Dialogu Kosovë-Serbi mund të zvarritet
Mosmbajtja e takimit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare po e konsiderojnë si refuzim nga pala serbe.
Sipas tyre, për një marrëveshje finale mund të kontribuojnë ndërkombëtarët, por me theks të veçantë duhet të ekzistojë edhe vullneti politik i dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë.
Drejtori i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari” Visar Ymeri, në një intervistë për Ekonomia Online tha se Serbia vazhdimisht ka qenë e interesuar për tema më të vogla, e procesi i dialogut të bëhet më ngadalë.
Ai thotë se duhet të bëhet presion më i madh nga BE dhe ShBA ndaj Serbisë në këtë drejtim, por që shton se procesi mund të zvarritet edhe për shkak të luftës në Ukrainë.
“Tash në këtë radhë duket se refuzimi ka ardhur prej Beogradit, domethënë prej presidentit të Serbisë i cili për çfarë do arsye ka refuzuar të takohet me kryeministrin e Kosovës. Mendoj që ajo që po e thotë Qeveria e Republikës së Kosovës që është faktikisht Qeveria e Serbisë ajo që po ka dëshirë që ta zvarritë procesin e dialogut, mendoj që qëndron natyrisht. Serbia ka qenë për një kohë të gjatë ajo që ka qenë e interesuar vazhdimisht që procesi i dialogut të bëhet sa më ngadalë për tema sa më të vogla e kështu me radhë, në mënyrë që të mos flitet për temën kryesore. Në këtë drejtim konsideroj që do të duhej që të kishim një lloj presioni pak më të madh nga BE dhe vendet e tjera ndaj Serbisë në mënyrë që ta merrte më seriozisht”.
“Problemi është që tash jemi në një situatë jashtëzakonisht delikate për sa i përket zhvillimeve gjeopolitike në përgjithësi me invazionin e Rusisë në Ukrainë dhe kjo kam dronë që do ta zvarris procesin e dialogut edhe pse vazhdimisht proklamohet si një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme e që është e rëndësishme edhe për sigurinë në rajon. Nuk mendoj se do të kemi gatishmërinë nga institucionet e BE-së, vendet anëtare të BE-së as nga SHBA që të ushtrojë trysni të madhe në Serbinë duke e pasur këtë interesin më të madh që Serbia të anoj sa më shumë kah perëndimi, kam dronë që kjo mund të rezultojë në një proces më të zvarritur”, ka thënë Ymeri.
Ai thotë se përpos involvimi të BE e ShBA-së në këtë drejtim, duhet të ketë edhe përgjegjësi të brendshme.
Ish-kryetari i Vetëvendosjes thekson se pala kosovare, dialogun duhet ta përjetojnë si fitore e jo imponim.
“Mendoj që janë dy gjëra pak a shumë. Në njërën anë involvim më i madh i ShBA, i cili nuk e përjashtoj se mund të ndodh. Mendoj që kjo ka me u qartësuar shumë më shumë kur te kemi një Qeveri të re në Beograd, pra diku ka vjeshta, shtatori. Në anën tjetër mendoj që BE duhet të jep shenja më serioze të involvimit të tyre në rajon e veçanërisht të hapjes së perspektivës për vendet e rajonit”.
“Mendoj që kjo do të mund të ishte një prej incentivave për vendet e rajonit që të fillojnë edhe ta transferojnë mënyrën se si bëjnë politikën, si e trajtojnë fqinjin e kështu me radhë. Po mendoj që ka edhe përgjegjësi të brendshme. Mendoj që edhe Kosova edhe Serbia, e veçanërisht Kosova në këtë rast duhet të shohin më shumë interesim te dialogu sepse dialogu nuk duhet ta përjetojmë si një diçka që në imponohet po si një diçka përmes së cilës ne mund të fitojmë”, ka deklaruar Ymeri.