Dialogu ka sukses nëse përfshihet ShBA-ja
Deputeti Ilir Deda nga subjekti politik Alternativa ka bërë me dije se pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), në çfarëdo forme që kyçen, nuk mund të ketë sukses dialogu Kosovë-Serbi.
Ai në një intervistë dhënë për “Radion Evropa e Lirë” ka thënë se dialogu do të kishte suksese nëse ShBA-ja përfshihet në këtë proces.
“Pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në çfarëdo forme që kyçen, nuk mund të ketë sukses ky proces. Sa herë që SHBA-ja dhe BE-ja kanë qenë në një linjë apo kanë pasur një qasje unike në Ballkan, kanë pasur edhe sukses. Kur nuk ka pasur unitet trans-atlantik, atëherë nuk ka pasur sukses dhe unë mund ta shpreh, si Alternativë, ne jemi të zhgënjyer me rolin e zonjës Mogherini, sidomos në këta 12 muajt e fundit karshi këtij procesi të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Deda.
Në pyetje se sa është optimist se mund të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Deda ka thënë se personalisht është skeptik në seriozitetin e Serbisë që ta mbërrijë këtë normalizim.
“Sa është serioze udhëheqësia serbe, kur harxhon qindra miliona euro për anulimin e njohjeve të Kosovës, na lufton në arenën ndërkombëtare, përpiqet të demonizojë Kosovën, nuk lejon njerëz të artit e kulturës të udhëtojnë në Beograd. Domethënë një retorikë prej një pjese të Qeverisë së Serbisë, e cila është e njëjta si ajo e viteve të ’90-ta ndaj shqiptarëve të Kosovës. Ne pra duhet të pyesim zonjën Mogherini dhe udhëheqësinë serbe se a jeni ju serioz në këtë proces dhe nëse po, atëherë duhet ta ndryshoni rrënjësisht qasjen që e keni ndaj këtij procesi. Po ashtu, nuk mund të ketë marrëveshje të suksesshme nëse ne vazhdojmë të jemi në defanzivë duke u mbrojtur gjatë gjithë kohës. Për spektrin politik në Kosovë është me rëndësi që nuk duhet të preket integriteti territorial i Republikës së Kosovës. Pra, nuk mund të ketë ndarje, nuk mund të ketë shkëmbim të territoreve sepse ato janë ide të shekullit XIX dhe ne nuk duam të jetojmë në parime të tilla. Dhe, po ashtu, nuk mund të rrezikohet funksionaliteti i brendshëm i Kosovës”, ka thënë deputeti Ilir Deda.