pronë e një kaste njerëzish të cilët mund të bëjnë çfarë të duan me të. E thashë edhe më parë se marrëveshjet që janë bërë në dëm të Kosovës nuk kanë për të qenë të pranueshme, pasi që aty ku cenohet integriteti i Kosovës derdhet gjak i ri.
Në bisedimet e mëhershme, Edita Tahiri, në bashkëpunim me Jeremiqin dhe negociuesit e tjerë, i përgatitën planet për një autonomie të cunguar, ndoshta të përmasave si të vitit 1945, kur Kosova dhe viset e tjera iu aneksuan Serbisë. Sigurisht se ekipi negociator i Kosovës i ka parasysh rreziqet e mundshme.
Bisedimet me Vuçiqin, të cilat po zhvillohen në fshehtësi, janë të papranueshme dhe paraqesin rreziqe të reja për Kosovën. Qytetarët ka kohë që kanë filluar ta humbin besimin në disa prej institucioneve të qeverive të kaluara dhe të kësaj Qeverie. Ky fenomen është bërë i dukshëm para shumë vitesh. Sistemi shumë i dobët i stafit diplomatik ka bërë që Kosova të dështojë në shumë procese zhvillimore të politikave të jashtme. E tillë është loja me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e nën presionin e Serbisë qenkan tërhequr! Stafi diplomatik i Kosovës nuk ka mundur ta tejkalojë këtë goditje që ka ardhur nga Serbia dhe kjo lojë po vazhdon edhe sot.
Pushtetarët tanë dhe strukturat që janë caktuar për ta vazhduar dhe përfunduar dialogun me Serbinë si duket kanë rënë nën ndikimet strategjike të projektit të kryetarit të Serbisë të shifruar, exit strategy (strategjia dalëse), përmes të cilit është paraparë të shtyhet dialogu deri në pakufi apo derisa Serbia t’i mbërrijë qëllimet e veta.
Ushtarët e minoritetit serb në FSK, por edhe në ShPK, marrin pensione nga Beogradi, në disa raste edhe paga. Këtë e tregon më së miri tërheqja e disa pjesëtarëve serbë nga FSK-ja nën presionet e Beogradit.
Serbia përmes ndikimit ekonomik dhe biznesmenëve artificialë-hibridë që i ka krijuar në Kosovë po e shtrinë ndikimin e vet politik në Kosovë. Ky proces po e rrezikon pavarësinë e Kosovës dhe i ka dhënë hapësirë të mjaftueshme depërtimit rus në Kosovë, por edhe në vendet e rajonit, si në Maqedoni, Greqi, Shqipëri, Serbi, Mal i Zi etj. Madje ky proces, bëhet fjalë për ndikimin ekonomik, ka shkuar aq larg saqë është duke u punuar në projektin e ri të rikonsolidimit të Jugosllavisë së re, prapa të cilit qëndrojnë edhe disa politikanë kosovarë, por edhe nga Shqipëria.
Unë mendoj se nuk është mirë të luhet me pavarësinë e Kosovës sikurse u luajt dikur me ndërrimin e Kushtetutës e ky problem u bë shkas për t’u ngritur i madh e i vogël në mbrojtje të Kushtetutës. Prandaj konsultimi është ndër shtyllat e progresit. Mos i bëni gjërat kokë në vete. Populli ju zgjedh juve, por populli edhe ju ndëshkon. Ai është sovrani.
Ndikimi politik i kishës ortodokse në Kosovë dhe shtetet e rajonit i ngjalli ekstremizmat e tjerë fetarë në rajon. Për ta dëmtuar imazhin e Kosovës, Kisha Ortodokse e ndihmoi për t’u fuqizuar vijën e ekstremizmit mysliman për ta paraqitur Kosovën në arenën ndërkombëtare shtet me ndikim islamik. Me këtë letër Serbia ka luajtur disa herë edhe në të kaluarën.
Gjatë historisë të gjitha dyndjet e mëdha i ka organizuar Kisha Ortodokse kundër shqiptarëve. Fillimisht i detyronte shqiptarët ta ndërronin identitetin, kombësinë dhe fenë. Në disa raste, para se të organizoheshin shpërnguljet masive të shqiptarëve, i detyronin të shkruheshin turq, pastaj bëheshin konventat në mes të Turqisë dhe Serbisë për dëbimin e tyre në tokat e shkreta të Anadollit, për t’i populluar ato pjesë. E ka hequr të zitë e ullirit ky popull, por gjithmonë ka dalë dikush që i ka dalë Zot.
Nuk na vlejnë fitoret që e lënë shtetin në disavantazh. T’i mbledhim dhe t’i avancojmë mendjet e ndritura. Njerëz që e duan pa hile këtë vend ka mjaft. Edhe ju që na keni udhëhequr gjerë më tani e keni hisen e madhe në këtë vend, se keni bërë mund e sakrifica të mëdha, por ta udhëhiqni vendin nuk keni ditur.
Serbia duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës, pastaj Kosova ka argumentet e veta për të negociuar. Një vend i enklavizuar si Kosova, me një sistem paralel në të gjitha fushat, me liri të kufizuara në të gjitha hapësirat e këtij territori, me banda e grupe të armatosura e të uniformuara që sillen në Kosovë para syve të BE-së, të politikanëve tanë e para tërë botës, nuk ka bisedime të mirëfillta.
Keni kohë të mjaftueshme t’i ndërtoni platformat politike të zgjedhjes së problemit mes Kosovës dhe Serbisë, pastaj bisedimet janë të nivelit të barabartë. Nuk është e pranueshme që bisedimet të bëhen nën presionin e bandave paramilitare dhe ndikimit të brendshëm që e ka shtrirë Serbia në Kosovë. Këshilla e fundit e imja është ta shpëtojmë kombin nga injoranca, korrupsioni e harresa historike. Duhet ta promovojmë Kosovën jo përmes kompanive lobuese, por të bëjmë punë që të lobojmë për to.
T’i promovojmë vlerat e popullit shqiptar dhe të lobojmë në botë me këto vlera që janë universale në botë. Duhet të bëjmë aleanca të fuqishme me shqiptarët e Luginës së Preshevës, me shqiptarët e Çamërisë, me ata të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Kosovës e të Shqipërisë, me shqiptarët e diasporës që janë pjesa elitare e kombit shqiptar. Mos t’i harrojmë shqiptarët e kolonive të hershme të vendosur në ShBA, Itali, Turqi, Greqi etj. për ta çuar vendin përpara dhe për t’i gjetur rrugët e favorshme të dialogut të Kosovës dhe Serbisë. Ia vlen një sakrificë e tillë.