Dialogu Kosovë – Serbi mund të zgjasë me dekada
Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka thënë se, pavarësisht prej paralajmërimeve, ende nuk ka dinamikë të re në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se tërheqja nga Specialja mund ta pengojë dhe dëmtojë dialogun. Maliqi ka treguar se ka informata për dy platforma të grupeve punuese diplomatësh, një e Berlinit dhe tjetra e Oslos por, sipas tij, këto hëpërhë mbeten spekulative se cilat janë propozimet kyçe që mund t’i kënaqnin të dy vendet.
Ai ka thënë se këto janë spekulime që shkurtojnë rrugën e përfundimit të dialogut, në të kundërtën mund të zgjasë me vite dhe dekada.
“Epoka e re”: Z. Maliqi, a prisni dinamikë të re në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë gjatë këtij viti?
Maliqi: Dinamizimi i dialogut është paralajmëruar prej kohësh, por asgjë nuk ka lëvizur me muaj të tërë, të paktën jo që për këtë kemi njoftime publike. Mbase është punuar në kanalet diplomatike dhe në nivelin e ekspertizave teknike për ta përgatitur vazhdimin e dialogut, por e gjithë kjo është bërë larg syve të opinionit, sepse vlerësohej se rrjedhja në publik e propozimeve dhe informative të ndjeshme më shumë do t’i kontribuonte ngadalësimit dhe bllokimit të procesit. Serbia në ndërkohë po zhvillon procesin e dialogut të brendshëm për Kosovën dhe në stilin e diplomacisë të saj herë flet me negativitet për dështimin e dialogut dhe shtron kërkesa për ndryshimin e karakterit të dialogut e herë paralajmëron ‘marrëveshje’ historike. Nga ana tjetër presidenti Thaçi ka prioritete të tjera në agjendën e vet që mund ta pengojë dhe dëmtojë dialogun, siç është ajo e tërheqjes së përkrahjes për Gjykatën Speciale, e cila e vë në pyetje partneritetin tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Është tejet kontradiktore që nga njëra anë kërkojmë inkuadrimin e drejtpërdrejtë të ShBA-së në dialog, kurse nga ana tjetër shfaqim ‘mosdëgjueshmëri’ ndaj ShBA-së për çështjet e Gjykatës Speciale dhe demarkacionit me Malin e Zi.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)