Dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm nëse sjell njohje reciproke
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se procesi i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit të dinamizohet, por njëherësh është shprehur skeptik se mund të arrihet një marrëveshje në këtë proces.
Pas një pritje që i bëri një ekipi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga komandanti i kësaj Force, Rrahman Rama, presidenti Thaçi ka thënë se dialogu me Serbinë ka kuptim vetëm në rast se sjell njohje reciproke.
“Marrëveshje që hapë perspektivën e njohjes së Kosovës nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe mundësinë që pas marrëveshjes të hiqet vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit dhe Kosova të përfitojë njohje globale”, është shprehur Thaçi, duke shtuar se pritjet për një marrëveshje me Serbinë janë të vogla.
“Nëse arrihet marrëveshja, për çka unë jam skeptik, sepse shoh mundësi shumë të vogla, por ne duhet të punojmë”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ai u ka bërë thirrje subjekteve politike në Kosovë që të bashkëpunojnë, të krijojnë konsensusin për bisedime dhe të shmangin mundësinë që Kosova të fajësohet për bojkotim të procesit.