Dialogu Kosovë – Serbi duhet të përmbyllet këtë vit
Këshilltari për politikë të jashtme i kryeministrit Avdullah Hoti, Valon Murtezaj, ka deklaruar se dialogu Kosovë – Serbi duhet të përmbyllet brenda këtij viti.
Ai ka treguar se kryeministri Hoti këtë gjë e ka kërkuar në takimet e fundit që ka pasur me presidentin francez në Paris dhe në samitin virtual të Parisit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se Kosova nga ky dialog pret njohjen e shtetësisë së saj. “Procesi nuk duhet të zgjasë pafund, përkundrazi kryeministri Hoti ka kërkuar që dialogu të përmbyllet gjatë vitit 2020.
Sidoqoftë, ky proces është kompleks dhe kemi të bëjmë me sjellje destruktive të Qeverisë së Serbisë. Prandaj edhe ndihmesa e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësisë së pazëvendësueshme” ka thënë Murtezaj.
Ai ka vlerësuar se bashkëpunimi amerikan dhe evropian në këtë proces është shumë i rëndësishëm për Kosovën.
Sipas Murtezajt, ShBA-ja dhe BE-ja duhet ta plotësojnë njëra-tjetrën në këtë proces. “Për Kosovën bashkëpunimi evropian dhe amerikan është jetik. Në këtë proces, roli gjerman dhe francez nga ana e BE-së, në njërën anë, dhe i Shteteve të Bashkuara në anën tjetër, shihet si komplementar, pra që përplotësojnë njëra-tjetrën. Kosova do të jetë një partnere e besueshme dhe serioze me të gjithë këta faktorë të rëndësishëm globalë përgjatë gjithë procesit”, ka thënë Murtezaj.
Ai ka deklaruar se Kosova i ka të qarta parimet dhe objektivat që synon t’i arrijë në këtë proces. “Lidhur me dialogun, Kosova ka treguar përkushtimin për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet ta përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Po ashtu, është kërkuar që procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave të ndodhë sa më shpejt sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha detyrat e saj që lidhen me këtë proces”, është shprehur Murtezaj.
“Epoka e re”: Z. Murtezaj, është mbajtur Samiti i Parisit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili ka shënuar në njëfarë forme rifillimin e dialogut në mes të këtyre dy vendeve. Cilat pritet të jenë efektet e këtij samiti?
Murtezaj: Takim i nivelit më të lartë, Samiti i Parisit, i mbajtur më 10 korrik, i udhëhequr nga presidenti francez Makron dhe kancelarja gjermane Merkel dhe, po ashtu, nga zyrtarët e lartë të BE-së, Borrel dhe Lajcak, ishte një takim shtytës për rifillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Ky takim vjen pothuaj pas një ndërprerje për 18 muajsh.
Takimi ka pasur qellim ofrimin e një ambienti për shpalosjen e qëndrimeve dhe pritjeve nga palët dhe nga ndërmjetësit. Pas këtij takimi pritet që dialogu gradualisht të marrë rrjedhën e vet, si një proces për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova nga ky dialog pret njohjen e shtetësisë së saj. Qëndrimi i qartë i kryeministrit të Kosovës është që ky dialog nuk po fillon tani, dialogu ka filluar më parë dhe tani është koha për t’u përmbyllur dhe që rezultati final duhet të jetë njohja e shtetësisë së Kosovës. Përndryshe, i gjithë ky proces nuk do ta kishte kuptimin e duhur dhe efektin e duhur.
“Epoka e re”: Kur pritet të mbahet takimi mes kryeministrit Hoti dhe presidentit të Serbisë në Bruksel dhe çfarë do të bisedohet në këtë takim?
Murtezaj: Si rezultat i takimit virtual të Parisit, të datës 10 korrik, të organizuar nga presidenti francez Macron dhe kancelarja gjermane Merkel, më datë 12 do të ketë një takim virtual të Brukselit. Aty pritet të prezantohen idetë për procesin e dialogut për të ardhmen, qëndrimet e Kosovës në këtë proces, si dhe pritjet nga dialogu, që për Kosovën është njohja e shtetit të Kosovës.
“Epoka e re”: Paraprakisht kryeministri Hoti ka realizuar një vizitë në Francë, ku është pritur nga presidenti francez. Çfarë do të thotë për Kosovën ky takim?
Murtezaj: Ishte një takim i nivelit më të lartë. Gjithçka e organizuar rreth këtij takimi, përfaqësimi, pritja dhe prania e nivelit më të lartë shtetëror francez, kanë bërë që kjo vizitë e kryeministrit Avdullah Hoti të jetë vizita më e lartë bilaterale e Kosovës dhe Francës në 10 vjetët e fundit. Takimi ishte shumë i mirë, biseda e ngrohtë dhe miqësore. Ishte takim gjithëpërfshirës, ku presidenti Macron ishte shumë i afërt, i hapur dhe i drejtpërdrejtë për të gjitha çështjet e diskutuara.
“Epoka e re”: Çfarë është diskutuar konkretisht në këtë takim?
Murtezaj: Janë diskutuar shumë tema. Duke filluar nga perspektiva evropiane e Kosovës, liberalizimi i vizave, dialogu dhe bashkëpunimi Kosovë – Francë. Kryeministri i Kosovës i ka prezantuar presidentit francez perspektivat, brengat dhe gjithçka që lidhet me Kosovën në fazën që po kalon. Për më tej, Kosova është e vendosur t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për perspektivën e saj evropiane, si e vetmja mundësi për paqe, stabilitet dhe prosperitet të kësaj pjese të Evropës. Lidhur me dialogun, Kosova ka treguar përkushtimin për këtë proces të rëndësishëm, i cili duhet ta përfshijë njohjen reciproke dhe normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Po ashtu, është kërkuar që procesi i vendim-marrjes për liberalizimin e vizave të ndodhë sa më shpejt sepse Kosova ka përmbyllur të gjitha detyrat e saj që lidhen me këtë proces.
“Epoka e re”: Siç po shihet, ShBA-ja dhe BE-ja e kanë marrë më seriozisht çështjen e dialogut Kosovë – Serbi. Cilat janë pritjet e qeverisë për këtë proces. Brenda çfarë periudhe kohore mund të kemi një marrëveshje të mundshme?
Murtezaj: Procesi nuk duhet të zgjasë pafund, përkundrazi kryeministri Hoti ka kërkuar që dialogu të përmbyllet gjatë vitit 2020. Sidoqoftë, ky proces është kompleks dhe kemi të bëjmë me sjellje destruktive të Qeverisë së Serbisë. Prandaj ndihma e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian është e rëndësisë së pazëvendësueshme.
“Epoka e re”: Si e sheh Qeveria e Kosovës rolin e ShBA-së në këtë proces, meqenëse BE-ja, konkretisht Franca dhe Gjermania, kanë marrë një rol prijës?Murtezaj:Për Kosovën bashkëpunimi evropian dhe amerikan është jetik. Në këtë proces roli gjerman dhe francez nga ana e BE-së, në njërën anë, dhe i Shteteve të Bashkuara në anën tjetër, shihet si komplementar, pra që përplotësojnë njëra-tjetrën. Kosova do të jetë një partnere e besueshme dhe serioze me të gjithë këta faktorë të rëndësishëm globalë përgjatë gjithë procesit.
(Muhamet Koci)